Dritani: Asnjë nga banorët nuk i meriton 100 milionët

Nga Dinejda
Shkruar ne 15 Maj 2012 ora 6:59pm

Me votat e publikut, Dritani ka lënë shtëpinë e “Big Brother” mbrëmjen e së shtunës. Në një gjykim të tijin për banorët e mbetur në garë, ai thotë se asnjë nuk e meriton fitoren, sepse, sipas tij, nuk kanë dhënë aq sa duhet për një “reality show” të tillë.

Ermali nuk është burrë, nuk di ta respektojë femrën”

Tani e ka përfunduar aventurën e tij në “Big Brother”, edhe pse u mundua që të ndryshonte situatat në shtëpi. Ai mendon se u penalizua nga fakti që hyri vonë në lojë. Qëllimi i tij ishte të përçante grupet e krijuara dhe këtë e nisi me Gracianon, por nuk e arriti dot. Liamin e sheh si konkurrentin më të fortë brenda shtëpisë, ndërkohë që ka një antipati të hapur për Ermalin. Angazhimi i tij në vazhdim do të jetë lokali në Tiranë, ku është aksioner.

Keni vetëm pak orë jashtë shtëpisë. Jeni i mërzitur nga eliminimi i së shtunës?

I mërzitur po, prisja të shkoja deri në gjysmëfinale, sepse kishte të tjerë që po rrinin të stepur apo që nuk e dinin as ku ishin, si Erioni, Françeska, Genta, Arbri apo edhe Ermali që fshihet pas Françeskës. Të dy bëjnë lojë tërhiqe mos e këput. Java ka 7 ditë, dhe të gjithë këta e bëjnë me radhë se kush do të jetë kapiteni.

Ju jeni akuzuar vazhdimisht se nuk u pozicionuat brenda shtëpisë. Cila ishte loja juaj?

E them dhe do ta rithem që pozicionimin tim e kam pasur me Gracianon për dy javë rresht. Gjithçka u prish kur Graciano dëgjoi fjalën “thikë pas shpine” nga klipi i dhomës së rrëfimit, të cilën nuk e kam thënë me tendencë e as për të fyer Gracianon, por po sqaroja faktin se kur të ishim afër finales ne mund të përballeshim edhe bashkë. Ai i besoi fjalës dhe banorët e shfrytëzuan këtë moment, sepse kishin dy javë që po tentonin të na përçanin. Graciano u takua me Olën, vazhdoi me të dhe unë nuk kisha kohë të prisja. Ndenja me Ermalin, Françeskën, Erionin, diskutoja me ta, pastaj u afrova me Gerin, Liamin e Arbrin, po gërmoja diçka te të dyja grupet, por m’u dukën më të saktë e më të pjekur ata te grupi i Liamit, nëse mund t’i quajmë grup.

E ndiet veten pjesë e këtij grupi?

Luftoja për veten time, përderisa edhe vetë Liami luftonte për fitoren e tij. Nuk ishte e thënë që çdo gjë që do të më thoshin mua t’ia përcillja Liamit, sepse i binte që unë të punoja për të. Ai e ka shprehur hapur se do të luftojë për fitore dhe bravo i qoftë, kurse të tjerët luftojnë për famë, gazeta, bukuri, revista, gënjehen me 200 lekësha. Edhe unë e doja fitoren, por më penalizoi hyrja me vonesë. Banorët të suleshin në shtëpi për cigare, imagjino se çfarë mund të bënin për 100 milionë lekë.

Nëse nuk do të kishte ndodhur përçarja me Gracianon, cili ishte qëllimi juaj?

Nuk do t’i kisha lënë rehat, do t’i kisha përçarë të dyja grupet. Do të kurseja vetëm Liamin, sepse kam pasur respekt që në fillim kur hyra. E shihja që kishte bagazh e dinte të luante, kurse Ermali është i dobët. Ai është për turp, me atë nivel të ulët, me atë indiferentizëm që ka duke ndenjur te cepi që t’i shkojnë banorët!

Keni një lloj antipatie ndaj Ermalit, pse?

Nuk e kam dëgjuar akoma se çfarë ka thënë ai për mua, por unë ia kam shpjeguar të gjitha ato që kam pasur për të. Kam biseduar edhe me Françeskën, pasi kur ajo thoshte se nominonte më të dobëtit, atëherë kishte në krahun e saj një më të dobët se unë, sepse Ermali nuk di të respektojë një femër. Ai nuk e mbronte atë, nuk është mashkull, nuk është burrë.

E shihni lidhjen e tyre për lojë?

Edhe vetë Françeska e di që është lojë dhe ka luhatje të shpeshta. Të dy ia kanë frikën njëri-tjetrit. Ermali di vetëm të frenohet, por nuk ka një çift që të shkojë gjatë duke bërë të tillë lojë, tashmë bajate. Edhe nominimi që i bëri Françeskës ishte fals, as ai vetë nuk e di pse e bëri.

Kë shihni si fitues?

Nga të gjithë banorët që janë brenda nuk shoh asnjë, sepse duhet të japësh shumë për të fituar çmimin e madh prej 100 milionë lekësh në një “reality show” si “Big Brother”. Unë nuk do ia jepja asnjërit, por në këto kushte po them për Liamin.

Nëse do i fitonit, çfarë do të bënit me 100 milionët?

Do blija një shtëpi në Tiranë dhe kisha dëshirë që me disa prej lekëve të kisha një kanile për qentë diku jashtë Tirane, ku njerëzit të merrnin, të dhuronin qen. Një mënyrë jo për të fituar, por thjesht për ta pasur.

Cili do të jetë angazhimi juaj tani?

Angazhimi është të merrem me lokalin ku jam aksioner në Tiranë, nuk kam ndonjë plan tjetër. “Big Brother” ishte një kënaqësi, familjarët e mi ndihen mirë, por mbaroi.

 

Opinione

Ermali: Djalë që mendon se ka karakter, do të bëjë dhe të fortin dhe të zgjuarin, po nuk i bën dot të dyja.

Françeska: Nuk ke çfarë të thuash, njësoj si emri i saj. Çuditem si më qortonte mua për lojën, kur vetë nuk ka bërë ndonjë gjë.

Erioni: U mundova ta zgjoja nga gjumi, por sa çohej nga krevati më flinte te pishina. U bënte fresk banorëve.

Genta: Më pëlqente, diskutoje, bisedoje, por nuk e shoh si konkurrente. Nuk ishte për lojë në momentin që mendonte se kishte të tjerë më lart se veten.

Arbri: Flet shumë, por nuk vepron. Ai pret të shtunën që të shfaqet. Është i vogël, por si zhapik.

Liami: Është vërtet një lojtar që u nxjerr telat banorëve, si çiftit ashtu edhe vetë Arbrit. Arbri mendon se përballet me Liamin, por nuk ia del dot.