Dalin për herë të parë partiturat e muzikës së “Skënderbeut”

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 5:24pm

TIRANE - Botohen sot, për herë të parë, pjesë nga partiturat e muzikës së filmit të Skënderbeut. Ato janë gjetur gjatë këtyre muajve në arkivat ruse, ku “preheshin” që prej vitit 1952, kohë në të cilën Çesk Zadeja shkroi në Moskë. Ka qenë djali i Zadesë, Albani, ai që prej kohësh përpiqej të gjente e të sillte në atdhe, një prej punëve më të mira të të atit, punë të cilën ai e pat bërë shumë i ri. “Gazeta Shqiptare” boton sot, faksimile të partiturave në dorëshkrim, që, siç shihet, mbajnë përsipër vulën e arkivave ruse. Muzikologu Vaso Tole na thotë se, rëndësia e këtyre partiturave ka të bëjë me trashëgiminë tonë shpirtërore. “Janë një element me rëndësi për trashëgiminë tonë shpirtërore. Duhet të theksojmë faktin se Zadeja përmes kësaj pune që ka bërë, ka krijuar stilin e muzikës shqiptare, edhe pse ka qenë i ri”. Tole vë në dukje faktin se melodia më e njohur e muzikës së filmit, i takon një kënge të vjetër të malësisë së Mbishkodrës. “Ai e kishte dëgjuar për herë të parë në një korale të At Martin Gjokës dhe e ka parë të arsyeshme që ta bëjë pjesë të muzikës së njërit prej filmave më të rëndësishëm shqiptarë”, – shprehet muzikologu. Zadeja ia doli që ta kthejë një ndër këngët e vendlindjes së tij, në një lloj himni për shqiptarët, një himn që duke iu veshur heroit, iu ngre zemrat peshë atyre që e dëgjojnë. Muzika shqipe që pat krijuar Zadeja, e merrte nektarin e saj në notat folklorike, e kjo qe një ndër arsyet e suksesit e vlerësimit të tij.
Kompozitori
Në Moskën e vitit 1952, Çesk Zadeja qe veçse një djalosh që ndiqte studimet në konservatorin “Pjotër Iliç Çajkovski”. I ri, por plot pasion e energji, në moshën 26-vjeçare ai do të shkruante muzikën e filmit për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ende sot, kur kanë kaluar 60 vite, meloditë e memorizuara, mbeten më të dashurat ndër shqiptarë, për ritmin dhe emocionet që përcjellin. E megjithatë, në këto 60 vite, partiturat nuk kishin ardhur në Shqipëri. Që prej asaj kohe, ato do të mbeteshin në arkivat e Moskës, ndonëse kompozitori do të kthehej në atdhe ku do të kalonte jetën. Për një kohë të gjatë mendohej se partiturat kishin humbur, duke ‘humbur’ kështu njëri prej dorëshkrimeve më të rëndësishme të muzikës shqipe. Ato kanë ardhur në Shqipëri rreth një muaj më parë, falë interesimit të të birit të kompozitorit, Alban Zadeja. Muzikën e “Skënderbeut”, Zadeja e realizoi në bashkëpunim me një rus, por pjesa më e rëndësishme e punës qe bërë prej djaloshit shqiptar, që asokohe qe ende në të parat hapa të krijimtarisë.
Përvjetori
Në datën 7 qershor, bëhen 85 vite nga datëlindja e kompozitorit të mirënjohur shqiptar. Me këtë rast, Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe Këshilli i Muzikës Shqiptare, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe me Universitetin e Arteve, organizojnë një takim për nder të tij. Akademia përkujtimore fillon në orën 10:00, me një ekspozitë të rrallë, ku shfaqen për të parën herë për publikun partiturat e filmit “Skënderbeu”, 1952. Pas kësaj, Prof. Dr. Fatmir Hysi do të flasë për “Vendin e Zadesë në kulturën shqiptare”, e fill pas tij vjen një referat me temë “Figura e Zadesë në hapësirën kulturore mbarëkombëtare”, nga Ak. Rauf Dhomi. Mbi “Çesk Zadenë dhe shkollën kombëtare në muzikë” do të flasë Prof. Thoma Gaqi, ndërsa Z. Shuteriqi do të bëjë krahasimin mes “Zadesë dhe traditës muzikore shqiptare të viteve 1930″, për t’u mbyllur kumtesat me atë të docentes Holta Sina, “Figura e Çesk Zadesë si pedagog dhe publicist i shquar”.
Të pranishmit do të përshëndeten me pjesë muzikore të kompozuara prej “Artistit të Popullit” siç janë “Delina” në piano, një duo instrumentale dhe një kuartet harqesh.