Çelet Panairi i Punës “Horizonte punësimi dhe formimi”.

Nga Dinejda
Shkruar ne 01 Maj 2012 ora 1:11pm

TIRANË - Panairi i Punës “Horizonte punësimi dhe formimi”, që u çel sot pasdite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, pritet të ofrojë më shumë se 1 mijë vende pune.

Panairi organizohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe të Ministrisë së Arsimit, në kuadër të Programit të Qeverisë për Strategjinë e Punësimit dhe Formimit Profesional dhe Strategjisë Evropiane të Punësimit.

Ministri i Punës, Spiro Ksera, në fjalën e tij e vlerësoi këtë panair si mjaft të rëndësishëm dhe të veçantë në kuadër të programit të qeverisë për uljen e papunësisë. Sipas Kserës, “ky panair do të mundësojë takimin fizik të punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e papunësisë”.

Ne, tha ministri Ksera, duke folur në emër të institucionit që ai drejton, “po punojmë për të lehtësuar dhe për të përmirësuar klimën e zhvillimit të bizneseve, më qëllim që këto të fundit të krijojnë hapësira sa më të mëdha për punësim dhe ky panair do ia arrijë qëllimit”.

Thoma Miço, Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, tha se “risi e re e këtij panairi është që krahas kontaktit fizik mes ofertës dhe kërkesës, këtë herë do të kërkohet dhe promovimi në një format modern dhe gjigand, në Pallatin e Kongreseve, i bizneseve më të rëndësishme dhe më të suksesshme në vend”.

Këto biznese, shtoi ai, falë profesionalizmit të tyre dhe sistemit menaxherial me standarde të larta dhe bashkëkohore, do i japin rëndësinë dhe mundësinë e duhur burimeve të reja njerëzore.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorët deri në 2 maj.