Çka po ndodh në Shkup?!

Nga Reporter
Shkruar ne 10 Qer 2011 ora 1:33pm

Sot (e enjte) është dita e katërt me rradhë në të cilën mijëra të rinj nga prejardhje te ndryshme sociale dhe etnike po vërshojnë rrugët e Shkupit.

Si filloi?

Ditën e hënë, dita e parë pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, dikush kishte shkruajtur në Twitter që një i ri ishte rrahur deri në vdekje nga forcat policore mbrëmjen e së dielës në sheshin e Shkupit ku paria VMRO po festonte fitoren në zgjedhje. Por, çuditërisht edhe pas më shumë se 12 orëve asnjë medium nuk kishte raportuar këtë ngjarje e as që ishte vendosur ndonjë informatë për këtë në raportet ditore në faqen zyrtare të policisë. Rreth 20 aktivistë u mblodhën atë pasdite tek parku i qytetit për të diskutuar mbi ngjarjen, ndërsa lajmi po përhapej në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook. Pas dy orësh, në park ishin mbledhur qindra të rinj dhe rreth orës 20 u vendos që mënjeherë të fillohet të protestohet. U bllokuan rrugët kryesore në qendër, u bllokua një festival argëtues që mbahej në shesh. Të rinjtë informonin njerëzit për ngjarjen që tani po bënte 24 orë që fshihej nga organet shtetërore. Dyshohej që djaloshi 22 vjeçar identiteti i të cilit akoma ishte i paqartë ishte rrahur deri në vdekje nga forcat që po siguronin kryeministrin që po kremtonte fistoren zgjehdore. Turma e shtuar më pas vazhdoi tek një stacion policor ku protestoi për rreth një orë përballë forcave speciale të policisë duke skanduar “Kush e vrau Danielin” dhe “Vrasës, Vrasës”. Rreth mesnate u bllokua rruga kryesore në qendër të Shkupit duke u ulur në rrugë dhe u diskutua se si të shpërndahet lajmi dhe të ritet protesta. Në të njejtën kohë në Facebook ishte formuar grupi Ndal Brutalitetit Policor i cili brenda 4 orëve kishte mbledhur 15.000 anëtarë dhe ku diskutoeshin hapat e mëtejmë. Në orët e hershme të mëgjesit grupi ishte ndërprerë nga organet shtetërore.

Zbardhja e rastit, protesta vazhdon dhe rritet !

Të martën, protesta ishte paralajmëruar për orën 16, ndërsa në një konferencë shtypi pak orë para kësaj, zëdhënësi i policisë deklaroi identitetin e djalit 22 vjeçar që quhej Martin dhe pranoi që ai ishte rrahur deri në vdekje nja një anëtar i njësive speciale të policisë Tigrat në praninë e kolëgëve të tij dhe se trupi kishte qëndruar i siguruar nga policia disa orë pas vrasjes dhe se i dyshuari ishte paraqitur vetë në polici. Në ndërkohë, familjes së viktimës ishte kërcënuar dhe i ishtë kërkuar që të heshte për rastin. Protesta nën moton “Ndal Dhunës Policore” filloi në orën 16 tek Shtepia e nënës Terezë në qendër të shkupit ku mijëra të rinj marshuan rrugëve të qytetit për 6 orë duke skanduar “Vrasës, Vrasës”, “Shtet Policor”, “Mjaft Heshtje”.

Dita e tretë, forma të reja të organizimit dhe mobilizimit, protesta bëhet politike dhe antipartiake!

Rrjetet sociale tanimë janë mbushur me aktivitete rreth protestave të mëtutjeshme. Vendi i fillimit të protestave është Shtepia e Nëns Terezë në orën 18. Grupe të disperzuara oranizohen secili në mënyrën e vet. Pas arrestimit të vrasësit nga radhët e policisë, tani kërkohet shpërbërja e njësisë Alfa, përgjegjës për maltretimin e një numri të madh të qytetarëve, kërkohet reformimi i policisë dhe mënyrës së funksionimit të saj, por kërkohet edhe përgjegjësi politike.

Protesta nuk ka një grup organizativ të parapërcaktuar, por një orë para protestës mblidhen të gjithë që duan të diskutojnë rreth organizimit, mesazhit dhe qëllimit. Secili është organizator.

Mblidhen mijëra të rinj dhe fillon marshimi më bllokim të rrugëve. Brohoritet “Çdo Ditë, Çdo Ditë”. Pas inicimit të protestës kundër brutalitetit të policisë, mijëra të rinj po kuptojnë për fuqinë e zërit të tyre që detyroi shtetin të pranojë krimin e kryer. Me të kuptuar këtë, të gjithë duan të përtejsojnë protestën, të ndërtojnë lëvizjen rinore që ka mungur me dekada. Protestuesit brohorasin kundër të gjithë partive politike, kërkojnë ngritjen e zërit dhe zgjimin. Në Maqedoni për herë të parë organizohen protesta spontane nga njerëz që vijnë nga grupe të ndryshme por dhe nga individë që kanë pritur gjatë të ngrejnë zërin por nuk kanë dashur të identifikohen më një grup të caktuar që ka bërë protesta.

3 orë pas fillimit të portestës, përskaj shiut që binte pa pushim, mijëra protestues tubohen në një amfiteatër të hapur pas Shtëpisë së Nënës Terëze dhe secili merr megafonin që të ngrejë zërin e tij. Është krijuar një hapësire e re e diskutimit të lirë dhe mes mijëra përkrahësve të rinjtë mbajnë fjalime për demokracinë, për fuqinë e popullit, kundër ndarjeve partiake dhe etnike, për lirinë dhe vendosmërinë për t’i ndryshuar gjërat në këtë shtet. Brohoritet “Së bashku jemi më të fortë”. Në mes të shiut që bie pandërprerë, mijëra brohorasin “Çdo ditë, Çdo ditë”.

Ndërkohë vijnë përkrahje dhe përgëzime nga lëvizjet aktiviste në Greqi, Egjipt dhe Turqi. Lajmi për protestat shpërndahet në faqet e agjencive të huaja të lajmeve dhe bloget e lëvizjeve aktiviste botërore.

Vazhdojmë, diçka e re po ndodh !

Çuditërisht për Maqedoninë, dhe në ditën e katërt të protestave, mijëra të rinj mblidhen tek Nëna Terezë në orën 18. Bllokohen rrugë dhe mbahen fjalime. Tanimë dihet, të gjithë e dijnë, protesta fillon çdo ditë në orën 18 tek nëna Terezë. Të rinj nga qytete të ndryshme vijnë në Shkup për të marrë pjesë në ngritjen e zërit. Partitë kanë tentuar të shfrytëzojnë protestën, por janë kundërshtuar fuqimisht. Janë bashkangjitur qytetarë të moshave të ndryshme dhe të përkatësive të ndryshme etnike.

E premte, protesta më e madhe deri më tani !

Dita e premte në Maqedoni është ditë jopune për shkak të një feste fetare ortodokse. Janë paralajmëruar protesta nga të rinj në disa qytete tjera të Maqedonisë. Levizja rinore po merr hov dhe po shpërndahet. Të premten pritet të jetë protesta më masive deri më tani.

Të premten gjithashtu është planifikuar të fillojë Panairi i Librit Ballkanik Anarkist, ku do të vijnë shokë dhe shoqe nga vendet e Ballkanit të cilët gjithashtu do ti bashkangjiten protestës. Do të ketë promovime librash, diskutime në prani të qindrave…diçka e re po ndodh!

 

Nga:  Artan Sadiku

Burimi: Saktivista