Edi Rama: Shqiperia ne Kryengritje!

Nga Reporter
Shkruar ne 18 May 2011 ora 8:24pm

Në deklaratën për shtyp të liderit të Partisë Socialiste të Shqiperisë, Edi Rama, pati një mesazh tronditës.

“Të gjithë në selinë socialiste e dijnë që nëse unë do humbja qoftë dhe me një votë, do e pranoja rezultatin. Kjo është diferenca më e thellë dhe do qeverisim trefishin e bashkive që do qeverisë pala tjetër.” , tha Rama.

Nga ana tjetër, Edi Rama theksoi se vjedhja e votës u krye në prani të një mase të madhe policësh të cilët pasqyrojnë papërgjegjshmërinë e kryeministrit. Duke u ndalur te situata e ditëve të fundit dhe marrëdhëniet e KQZ-së me politikën Rama e akuzoi këtë të fundit për shkelje të ligjit dhe vjedhje të votës së lirë.

“KQZ-ja në shkelje të ligjit sot nuk mbrojti por vodhi rezultatin e fitores tonë duke hapur kështu një tunel të errët për liritë dhe të drejtat e çdo shqiptari. Kodi e thotë qartë se vota hidhet në kutinë përkatëse dhe jo në një kuti tjetër. Kjo që ndodhi nuk ka të bëjë me mua as me bashkinë por për ekuilibrat politikë dhe bashkejetesën e brishtë demokratike.”, u shpreh Rama.

Duke i bërë thirrje popullit për tu ngritur në revolta në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave kushtetuese, Rama tha se “e di mirë se sa shumë janë ata që kanë frikë pasi ky regjim i kërcënon me bukën e gojës apo i zhyt më tepër në varfëri por në emër të sovranit si fitimtar duhet ta ndalojmë pushtetin e dhunës.”

Thirrja për kryengritje të të gjithë popullit shqiptar kundër diktaturës, ishte finalja e mesazhit patriotik, emocionues dhe rrënqethës. Një mesazh kuptimplotë, që analizonte të gjithë zhvillimin e ngjarjeve të deritanishme, duke nënvizuar dëshirën për të besuar në një proçes zgjedhjesh transparent dhe demokratik, i cili u zhgënjye paturpësisht nga qeveria aktuale. E vetmja rrugë që i mbetet popullit, është revolta në çdo qytet, kundër një regjismi diktatorial uzurpues të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë anembanë vendit.

Me tone prekëse dhe fjalë tepër të zgjedhura, Edi Rama ka kërkuar mbështetjen mbarëpopullore për të mos lejuar pushtetin të tjetërsojë verdiktin e sovranit, për të marrë në duar fatin e tij që për shumë kohë është keqpërdorur dhe dhunuar.

Në fjalën e tij Rama falënderoi gjithashtu misionin e ODIHR i cili zgjati misionin e tij pas thirrjes së Partisë Socialiste.