Dhuna në stadium, Sula: Dorëzoj mandatin nëse vërtetohen akuzat.

Nga Dinejda
Shkruar ne 07 Maj 2012 ora 11:24am

TIRANE - Deputeti demokrat, Dashnor Sula e ka cilësuar dje si të pavërtetë lajmin se ai ka qëlluar me armë në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari. Sipas tij “në stadium ka patur zhurma për shkak të fishekzjarrëve por nuk ka patur armë apo krisma”. Sula deklaroi se “jam i gatshëm të dorëzoj mandatin e deputetit në rast se provohet se kam ushtruar qoftë edhe presionin më të vogël ndaj arbitrave apo lojtarëve”.

Ndërkohë ai akuzoi opozitën se “po përdor lajme të pavërteta për të minuar mbështetjen që unë gëzoj në zonën e Peqinit”. 

Një ditë më parë sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani deklaroi se kishte marrë informacion nga gjashtë zyrtarë të ndeshjes se deputeti Sula kishte qëlluar me armë në stadium. Por ky lajm u hodh poshtë nga policia.