Celet sezoni veror në Vlorë

Nga Dorjan
Shkruar ne 12 Maj 2012 ora 5:35pm

VLORË- Aktivitetet e planifikuara për çeljen e sezonit turistik në qytetin e Vlorës nisën mbrëmjen e të premtes në sheshin e Skelës në këtë qytet. 6 artistë italianë të cirkut të rrugës kanë qenë të pranishëm me numra të zgjedhura. Ata janë ndarë në grupe gjatë performimit të tyre, duke tërhequr vëmendjen me pantonimën, kllounët, “ngrënësi i zjarrit”, artisti akrobat, një show që ka tërhequr vëmendjen e shumë fëmijëve e familjarëve. Artistët e ardhur nga Puglia e Siçilia, kanë tërhequr edhe të pranishmit, të bëhen pjesë e spektaklit, duke përcjellë orë argëtimi në shesh. Së bashku me ta kanë qenë të pranishëm edhe personazhet e Idea 2 Group.

Dj Night, ka plotësuar mbrëmjen e së premtes në Vlorë, në një event që ka mbledhur në shesh një numër të madh qytetarësh, sidomos të rinj. Trafiku i automjeteve u orientua vetëm në një pjesë të rrugës, duke lënë të lirë sheshin për mijëra të rinjtë që i janë bashkuar skenës së ngritur pranë shatërvanit në Skelë. Mbrëmjen festive e çeli Odee DJ e më pas kanë performuar të ftuarit specialë nga Kosova, Dj Blunt e Real 1.
Për më tepër se katër orë, në sheshin e Skelës, të rinjtë kanë shijuar spektaklin me pjesët më të mira të house music, propozuar nga Odee dj, si edhe ritme hip hop e r’n’b, të sjella nga Dj Blunt e Real 1. Grupet janë shoqëruar dhe nga balerina, të cilat kanë performuar gjatë gjithë mbrëmjes.
Aktivitetet e organizuara nga Bashkia kanë gjallëruar dukshëm këto ditë jetën në qytet. Ato janë ndjekur me mjaft interes nga qytetarët, ndërkohë që larmia e tyre ka përfshirë shumë grupmosha.