DËNOHET 10 VJET BURG, MODIFIKOI MAKINËN PËR FSHEHJEN E HASHASHIT

Nga Dorjan
Shkruar ne 10 Apr 2012 ora 1:49pm

Pronari i servisit, i tradhtuar nga një gjurme gishti, dënohet 10 vjet burg për fshehjen e drogës. Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë iu deshën gjashtë seanca gjyqësore për t’u bindur se Guxim Duraku është autori i modifikimit të makinës, ku policia gjeti dhe sekuestroi mbrëmjen e 17 Marsit 2011, në pikë kalimin kufitar të Portit të Durrësit, sasinë prej 55 kg hashash. Për këtë veprim xhenerik, pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Luan Hasneziri, vendosi që ta dënojë biznesmenin Duraku me 10 vjet heqje lirie. Sipas vendimit, Duraku kundrejt shpërblimit financiar, kishte modifikuar makinën e shtetasit Gentian Turja (rezident në Angli, tashmë i dënuar), për të fshehur hashashin që emigranti do t’a trafikonte drejt vendit ku jetonte prej vitesh.

“Në përfundim të hetimit gjyqësor, është provuar se i pandehuri Guxim Duraku, pronar i një servisi makinash dhe tregtar i pjesëve dhe makinave të përdorura, me kërkesë të Gentian Turjës kishte pranuar të bënte disa modifikime në pjesën e prapakoplpit dhe sedijes së pasme të makinës së tipit “Nissan” me targa angleze “WKK 425”. Ai me anë të saldimit, kishte vendosur një llamarinë plus, duke ndërtuar në formë xhepi një hapësirë ku edhe vendosej goma rezervë e makinës. Pas modifikimit, Turja e kishte ngarkuar këtë vend me 55 kg hashash dhe më 17 Mars 2011, aty rreth orës 22:00 ka tentuar të hipë në tragetin e linjës Durrës-Bari, ku më pas do të drejtohej për në Angli, ku ishte edhe rezident prej vitesh. Por, gjatë kontrollit të policisë, është konstatuar modifikimi i makinës ku edhe janë gjetur e sekuestruar sasia prej 55 kg hashash”-thuhet ndër të tjera në vendim.

Pas arrestimit emigranti Turja nuk kishte pranuar të tregonte vendin ku e kishte blerë hashashin dhe bashkëpunëtorët e tij Për këtë krim, Turja u dënua me 10 vjet burg, por, falë aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuaj përfundimisht 6 vjet e 4 muaj heqje lirie. “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është fiksuar një gjurmë gishti, që nga verifikimi i kryer ka rezultuar se ishte i shtetasit 48 vjeçari Guxim Duraku. Pas identifikimit të kësaj gjurme, është bërë arrestimi i 48 vjeçarit më 17 Qershor 2011, të cilit i janë sekuestruar edhe 9 aparat telefonik, ku me tre prej tyre “modifikuesi” kishte komunikuar me transportuesin Turja”-thuhej në vendim. Vetë biznesmeni Duraku, ka mohuar krimin e kryer, duke pretenduar se me kërkesë të Turjës, kishte bërë disa punime në ferrotat e makinës së tipit “Nissan”.

Por, sipas prokurorit Behar Dibra, pretendimet e 48 vjeçarit nuk qëndronin, pasi veprimi i tij lidhet edhe me komunikimin telefonik. Nga ana tjetër, prokuroria kishte arritur të provojë, se Turja kishte hyrë në Shqipëri më datë 4 Mars 2011 me makinën e tij dhe pak ditë më pas ishte nisur drejt Gjirokastrës, ku me shumën prej 20 mijë e 500 paund kishte blerë sasinë prej 55 kg hashash. Këtë sasi, sipas Turjës, do e dërgonte në Angli ku do e shiste tek disa persona me vlerë 60 mijë paund. Por, ajo që bie në sy, është fakti se biznesmeni Duraku, gjatë kohës që ishte nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, konkretisht më 11 Maj 2011 ishte shpallur fitues i ankandit të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Rezervave Materiale të Shtetit në Tiranë, për blerjen e pesë automjeteve të konfiskuara. Gjithashtu, po nga Agjencia e Prokurimeve Publike, provohet se i pandehuri Duraku ka fituar edhe një ankand të tillë për makinat e kategorizuara për skrap në Dhjetor të 2009.