DEKOMUNISTIZIMI I PENGUAR

Nga Dorjan
Shkruar ne 21 Pri 2012 ora 4:41pm

Kur Kryeministri lituanes, Landsbergis, shprehej në vitet ‘90 se “komunizmi vdiq, por askush nuk ia ka parë kufomën”, duke deklamuar kështu rrezikun e një rikthimi të kobshëm, të paktë ishin ata që në Shqipëri dhe përtej saj besonin se rënia e komunizmit nuk ishte definitive dhe se rikthimi në gjirin e asaj që kishin ëndërruar breza të tërë, Europës, do të ishte kaq i largët dhe kaq i gjatë.
Specifikisht, zgjatja e këtij procesi është evidente te ne, ku faktorët objektivë ndërthuren dukshëm me ata subjektivë, të cilët shpesh për nga roli dhe pesha, janë shfaqur si dominantë dhe përcaktues. Jo më kot, në mentalitetin politik-publik si dhe në ligjërimin e pastër politik, ajo që sot tregohet si fajtore është pikërisht klasa politike, ose e përkthyer në terma konkretë, është qëndrimi agresiv që e majta ka mbajtur dhe mban ndaj këtij procesi.
Ky qëndrim nuk është as i ri dhe as situativ, pasi rrënjët e tij gjenden thellë dhe janë të lidhura ngushtë me atë proces asnjëherë të përfunduar të menaxhimit të trashëgimisë të së kaluarës komuniste, debati dhe përpjekjet mbi të cilin përgjatë këtij 20-vjeçari kanë njohur uljet dhe ngritjet e veta.
Kur elita opozitare erdhi në pushtet në vitin 1992, në mënyrë legjitime, pas një revolucioni pothuaj “të kadifenjtë”, brenda vetë asaj si dhe në ambientin shoqëror sundonte një ndjenjë e fortë optimizmi për të ardhmen dhe ndjenjë uniteti, të cilat u amplifikuan dhe nga fryma fisnike, pikërisht e atyre që për dekada të tëra kishin përballuar kalvaret e shkaktuara nga një regjim mbytës dhe barbar. Mjedisi i ri demokratik, intuitivisht iu kundërvu me kujdes ideve të revanshit dhe të hakmarrjes.
Në këto momente, ku pasojat e dhunës politike përndjekëse ishin bërë publike, imediate nuk ishte radikalizimi i situatës më shumë se kapërcimi i vështirësive ekonomike, të lëna si pasoja të pashlyeshme nga një drejtim i papërgjegjshëm dhe krejtësisht i centralizuar. Jo më kot shprehja “të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë fajtorë”, konotacioni i së cilës ishte tepër i dyshimtë, u bë slogan i rëndomtë i kohës.
Ndërkohë dhe e djathta e moderuar, që mori bindshëm frenat e pushtetit, pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes, ndjehej moralisht e lidhur ngushtë me karakterin pacifik të ndryshimit.
Kjo gjeneratë e drejtuesve të rinj, e simbolizuar nga Sali Berisha në Shqipëri, Vaclav Havel në Çeki, Lech Valesa dhe Tadeusz Mazoviecki në Poloni, Jelio Jelev në Bullgari dhe Arpad Goncz në Hungari, tentuan që këtë trashëgimi të së kaluarës ta likuidonin përgjatë një rrugëtimi procesesh radikale të reformave strukturale. Kjo është dhe periudha kur Shqipëria njohu dhe reformat e saj më të thella, politike, juridike, pronësore, ekonomike, të cilat i hapën rrugën një procesi real dekomunistizimi pa kthim. Nga ana tjetër, dukej atëherë krejtësisht e pamundur që partitë komuniste, sikurse Partia e Punës, plotësisht të diskredituara në publik, të mund të rigjenin një influencë të vërtetë sociale.
Pavarësisht kësaj, në Shqipëri u konkretizua, me iniciativën e Presidentit të kohës, një kuadër i tërësishëm ligjor, i cili krijonte kushtet dhe mjetet për rehabilitimin e plotë social dhe ekonomik të të gjitha atyre shtresave, grupeve dhe individëve që kishin vuajtur represionet, përndjekjet, burgosjet dhe vrasjet.
Përpos kësaj, paralelisht me këto, u tentua vënia para drejtësisë e autorëve më pikantë të krimit të institucionalizuar dhe të gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve. Këto forma radikale, megjithëse domethënëse, rezultuan të paplota. Megjithatë, vlera e tyre qëndronte në faktin se ato dëshmonin një vullnet të hapur për të çrrënjosur të kaluarën dhe një tentativë për të ndarë atë që dukej e pandashme, pikërisht “të mirët” nga “të këqijtë”. Kjo fazë e re e dekomunistizimit dëshmonte kërkesën për të avancuar në iniciativa më të thella, të cilat duhet të preknin zbulimin e thellë të individëve që ishin përgjegjës të drejtpërdrejtë të krimeve të faktuara dhe të zbuluara.
Ndërkohë, kjo pjesë e errët e shoqërisë kishte nxituar të vishte koracën e politikës me qëllim përshtatjen dhe ishte turrur të krijonte vatrat e biznesit, të favorizuar nga lidhjet ekstra në Shqipëri, në ekonominë e tregut, me qëllim inkubacionin e dëshirës për rikthim triumfues, pavarësisht tentativës për t’i penguar me një Komision Verifikimi të ngritur në vitin 1996.
Të shpërndarë në parti të vogla, të përqendruar tek e ripagëzuara si Parti Socialiste, të katapultuar me urdhra të vjetër dhe brenda forcave të reja demokratike, këto reparte mbollën rrënjët e tyre duke rritur influencën, pikërisht ndërmjet të tjerave, për të penguar dhe ngadalësuar ose sfumuar procesin e sipërpërmendur të dekomunistizimit.
Rikthimi i pastër komunist në 1997-n, pavarësisht tymit të shumtë të shpërndarë të interpretimeve, e frenoi plotësisht këtë proces kaq të rëndësishëm të purifikimit të shoqërisë dhe të mentalitetit dhe përkohësisht xhelati u bë viktimë dhe u dëmshpërblye për krimet e tij. Jo më kot gjatë ‘97-s, objekt i sulmit e djegieve ishin ato institucione ku kishte ose mendohej se kishte dosje të ish-Sigurimit.
Ndërkohë që vendet e tjera avancuan dukshëm, duke ndjerë rrezikun e cituar më sipër, në forma ligjore dhe konkrete, në vendin tonë, një pjesë e rëndësishme e politikës duket se ra në duart e kastave të vjetra, me pamje të reja.
Ndërsa në Gjermani (Lindore), Çeki, Bullgari, Rumani etj., u bë një lloj transparence e dosjeve dhe shumë nivele të atyre që me dëshirë e vullnet kishin marrë pjesë në përndjekje e krime, u përjashtuan me ligj nga angazhimet publike, politike e administrative, në Shqipëri kjo kastë e përlyer me regjimin e së kaluarës nëpërmjet një simbioze politiko-ekonomike njohu lulëzimin e saj më të plotë përgjatë viteve 1997-2005, duke tentuar të zhdukë nga fjalori dhe termat rrezik komunist dhe dekomunistizim, pavarësisht rezistencës të paprecedent të PD dhe opozitës demokratike.
Riardhja e PD në pushtet në vitin 2005 riktheu procesin e shkundjes së shoqërisë shqiptare nga mbartjet e së kaluarës dhe instaloi një dinamikë të re në procesin e dekomunistizimit, si një aspekt i rëndësishëm i fitimit të kohës së humbur dhe i kapjes së të ardhmes optimiste, si në qasjen radikalo-reformatore, ashtu dhe në atë konkrete-ligjore. Jo më kot, në këtë drejtim, u avancua në anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut dhe në përshpejtimin e hyrjes përfundimtare në Europë, sikurse u tentua formatimi i ligjeve që bënin të mundur rivlerësimin e martirëve të komunizmit dhe transparencën publike të atyre që ishin bashkëpunëtorë në krime.
Hartimi i ligjit të lustracionit dëshmoi bindjen e demokratëve për ta çuar procesin e dekomunistizimit deri në fund dhe tregoi që kjo fazë e re e këtij procesi kërkonte dhe insistime të reja. Kundërshtimet e forta dhe brenda logjikës së dominimit të saj nga kastat ish-Sigurim, të opozitës së majtë, për këtë ligj si dhe për iniciativa të tjera të ngjashme me këtë ligj, ishin preludi i angazhimit të saj për të penguar me çdo kusht çdo sukses europian shqiptar.
Tentativat e saj të vazhdueshme dëshmojnë saktë se kufoma e dyshuar e Lindsbergis ka gjetur trupëzimin e kërkuar te mentaliteti i vjetër i drejtuesve të rinj që më shumë se pasionantë, idealistë politikë, janë bërës të detyrave të vjetra që tutorët e dikurshëm ia kanë lënë me shënim, ndërmjet të cilave, zgjatja dhe pengimi europianizues është primar.
Pamja e mjeruar e përfaqësuesve të saj tek shfaqen të shqetësuar për ata njerëz që komunizmi, alias paraardhësit e tyre, i rrëmbyen çdo gjë të vyer e të bukur është fiksuar te të gjithë si tipari më ekzistent i kufomës-hipokrizia e paraqitjes.
Dhe kjo na tregon saktë se nevoja për dekomunistizim mbetet kërkesë permanente, gjithmonë brenda një përpjekjeje reformatore dhe ligjore gjithëpërfshirëse.