“E dashur nëna ime!”

Nga Edmond Prifti
Shkruar ne 29 Pri 2011 ora 3:54pm

Brenda qelisë së një të burgosuri

Sytë e tij “të egër” ngjyrë jeshile, lotuan… Shefja e klinikës, për pak sa s’po ngashërehej në lot teksa e dëgjonte. Po përpiqej me çdo kusht të fshihte atë që realisht ndjente, teksa i përgjigjej të dënuarit: “Po të kuptoj, të kuptoj… Por të lutem mos e lodh më veten me fjalët e të tjerëve, pasi ne jemi mjekë dhe s’mund të trajtojmë si kriminel. Edhe sikur mos kesh asnjë, ne të duam, pasi për ne je qenie njerëzore. Nuk ke pse të humbësh kësisoj tërë shpresat!.”

Polici i regjimit të brendshëm, teksa na shikonte përtej derës gjysmë të hapur bisedën tonë, rrudhi buzët në shenjë keqardhjeje për të dënuarin e qelisë numër dy. “Të lutem një amanet kam për ty! T’i telefonosh nënës sime të mplakur nga vitet dhe nga unë, të më falë që e mërzita duke e kthyer mbrapsht në Kërnajë, me lot ndër sy.

Nuk dija çfarë po thosha në ato çaste, madje i bërtita nga brenda qelisë, teksa i lutej policit që t’i pranoja ushqimin e sjellë prej larg… Të gjitha këto ja thashë përmes atij. Nëna ime mbahej fort pas hekurave të jashtme të burgut, në pritje për t’u futur dhe takuar. Nuk doja t’i shihja sytë e saj, por mi tregoi ai… Do dal nga greva e urisë por s’dua që ta marrin vesh këta. Po e bëj për veten time… Ahh”, – nxori një psherëtimë brenda vetes, teksa fshehu sytë, duke tërhequr pas vetes çarçafin me krahët e fuqishëm (të vetmet që i punonin) të lidhur fort si nyje pas fundit të krevatit.

Dikur ai kishte qenë një mashkull trup-madh, muskulor e hije rëndë, një ish i forcave speciale… E tashmë i pafuqishëm, me sytë pa jetë, me kolonë vertebrale të paralizuar krejtësisht dhe i gjendur pa asnjë shpresë. Ndërsa e ndihmuam të tërhiqte drejt vetes çarçafin e mbështjellë me duart si ganxha, u përkul mbi gjunjët që prej 9 vitesh nuk i ndjente më. Plaga e hapur në fund të kurrizit kishte lënë shenja mbi çarçafin e bardhë të krevatit. Më tej heq tutje batanijen duke kontrolluar kaviljet që kishin lënë njolla gjaku mbi plastiket statike që mbërthenin këmbët e tij. Në çast, nxori një psherëtimë, për të cilën ai mendoi se askush s’po e dëgjonte. Prej tre muajsh gjendej në atë krevat prej hekuri pa mundur të lëvizë, ndonëse përtej dritares me rrjetë teli të trashë dukej dielli që ndriçonte pjesën e brendshme të mjedisit të ajrimit. Nga gjashtë plumbat e marrë në trupin e tij, veçse një i vetëm ishte hequr. Tashmë, as nevojat personale s’mund t’i kryente më vetë, por ishin mjekët ata që i vendosnin kateterin. Televizori i dhomës s’hapej prej kohësh, pasi asgjë për të nuk kishte më rëndësi.

“Nuk i funksionojnë rruazat T3, T4… pra është tërësisht paraplegjik. E vërtetë ajo që po na thotë, pasi ka më shumë se tri muaj që s’ka dalë nga kjo qeli. S’mund ta ngrejë dot askush dhe ta ulë në karrigen me rrota për ta çuar në mjedisin e ajrimit si gjithë të tjerët. Një herë që u mundua një efektiv policie – ndonëse kjo s’është aspak puna e tyre – dhe i shpëtoi nga duart. Kësisoj këto enzima në brinjët e tij – të cilat edhe unë po i shoh për herë të parë – duhet të jenë shkaktuar pikërisht nga ajo rënie…”, – përgjigjet shefja e klinikës së burgut, ndërsa krahët e saj qenë mbushur me mornica. E ndërsa e lëmë në debatin e tij me doktoreshën për kushtet brenda asaj dhomëze 2×3, shfletojmë disa pjesë nga ditari i tij, i mbushur me pika: “12. …jam hapur plagë tash 40 ditë dhe jam mjekuarë 9 herë deri me sodë, nga mjekët, thjeshtë me ujë të higjenume dhe bedadinë (do mjekime specia). 13. Stafi këtu thotë e mashtro duke fshehurë shkallën e sëmundjes ku thotë që i ka të gjitha dhe s’ka asnjë problem…”. Ndërsa, më tej, i dënuari, të dorëzon dosjen e tij ngjyrë të kuqe, ku së shumti brenda saj janë dokumentet që e kanë shoqëruar atë nga spitali i Francës: Pika A (i bën të gjitha pa ndihmën e të tjerëve), pika B (i bën disa gjëra, por me ndihmë) pika C (Nuk bën dot asgjë pa ndihmën e të tjerëve). E gjitha ajo që vëmë re është se, rreshti i fundit i tabelës së shumti është i mbushur me pikat C… Kthen kokën drejt tij dhe përpiqesh ti lexosh sytë. Atij i kishte mjaftuar veçse një çast i vetëm për të jetuar në këtë qeli të ftohtë për shumë vite të tjera. S’e dinim çfarë duhet të mendonim më: A kanë ata një zemër?