Edi Rama fiton Tiranen: +10 vota mbi Bashen!

Nga Reporter
Shkruar ne 14 Maj 2011 ora 11:13pm

UPDATE 23.13

Pas deklaratës se Edi Ramës për fitoren sipas çertifikimit zyrtar të KZAZ nr. 49 të njësisë 5 në Tiranë, vjen ajo e kryeministrit Sali Berisha, i cili në një deklaratë të dyshimtë, la pezull idenë se mund të kontestohej rezultati final dhe zyrtar nëpërmjet manovrash të panjohura. Kjo u konfirmua menjëherë me daljen e kandidatit humbës në keto zgjedhje per Tiranën, Lulzim Basha. Ky i fundit, gjatë deklaratës së tij të qetë në dukje por tepër shqetësuese për nga përmbajtja dhe nënkuptimi, dha të kuptohej se ishin duke vënë në praktikë manovrat rezervë për manipulimin e votave.

Hapi i parë ka qënë bllokimi i serverave të databazës së KQZ-së, në mënyrë që të mos ishin më online të dhënat reale të rezultateve për publikun e interesuar. Për fatin e tyre të keq, gazetarët e mediave të lira kanë ndjekur hap pas hapi të gjitha numërimet dhe mbledhur të gjitha të dhënat e nevojshme për të llogaritur fituesin final, gjithmonë duke pritur çertifikimin zyrtar, pa kontestime nga të dyja palët. Në këtë mënyrë, alibitë e mundshme të KQZ-së, rrëzohen turpshëm para të gjithëve.

Hapi tjetër është ai i sapodalë: votat mikse. Pretendimet e fundit të KQZ-së jane se ka patur vota të ngatërruara, të cilat janë hedhur gabimisht në kutitë e tjera të rezervuara për këshillin bashkiak. Cuditërisht ky është rasti i parë, dhe nuk është verifikuar asnjëherë më parë në asnjë nga kutitë e tjera. Dhe akoma më çuditërisht, këto 8 vota “të gabuara”, janë tërësisht në favor të Lulzim Bashës.

Deklarata e fundit e zëdhënësit të KQZ-së, ka deklaruar se rezultati paraprak nuk është i vlefshëm sepse diferenca është tepër e vogël.


Maratona gjashtëditore e numërimit të votave për Bashkinë e Tiranës ka përfunduar me fitoren e Edi Ramës. Me një diferencë prej 10 votash, Rama rikonfirmohet në krye të Bashkisë së Tiranës në mandatin e katërt.

Qytetarët e Tiranës e kanë zgjedhur Ramën për të katërtën herë në krye të bashkisë së kryeqytetit. Ndërkohë kanë filluar festimet në ambientet e selisë së Partisë Socialiste, por edhe simpatizantë të Partisë Demokratike pretendojnë fitoren e kandidatit të tyre.

Kujtojmë se diferenca mes dy kandidatëve erdhi duke u zvogëluar kuti pas kutie gjatë numërimit të sotëm në njësinë nr 5, deri në kalimin në avantazh të tij në kutinë e fundit.

Rezultati, sipas vëzhguesve, mes Ramës dhe Bashës është akoma më i thellë. Sipas tyre, Edi Rama ka marrë në kutinë e fundit 220 vota, ndërsa Lulzim Basha 154 vota. Por të dyja fraksionet politike në fakt janë duke festuar, dhe pritet reagimi zyrtar i dy kandidatëve.