CEZ, projekt për përditësimin e të dhënave të klientëve.

Nga Dinejda
Shkruar ne 11 Maj 2012 ora 6:48pm

TIRANE - “Master Data Cleaning” është projekti që po zbaton kompania “CEZ Shpërndarje”, i cili synon rifreskimin dhe përditësimin e të dhënave të klientëve, për të shmangur dhe korrigjuar gabimet në të dhënat kryesore të tyre, si emër, mbiemër, adresë, numra konktakti dhe një pjesë e të dhënave teknike të sistemit të matjes.

Drejtuesit e CEZ shpjegojnë se duke pasur këto të dhëna të sakta, mund të informojnë nëpërmjet e-maileve apo numrit të telefonit abonentët për konsumin mujor të energjisë elektrike. 

“Klienti në mënyrë shumë të thjeshtë paraqitet pranë qëndrave tona të kujdesit të klientit. Kemi një formular të posaçëm për deklarimin e të dhënave. Formulari plotësohet në mënyrë të thjeshtë nga çdo qytetar. Nëse qytetarët hasin vështirësi në plotësimin e formularit mund tu drejtohen specialistëve të kujdesit të klientit, për mënyrën se si plotësohet formulari. Qëllimi i shërbimit është që në gjithë fazën e tij të përfshijë të gjithë klientët. Aktualisht kemi prekur 42 mijë klientë.”-deklaroi Dr. e Projekteve në CEZ Shpërndarje, Gentiana Hykaj.

Drejtuesit e “CEZ Shpërndarje” bëjnë të ditur gjithashtu se nëpërmjet këtij projekti synohet që të shmangen problemet në shpërndarjen e faturave, për shkak të adresave , emrave apo të dhënave të tjera të pasakta.