Çelet konkursi për monumentin e Ismail Qemalit, Zogut dhe Hasan Prishtinës

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Mar 2012 ora 1:38pm

TIRANË- Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve ka çelur një tjetër konkurs për monumentet, kushtuar tre figurave historike, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës.

Pas konkursit për logon e festimeve të 100-vjetorit dhe monumentit e Pavarësisë, artistët vendas do të mund të dorëzojnë bocetet e tyre për një ose tre figurat historike deri në datën 15 maj në GKA. Këto monumente do të kenë tre elementë bazë: shtatoren, bazamentin dhe mbishkrimi me të dhënat e personalitetit historik si: emri, titulli, data e lindjes dhe e vdekjes.

Boceti që merr pjesë në këtë konkurs duhet të jenë të punuar enkas për këtë konkurs dhe të mos jetë paraqitur në asnjë konkurs të mëparshëm. Pas dorëzimin të boceteve juria do të bëjë përzgjedhjen e fituesve deri në datën 13 maj. Ndërsa një ditë më pas, deri në datën 17 maj, do të bëhet ekspozimi i boceteve për publikun në sallën e GKA-së.

Të treja shtatoret (Ismail Qemali, Ahmet Zogu I, si dhe Hasan Prishtina) duhet te kenë lartësinë deri në 3 metra. Gjërësia e bazamentit varet nga kompozimi që do të paraqesë artisti për shtatoren. Shkrimi është pjesë e shtatores. Vendi dhe përmasa e tij përcaktohen në bazë të idesë së bocetit fitues, miratuar nga juria.

Ky konkurs zhvillohet në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit.