Dhimbja për vdekjen e djalit, 67-vjeçari tenton të vetëdigjet me benzinë.

Nga Dinejda
Shkruar ne 09 Maj 2012 ora 10:25am

VLORE – Dhimbja për vdekjen e të birit ka shtyrë drejt tentativës për vetëvrasje një 67-vjeçar në qytetin e Vlorës.

Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se Shezai Skëndo u pikas nga kalimtarë të rastit mëngjesin e sotëm, teksa tentonte të vetëdigjej, në lagjen ‘Skelë’ të Vlorës.

Mësohet se 67-vjeçari u gjet, në gjendje depresive, me dy shishe benzinë në dorë, në përpjekje për t’i vënë flakën vetes. 

Policia mbërriti në vendngjarje dhe pas 30 minutash arriti të bindte 67-vjeçarin të mos e kryente aktin e vetëvrasjes. Ngjarja shkaktoi panik tek kalimtarët dhe banorët e zonës.

Burime nga policia bënë të ditur se 67-vjeçari vuante nga depresioni, që prej vdekjes së të birit, pak kohë më parë në spital.