Çesk Zadeja, si e kompozoi simfoninë e parë shqiptare, më 1956

Nga Dorjan
Shkruar ne 04 Qer 2012 ora 5:14pm

15 vjet më parë në një nga spitalet e Romës u nda nga jeta një ndër kompozitorët më të shquar shqiptarë të gjysmëshekullit të fundit, Çesk Zadeja.
Natyrisht, përveçse një humbje e madhe për familjarët dhe të afërmit e tij, kjo ishte mbi të gjitha një humbje për kulturën shqiptare dhe në mënyrë të veçantë, për kulturën e muzikës së re. Kjo, sepse nëpërmjet gjithë përfaqësimeve të tij krijuese, pedagogjike e publicistike, ai përcolli ato elemente të kompozimit dhe të edukimit, të cilat janë mirëpritur gjithmonë në mjedisin artistik e muzikor shqiptar dhe gjithmonë kanë qenë një shkallë e re më e lartë për formimin e një kulture të re elitare.
Sigurisht, kompozimet e tij nuk ishin prekje në erë të materies muzikore, por ato përmbanin problematika të rëndësishme nga jeta dhe mentaliteti i shqiptarëve; nga tërësia e vlerave popullore të trashëguara dhe nga lëvizja entuziaste muzikore që pushtoi Shqipërinë në vitet e para pas çlirimit. Kjo ishte një ndër arsyet e rëndësishme, që krijimtaria e tij të vihej në themel të kulturës profesioniste dhe të bëhej një vlerë e madhe për drejtimet e reja të muzikës shqiptare. 
Fenomeni Zadeja ishte ndër dukuritë e para të mëdha të muzikës shqiptare që jo vetëm në kohën e tij, por edhe më pas, (deri në ditët tona) ka shërbyer si shembull për zhvillimet profesioniste. Ndërkohë, ai ka qenë edhe udhërrëfyes për shumë kompozitorë të tjerë të kohës së tij e më vonë, të cilët aspironin terrenin e vështirë dhe jo aq të njohur më parë, të muzikës serioze.
Zadeja nuk ishte një fenomen i ardhur nga zbrazësia. Përveç aftësive individuale dhe talentit të padiskutueshëm, ai pati privilegjin të trashëgonte një kulturë të hershme qytetare e familjare. Duke nisur nga i ati, i cili ishte ndër themeluesit e shoqërisë artistike “Bogdani” dhe po ashtu vëllai, Tonini, një muzikant e studiues i muzikës tradicionale, Zadeja u formua me ndjenjën e respektit të thellë ndaj kulturës dhe muzikës së qytetit të tij të lindjes, por edhe me thirrjen e brendshme për t’i çuar ato më tej e për t’i afishuar në dritën e zhvillimeve të rëndësishme europiane.
Çesk Zadeja lindi më 8 qershor 1927 në qytetin e Shkodrës. Që në moshë të re u dallua për prirje të spikatura muzikore, gjë që i dha mundësi të fillonte një formim gjysmë amator nëpërmjet edukimit, por edhe nëpërmjet pjesëmarrjes në jetën artistike të qytetit. Më pas, në vitin 1941 studioi në akademinë “Santa Cecilia” të Romës, ndërkohë që studimet e plota të kompozicionit i përfundoi kur u pranua në konservatorin “Pjotër Iliç Çajkovski”, në Moskë.
Me kthimin në Shqipëri pas mbarimit të studimeve, Zadeja e intensifikoi krijimtarinë muzikore, duke punuar ndërkohë edhe si udhëheqës artistik i Ansamblit Artistik të Këngëve dhe të Valleve Popullore.
Në fazat e pjekurisë së plotë artistike dhe zhvillimeve të lavdëruesh-me të muzikës profesioniste shqiptare, Çesk Zadeja shfaqet si pedagog në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, sot Universiteti i Arteve. Kjo periudhë është e një rëndësie të veçantë, sepse lidhet jo vetëm me karrierën individuale artistike, por mbi të gjitha me përgatitjen e brezave të rinj të kompozitorëve, të cilët do të bëheshin më pas kolegët dhe bashkudhëtarët e tij në rrugën e vështirë të krijimtarisë. Në procese të tilla Zadeja ka arritur të hedhë bazat e shkollës kombëtare të kompozicionit, baza të cilat do ta çonin muzikën shqiptare drejt orientimit të saj europian.
Siç thotë ai vetë në librin “Vetparja e procesit”, përgatitur dhe botuar me ndihmesën e akademikut, Prof. Dr. Vasil Tole, “…asnjëherë shkëputjet, largimet nga mjetet ‘normative’ të traditës muzikore nuk i kam konceptuar si dogmë, por i kam vlerësuar si një prije drejt së resë, e cila ka ardhur natyrshëm dhe është përshtatur menjëherë…”
Ky ka qenë edhe orientimi kryesor që ai ndoqi për edukimin e kompozitorëve të rinj, një orientim që më pas do të bëhej ndër shtyllat kryesore të shkollës shqiptare të kompozimit. Kjo ka qenë edhe arsyeja që ai arriti të bëhej zëri më përfaqësues i muzikës profesioniste shqiptare dhe udhërrëfyes i pagabueshëm i zhvillimeve të saj.
Krijimtaria e Zadesë është një krijimtari, e cila ka prekur pothuaj të gjitha format dhe gjinitë muzikore. Nga simfonia e parë shqiptare, e kompozuar në vitin 1956 dhe deri në fund të viteve 90, ai ka sjellë një opus pa fund veprash që shtrihen nga muzika e miniaturave instrumentale; te koncertet e suitat instrumentale e simfonike dhe deri te veprat e mëdha skenike, siç mund të jenë për shembull, baletet “Delina” dhe “Para Stuhisë”.
Të gjitha këto vepra e të tjera, si muzikat për film (“Skënderbeu” e “Furtuna”), apo ndonjë tjetër, kanë lënë shenja të papërsëritshme në muzikën profesioniste shqiptare dhe përgjithësisht, në identitetin e gjithë kulturës kombëtare. Po të shohim simfoninë, për shembull, aty do të gjejmë shumë piketa fillestare për kompozimin profesionist, por edhe shumë orientime për krijimtarinë e ardhshme të Çesk Zadesë dhe gjithashtu, edhe të të tjerëve.
Çesk Zadeja ka kompozuar vepra të shumta në numër dhe prek të gjitha gjinitë e muzikës, veçanërisht ato të muzikës instrumentale dhe simfonike. Për vetë kohën kur janë shkruar dhe specifikat e atëhershme të zhvillimit, disa nga veprat e tij kanë qenë “premiera” të artit profesionist shqiptar dhe do të mbeten si pika referimi për krijimtarinë më të re shqiptare. Kështu, “Simfonia” (1956); Koncerti për piano dhe orkestër në mib mazhor, (1968), etj, do të jenë ndër shembujt më kuptimplotë të këtij procesi, për të cilat publiku ka pasur një interes të veçantë dhe të cilat kanë ndikuar edhe në kompozimet e tjera të gjinive të mëdha instrumentale e skenike. Në një kuptim të tillë, Çesk Zadeja mbetet një portret i veçantë dhe tepër interesant dhe për më tepër, ndër zërat më të cituar të muzikës shqiptare.
Sot, në 85-vjetorin e lindjes së tij, shqiptarët janë krenarë për Zadenë dhe muzikantët mbeten gjithmonë të motivuar për t’u thelluar në punën e tij; jo thjesht për titujt e lartë e të merituar që mban, si “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, apo “Profesor”, por mbi të gjitha, për themelimin e një kulture të re muzikore me rrënjë kristiane, e cila e ka afruar Shqipërinë gjithmonë e më afër iniciativave të njëkohshme të të gjithë Europës.