Dëgjon zërin e të dashurës, qan në koma

Nga Dorjan
Shkruar ne 08 Qer 2012 ora 7:46pm

Angli – Matthew Taylor është një mësues 31 vjeçar që u dëmtua rëndë në një aksident me motor në Bali, Indonezi, në korrik të 2011-ës.

Mjekët e kishin paralajmëruan familjen e tij se 31 vjeçari kishte shumë gjasa që të mos zgjohej kurrë nga koma, por pas pothuajse një viti pa dhënë asnjë shenjë jete, sot ai ka dhënë shenjat e para: ka nisur të qajë teksa ka dëgjuar zërin e Anda Nurul, njeriut të tij të zemrës që prej tre vitesh.

 

27 vjeçarja e kishte shoqëruar Taylorin në Britani, atje ku ai u transferua për të marrë trajtim më të specializuar, pasi familja e tij pagoi 100 mijë sterlina për transportin dhe kurimin. Por mbas kësaj ajo u detyrua të rikthehej në vendin e saj, pasi viza për leje qëndrim i skadoi. Si rrjedhojë, Nurul e pa veten të detyruar që vizitat e saj të përditshme t’i shndërronte në “monologje” të gjata telefonike nga Indonezia.

 

Por sot, mbas 10 muajsh në gjendje kome, më në fund ky komunikim dha shenjat e para pozitive, pasi Taylor ka filluar të qajë, një shenjë e qartë që truri i tij është në gjendje të përpunojë të gjithë informacionin që i vjen. Sipas mjekëve tashmë mund të shpresohet për një zgjim të afërt të tij.