Dashuri e hidhur, i shkreti teatër

Nga Sage
Shkruar ne 16 Maj 2011 ora 6:36pm

Në jetën time, që i vogël, kam parë shumë shfaqje teatri. Kam ndjekur pothuaj çdo premierë në Teatrin Popullor e në Institutin e Lartë të Arteve. Kam pasur, madje, mundësi të shoh edhe provime të studentëve e prova të aktorëve. E më pas e mbarova vetë Akademinë e Arteve dhe ndjekja e shfaqjeve tashmë ishte profesion për mua. Sigurisht, edhe kënaqësi. Kam parë shumë shfaqje të mira, por kam parë edhe shfaqje shumë të dobëta. Jashtë mase të dobëta. Por “Dashuri e hidhur” ia kalonte të gjithave. Një shfaqje që fyen inteligjencën e spektatorit dhe hidhëron komunitetin teatror.

Në vitin 2003 fitova një bursë, jo të vogël, për të shkuar në Bari, për të bërë një tip “Masteri”, a specializimi, nuk u mor vesh… Ky ishte një defekt i politikave kundrejt artit asokohe. Shkova atje dhe u nisa për atje ku isha nisur, në teatrin “Opera Kismet”. Një godinë modeste, pa pretendime nga jashtë dhe shumë e zakonshme nga brenda. Si salla e Black Box-it në Akademinë e Arteve. Megjithatë, ishte një teatër province, “në të dalë” të Barit dhe shfaqjet që pashë aty ishin përpjekje të ca amatorëve për të bërë teatër. S’ka asgjë të keqe. Madje është e mrekullueshme.

Gjithsesi, nuk më takonte mua të paragjykoja, unë kisha shkuar atje për të marrë eksperiencë. Dhe të gjithë njerëzit që punonin atje, përfshi edhe aktorë të trupës, çuditeshin me faktin se ç’specializim do të bëja unë atje? Ç’eksperiencë mund të merrja unë nga ai teatër? Këtu nuk po flas për veten time, por shumica e trupës kishte qenë në Shqipëri dhe ishte e mirënjohur me teatrin shqiptar. Duke parë këtë nivel e duke dëgjuar zërat e vetë punonjësve dhe aktorëve atje, e refuzova bursën (e cila s’ishte hiç e keqe) dhe u ktheva në Shqipëri (s’e bëra nga morali i lartë, por ngaqë nuk rrija dot më), sigurisht duke marrë edhe pëlqimin e drejtorit të këtij teatri.

Dhe drejtori ishte, pikërisht, zoti Karlo Bruni. Dhe pyetja ime është: ç’kërkon ky person në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë?! (Fatkeqësisht nuk mund ta quaj regjisor). Si përfundoi këtu ky person? Mbi ç’kritere? Pasi, me sa di unë, Teatri Kombëtar duhet të ketë një bord që aprovon apo rrëzon një projekt. Nuk jam i bindur në ka funksionuar në këtë rast. Kush mund të më thotë si konkurrohet për një projekt në këtë teatër, pasi unë, sinqerisht nuk e di? Një herë që mora guximin për të shkuar në një zyrë, me një projekt konkret, m’u tha që do të ishte më mirë sikur të kisha një pjesë të një autori shqiptar. Por unë nuk kisha autor shqiptar.

Kisha një të huaj dhe shumë dinjitoz, madje, por personi të cilin takova, as më pyeti se ç’kisha… Pastaj pyes lart e poshtë kolegët që punojnë në teatër, apo ata që kanë “kapur” ndonjë projekt (ky është zhargoni që përdoret, a thua sikur ia ke hedhur dikujt) dhe më thonë që duhet të kisha njohjet e duhura me këtë dhe me atë person konkret. Ata pastaj e zgjidhin kollaj këtë punë. Por as këto njohje nuk i kam kaq të konsoliduara. Pastaj, vras mendjen pse duhet të jetë kështu? Unë përmbush ca kritere të tjera, besoj, me gjithë dyshimet që mund të kem në vete… Nejse. Bëj edhe një çapitje të fundit për t’u infiltruar brenda këtij sistemi kaq kompleks.

Hap një faqe të internetit, por shoh që ka që në janar që nuk azhornohet dhe nuk gjej absolutisht asnjë aplikim online. Mos flas pastaj për ndonjë emër konkret të stafit, apo të bordit. Apo të ndonjë mënyre për të hyrë e për të parë ndonjë foto të Teatrit brenda a jashtë. Këtu nuk po diskutoj fare shitjet e biletave online… Pastaj shfletoj ndonjë gazetë se mos ka ndonjë “njoftim”. Hiç. Pastaj ndez televizorin, por edhe aty s’ka gjë. Menjëherë një mendje e ligë më thotë që marrja e regjisorëve bëhet pa kriter (këtu flas edhe për regjisorë shqiptarë), duke ulur ndjeshëm nivelin e shfaqjeve. Nga gjithë këto që thashë më sipër del se personi që ka ardhur për të vënë shfaqje në Teatrin Kombëtar nuk ka asnjë faj. Faji qëndron diku tjetër. Tek ata që e kanë ftuar këtu. Nuk jam kundër marrjes të regjisorëve nga jashtë, por të regjisorëve, ama. Në 2008-n erdhi një regjisor francez, i cili vuri në TK një shfaqje që ngjalli në një farë mënyre debat. Por jo kjo, “Dashuri e hidhur”. Kjo na hidhëroi pa masë.

Nuk jam përgjithësues me shfaqjet e teatrit. Pa dyshim që ka pasur edhe premiera shumë të mira. Dhe këtë e ka treguar spektatori.
Dikush mund të pyesë: Çfarë kishte kaq të keqe kjo shfaqje? Unë nuk dua fare të merrem me këtë shfaqje. Refuzoj, pasi nuk ishte shfaqje. Nuk ishte as spektakël, siç u pretendua në ndonjë rast. Nuk kishte as dramaturgji, as fabul, as veprim, as mendim, as dialog, as tekst, as nëntekst, as intrigë, as suspancë, as ritëm, as temp, as emocion, as regji, as koreografi, as muzikë… nuk kishte asgjë. Ose më saktë, ishte vetë asgjëja. Vjen një person nga jashtë dhe na bën një asgjë të madhe, a thua se nuk shkojmë dot në një sallë bosh të teatrit e të shohim asgjënë që na serviret e ndoshta të kënaqemi më shumë me heshtjen që na ofron skena dhe salla e boshatisur.
Personi që vuri në skenë këtë pjesë, të falënderojë pa masë publikun shqiptar që është aq i civilizuar, sa duron një orë e gjysmë dhe nuk çohet nga kolltuku dhe ta braktisë sallën fare. Dhe jo të braktisë këtë shfaqje, por nga degustimi, të mos vijë për nja dy vjet me radhë. (Ky nuk është sugjerim, gjithsesi). Të falënderojë madje edhe komunitetin teatror që duron të tilla ngjarje teatrore pa reaguar. Madje, disa edhe e kanë lëvduar për një lloj tjetër teatri. Të një teatri që ne akoma nuk e njohim, të një teatri të ri që gjoja në Europë qenka shumë i përhapur. Absolutisht që është shumë i përhapur… në nivel amator. Nuk mund të pretendohet që një teatër dinjitoz i Europës, e aq më tepër kombëtar, të vërë në skenë një shfaqje si “Dashuri e hidhur”. Nuk ndodh. Nuk mund të ndodhë.

Teatri i fjalës, i mendimit, i logjikës, i fabulës, i filozofisë dhe i veprimit, nuk ka për të dalë kurrë nga moda. Pasi nuk ka modë. Ka eksperimente që ngjiten në skenë, por mirëfilli në skenë ndodh vetëm teatri. Prandaj “Dashurinë e hidhur” nuk e konsideroj shfaqje teatrore, por një eksperiment të lodhur, të padenjë për skenën ku është ngjitur.

Në gjithë sa thashë më lart, dua të distancoj aktorët që morën pjesë në këtë eksperiment. Këtë nuk e them për të larë duart, apo nga ndonjë frikë nga ndonjë përballje, por me disa prej tyre kam punuar vetë dhe i njoh potencialet e tyre të padiskutueshme. Aktorë të përmasave. Aktorët, madje, i shoh në një pozitë shumë të vështirë. Pasi ata janë në punë, por edhe shohin nivelin në të cilin i ka futur personi që ka bërë një eksperiment në Teatrin Kombëtar.

Besoj që nuk është mënyra më e mirë për të shpenzuar paratë e taksapaguesve. “Dashuria e hidhur” më hidhëroi pa masë.