DOKUMENTI, BE E BËN KOSOVËN ME DET

Nga Dorjan
Shkruar ne 11 Maj 2012 ora 5:34pm

Bashkimi Evropian rregullisht kundërshton ndryshimin e kufijve të Kosovës, mirëpo në një nga dokumentet zyrtare të saj evropianët thuaja se paraqesin Kosovën me dalje në det. Në faqen 30 të dokumentit, i cili në vjeshtë të këtij viti do vlerësojë progresin e Kosovës, i siguruar nga nga gazeta “Zëri”, te pjesa e titulluar “Pyetje specifike për forma individuale të transportit”, Brukseli kërkon të dijë nëse “ka ndonjë aktivitet në lidhje me transportin detar në Kosovë”?

Territori i Kosovës në të gjitha anët e saj rrethohet me shtete të tjera – Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, pa qasje në det. Deti më i afërt për Kosovën është ai Adriatik, në të cilin Kosova ka dalje nëse kalon në territorin e dy fqinjëve, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Gazeta mëson jozyrtarisht se sqarimi më logjik është që Komisioni Evropian në Bruksel, as që është munduar shumë për të hartuar këtë dokument, i cili ka rëndësi të madhe për procesin e integrimit të Kosovës, pasi mund t’i hapë rrugë Marrëveshjes për Stabilizim Asocim.

Këshilli i BE-së në mars kishte vendosur që Komisioni Evropian ta nisë zyrtarisht studimin e fizibilitetit për Kosovën, studim ky që po doli të jetë pozitiv, pasi hap rrugën për negocimin e marrëveshjes eventuale të stabilizim asociimit.

Para kësaj, Këshilli i BE së i kishte dhënë dritën jeshile edhe një projekti tjetër për Kosovën, që është jashtë procesit integrues, atij të liberalizimit të vizave apo mundësia që kosovarët të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës shengen. Mirëpo, derisa për këtë të fundit dokumenti me kushte që disa muaj ende nuk i është dorëzuar Prishtinës, Brukseli nuk është vonuar shumë me dërgimin e kushteve për studimin e fizibilitetit.