DAJT, FURGONI BIE NË GREMINË, VDES KUZHINIERI, PLAGOSEN DY KAMERIERËT

Nga Dorjan
Shkruar ne 06 Apr 2012 ora 1:27pm

TIRANE – Një person ka gjetur vdekjen dhe dy të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë dje rreth orës 02:00 pas mesnate, në rrugën e Malit të Dajtit. Një furgon që drejtohej nga kuzhinieri i një restoranti të njohur në Dajt, ku ndodheshin edhe dy kamerierët e të njëjtit lokal, përfundoi në greminë, duke bërë rënie të lirë në rreth 300 metra. Aksidenti ndodhi pranë antenave të televizioneve, kur kuzhinieri dhe dy kamerierët kanë qenë duke udhëtuar me furgonin e lokalit ku punonin. Furgoni në një moment ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminën që formohet nga Shkëmbi i Llahinit, rreth 300 metra nën rrugë. Për shkak të terrenit mjaft të thyer dhe të vështirë, është dashur ndërhyrja e alpinistëve të repartit special RENEA për të zbritur deri në vendin ku kishte përfunduar automjeti. Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe shërbimet zjarrfikëse, forcat e Policisë së Rendit dhe asaj Rrugore. Pas kërkimeve që kanë zgjatur më shumë se katër orë, në orën 05:10 të mëngjesit, RENEA ka arritur të gjente trupin e pajetë të drejtuesit të furgonit, Ilir Gjoni, i cili është kuzhinieri i lokalit. Njëri prej kamerierëve, Hysni Elezi, vazhdon të jetë në gjendje kome. Teksa ai transportohej në Spitalin Ushtarak, në ambulancë tjetër ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të marrë të plagosurin tjetër, kamerierin Blerim Dajti, i cili po ashtu ka pësuar dëmtime të rënda, por jashtë rrezikut për jetën. Ekspertët e Policisë Rrugore dyshojnë se drejtuesi i mjetit mund ta ketë humbur kontrollin për shkak të pagjumësisë. Për rrjedhojë furgoni ka dalë nga rruga duke përfunduar në greminë.