Drejt miratimit ligji për lirimin e qindra të burgosurve në Greqi, ja cilët përfitojnë

Nga Dorjan
Shkruar ne 26 Mar 2012 ora 4:04pm

Rreth 1.500 persona do të përfitojnë nga masat që synojnë të lehtësojnë mbipopullimin e burgjeve greke, pasi të miratohen dispozitat e paraqitura nga ministri i drejtsisë, Miltiadhis Papajoanu.

Dispozitat, që përfshihen në projektligjin për luftimin e racizmit dhe ksenofobisë, parashikojnë një “frymëmarrje” për burgjet greke, që kanë një kapacitet prej 9.700 vendesh, por aktualisht në to ndodhen 12.586 të burgosur, nga të cilët 7.000 (ose 57,4%), janë shtetas të huaj, raporton agjencia greke e lajmeve AMNA.

Masat lehtësuese nuk mund të zbatohen për persona që vuajnë dënime me akuza për vepra të rënda penale si abuzim të fondeve publike, evazion fiskal, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe terroriste, grabitje me armë, rrëbim personi, mashtrim të miturish, trafik qeniesh njerëore, etj.

Masat favorizuese do të zbatohen për dy kategori: për ata që vuajnë dënimin dhe për ata që ndodhen në proces gjykimi për akuza që lidhen me vepra të lehta penale.

Sa i përket kategorisë së parë, (të burgosurve), personat që vuajnë dënime më të ulëta nga dhjetë (10) vjet, lirohen nga burgu si më poshtë:
1) Nëse dënimi është deri në tre vjet, lirohen pasi të kenë kryer 1/10 e dënimit.
2) Për dënime nga 3 deri në 5 vjet, pasi të jetë kryer 1/5 e dënimit.
3) Për dënime më të larta se 5 vjet dhe deri në 10 vjet, pasi të kenë kryer 1/3 e dënimit.

Sa i përket kategortisë së dytë, dënimet deri në një vit parashkruhen, masa e burgimit shndërrohet në vlerë monetare, ndërsa parashkruhet ndëshkimi penal për kundravajtjet dhe shkeljet.

Nga viti 1998 deri më sot, sa kapaciteti i burgjeve greke, edhe numri i të burgosurve është dyfishuar. Nëse në 1998 burgjet kishin kapacitet për 4.332 të burgosur dhe numri i të burgosurve ishte 6.150 sot ka 9.223 vende dhe numri i të burgosurve ka arritur në 12.586.