Duhani: Ligji që nuk u zbatua asnjëherë

Nga Reporter
Shkruar ne 07 Gus 2012 ora 6:04pm

Duke ecur në rrugët e Tiranës, arrin të dallosh shumë lehtë një numër gjithmonë e në rritje të lokaleve. Madje, edhe nëpër rrugica të thjeshta e të “përhumbura” arrin të gjesh më shumë bare sesa hyrje pallatesh.
Shumë nga këto lokale i shpëtojnë edhe “syrit” të shtetit duke toleruar brenda ambienteve të tyre jo vetëm të rritur që konsumojnë duhan, por edhe moshën e adoleshentëve. Është ky ndoshta një nga shkaqet kryesore që sot ka një rritje të numrit të duhanpirësve adoleshentë, të cilët thonë se nuk mund ta pinë kafen pa e shoqëruar me një cigare.

Megjithëse ka një ligj që thotë qartë se ndalohet pirja e duhanit brenda ambienteve të mbyllura, ky ligj ka qenë më shumë fiktiv sesa real. Shteti ynë është karakterizuar vazhdimisht nga ligjet e rrepta, por për zbatimin e tyre nuk bën asgjë. Heshtja e organeve përkatëse për këtë fenomen bën që pirja e duhanit të rritet më tepër, madje edhe nga fëmijët në mosha shumë të vogla.

Një tjetër vend i cili e ka “legalizuar” tashmë pirjen e duhanit janë edhe shkollat 9-vjeçare  e gjimnazet. Edhe aty është rritur ndjeshëm pirja e duhanit dhe nuk është bërë asgjë deri më sot për ndaljen apo uljen e numrit të duhanpirësve edhe brenda këtyre institucioneve. Shteti duket se po e lejon në heshtje rritjen e këtij fenomeni. Asnjëherë nuk i është kushtuar vëmendje e veçantë kësaj dukurie dhe gjithmonë ka kaluar në heshtje.

Një  pjesë e fajit u takon edhe shitësve të këtyre produkteve, qofshin këta shitës nëpër dyqane apo edhe shitës ambulantë, të cilët i shesin cigaret pavarësisht moshës së klientit. Dikush mund të mendoj se shteti ka bërë mjaftueshëm për parandalimin e këtij fenomeni, por nëse shteti paska bërë mjaftueshëm atëherë kush është fajtor që numri i tyre është gjithmonë e më shumë në rritje?

Kjo tregon që kjo “sëmundje” nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga ana e institucioneve, qoftë për shkak neglizhence, qoftë për shkaqe të tjera. Por si mund të parandalohet kjo dukuri që rritet gjithmonë e më shumë? Një nga rrugët e parandalimit është pikërisht kontrolli i rreptë dhe gjobëvënia apo edhe heqja e licencës së të gjitha bareve, që i mirëpresin klientët e tyre duke i lejuar të konsumojnë duhan brenda ambienteve. Duhet të merren masa edhe në shkolla për parandalimin e rritjes së duhanpirjes brenda këtyre institucioneve. Këto janë vetëm fillimi i masave që duhen marrë për të parandaluar rritjen e numrit të duhanpirësve tek moshat e reja.

Nga: Erjon Doda