Dashuria është vetë jeta

Nga Dorjan
Shkruar ne 10 Pri 2012 ora 6:30pm

Nëse do të përmendet emrin i Ardian Trebickës, menjëherë mendja të shkon te këngët e ngrohta të dashurisë. Me një zë të ngrohtë dhe shumë të veçantë, ai është personifikuar si këngëtari i zemrave.

Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, të cilën Portali Albeu do ta botojë me shkurtime, Ardian Trebicka, ndan me lexuesit një pjesë nga kujtimet, përditshmërinë dhe projektet e tij më të fundit.

- Ju tashmë jeni një emër shumë i njohur në muzikë, por cilat janë kujtimet tuaja të para që ju lidhin me muzikën?

- Fillesat e mia në këngë janë shumë të hershme, dhe mund të them se kënga ka qenë pjesë e pandarë e fëmijërisë sime. Mbaj mend që në shtëpi dëgjoja dhe këndoja këngë korçare, pasi edhe origjina e babait tim është nga Korça… por çuditërisht kënga e parë në ambiente jashtë shtëpisë sime ishte “Tundu moj Beke”, të cilën ma mësoi tezja ime. Jam aktivizuar që në klasën e parë fillore dhe që atëherë kënga dhe unë jemi bërë të pandarë.

- Kur vendosët që t’i përkushtoheni përfundimisht këngës?

- Mbase në atë kohë unë kam qenë paksa i vogël për të vendosur dhe kanë qenë prindërit e mi që vendosën, kuptohet edhe me pëlqimin tim, që unë të vazhdoja Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Kantos, si tenor. Pikërisht në këtë periudhë, në një mënyrë kuptova se e ardhmja ime do të ishte kënga dhe them se prindërit e mi nuk gabuan, ndaj u jam përjetë mirënjohës.

- Si po shkon albumi juaj i fundit?

- Albumi im i ri “Kthim”, me gjithë vështirësitë që ka tregu muzikor sot, them se po shkon shumë mirë. Besoj që dhe ky album për pak kohë, ka zënë vendin e tij mes katër albumeve paraardhës, për vetë specifikat e tij të veçanta që ka.

Pothuaj çdo ditë e më tepër ma konfirmojnë këtë artdashësit e këngës sime, të cilët i falënderoj dhe u jam shumë mirënjohës, gjë e cila më bën të mos rresht se publikuari dhe më vonë edhe albume të tjerë, pra janë burim frymëzimi për mua.

Më lejoni që në këtë intervistë të falënderoj dy bashkëpunëtorët e mi, të cilët për mua janë një pjesë e padiskutueshme e suksesit, kompozitorin Ilirjan Mihali dhe poetin Armand Trebicka.

- Jeni cilësuar si këngëtari i zemrave, çfarë do të thotë kjo për ju?

- Repertori im i dedikohet tërësisht dashurisë, kësaj teme kaq universale. Unë personalisht ndihem shumë mirë dhe jam vetvetja. Ka shumë rëndësi të jesh i vërtetë dhe i sinqertë për çka këndon.

Kur i këndon dashurisë ndihesh fitimtar dhe humbës, dashuria është vetë jeta, pa të gjithçka vdes, prandaj dhe unë i këndoj asaj. Besoj se kjo është arsyeja që më kanë cilësuar kështu, dhe sigurisht që më vjen shumë mirë për këtë.