E ëma e Gentës: Më tremb përballja e vajzës me realitetin.

Nga Dinejda
Shkruar ne 07 Maj 2012 ora 11:07am

Vetëm pak javë më parë, mbarë opinioni publik shqiptar u trondit nga publikimi i disa fotove në të cilat shfaqej Genta, një nga konkurrentet e reality show-t “Big Brother” në momente intime me të dashurin, Rubensin. Publiku mori një tronditje të dytë kur panë sjelljen e Rubensit karshi Gentës gjatë njërës prej puntatave të së shtunës. Ai kishte shkuar që ta informonte Gentën për atë çka po ndodhte, por e vetmja gjë që bëri ishte të shfajësonte veten para shikuesve me arrogancë dhe prepotencë.

Ata që e ndoqën këtë moment nga e ekrani i ‘Top-Channel’ nuk e patën aspak të vështirë të zgjidhnin dilemën e madhe për zbulimin autorit që publikoi fotot. Shqiptarët u impresionuan, dyshuan, u qartësuan dhe siç shpesh ndodh në të tilla raste (ndoshta si për forcë zakoni), u ndanë në dy pjesë.

Kishte nga ata që ndjenë keqardhje dhe i dolën në mbështetje kësaj vajze, dhe nga ata të tjerët që mezi pritën një rast të tillë për të shfryrë në ofendime dhe për të bërë moralistët. Për ironi të fatit, e vetmja ndoshta në të gjithë Shqipërinë që akoma nuk e ka kuptuar se çfarë po ndodh në të vërtetë, është vetë Genta.

Dita kur ajo do të përballet me këtë pjesë të realitetit është afër dhe është e kuptueshme që për 22-vjeçaren nga Devolli nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, ajo nuk është vetëm. Ka mbështetjen e nënës së saj e cila po e pret gati për t’i përballuar të gjitha e për t’iu bërë krah së bijës.

Zonja Gjalpi për herë të parë në një intervistë për median e shkruar tregon se si po e përjeton familja e tyre këtë periudhë dhe se si e parashikon daljen e së bijës nga loja.
Zonjë si po i përjeton familja juaj ditët pas skandalit të fotove?
Keq po i përjetojmë! Ajo që na ka ndodhur ne si familje nuk është e lehtë. Dua që në fillim të them se unë nuk kam pranuar të flas për asnjë gazetë sepse ishin gazetat ato që na shkaktuan këtë shqetësim të madh. Por, tani erdhi momenti që unë të them se jam gati të pres e të mbështes vajzën time.
Do ju vijë keq nëse Genta largohet nga shtëpia e “Big Brother”?
Jo aspak! Tani si të vazhdojë lojën, si të largohet është e njëjta gjë. Më e keqja ndodhi dhe tashmë pak rëndësi ka se si do shkojë loja.
Keni frikë nga reagimi i vajzës pas daljes? Sepse vetëm kur të jetë jashtë ajo do të ndërgjegjësohet për atë që ka ndodhur në të vërtetë…
Sigurisht që kam frikë. Për këtë arsye unë do jem aty duke e pritur kurdo që ajo të dalë dhe do kujdesem për të.
Do e merrni Gentën me vete jashtë Shqipërisë se ndoshta larg do e ketë më të lehtë ta kalojë këtë fazë?
Të them të drejtën nuk kam bërë asnjë plan dhe nuk mund të bëj pa pyetur vajzën. Unë do i rri pranë dhe do jetë Genta ajo që do vendosë se çfarë dëshiron të bëjë dhe se çfarë i bën mirë.
Po karshi jush, si kanë qenë reagimet e njerëzve?
Ka njerëz që na mbështesin ne dhe vajzën dhe duhet të theksoj që një pjesë e mirë e tyre janë njerëz të ngritur politikanë, intelektualë e artistë. Pastaj ka edhe të tjerë që bëjnë të kundërtën.
Ju si i përgjigjeni?
Unë e kam ndarë mendjen dhe nuk më intereson më ajo që mendojnë apo flasin njerëzit. Mua më intereson të jetë mirë vajza ime se kjo që ndodhi nuk është gjë e vogël. Unë do bëj detyrën time si nënë e do ta mbështes në çdo moment, edhe pse të gjithë si familje po kalojmë një moment shumë të vështirë.
Po bashkëshorti juaj si e ka përjetuar gjithë këtë?
Im shoq momentalisht është i sëmurë me tension, vetëm nga kjo që ndodhi. Po kalojmë një periudhë shumë të keqe. Nuk di më ç’të them…
Me Rubensin keni kontaktuar?
E kemi marrë dy herë në telefon dhe nuk na është përgjigjur.
Ju vetë si mendoni, ai i ka publikuar ato foto?
Ai i ka nxjerrë se s’kishte kush i nxirrte tjetër.
Keni menduar ta denonconi?
Ai e meriton ta denoncojmë po këtë do e vendosim bashkë me Gentën kur ajo të dalë.
Nëse Genta del si fituese nga “Big Brother” mendoni se do jetë më e lehtë për të dhe për ju ta kaloni këtë që ndodhi sepse impakti mbi opinionin publik mund të ndryshojë disi?
Ndoshta, por nuk besoj. Pastaj nuk mendoj që Genta do arrijë dot të dalë fituese.