Efektet anësore të zbardhjes së dhëmbëve…

Nga Dinejda
Shkruar ne 10 Maj 2012 ora 6:13pm

TIRANE - Efektet anësore të zbardhjes së dhëmbëve mund të jenë, rritja e përkohshme e ndjeshmërisë së dhëmbit ndaj të ftohtit dhe të nxehtitirritimi i indeve të buta të gojës, e kryesisht i mishit të dhëmbëve.

Këto ndryshime janë të përkohshme dhe zhduken pas disa ditëve. Para procedurës së zbardhjes pacienti patjetër duhet të informohet lidhur me shkaktarin e ndryshimit të ngjyrës, rezultatet e pritura, si dhe me efektet e padëshiruara. 

Koha e zbardhjes së dhëmbëve varet nga shkaktari i ndryshimit të ngjyrës, thellësia e lokalizimit të njollës dhe teknikës zbardhuese të aplikuar.

Sa i përket kohëzgjatjes së seancës, ajo merr mesatarisht 30-60 minuta te zbardhja laserike, 60 minuta te zbardhja me dritë/nxehtësi, si dhe 2-4 orë në ditë te zbardhja në shtëpi brenda 2 javëve, apo edhe më shumë, varësisht prej shkallës së errësimit dhe dëshirës për ndriçim të ngjyrës së dhëmbëve.

Rezultatet e deritanishme tregojnë për ndriçim të ngjyrës së dhëmbëve për 3-8 nuanca (nga gjithsej 16) pas përfundimit të procedurës, ndërsa për më shumë se 10 nuanca pas përdorimit të laserit. Por, shkalla e zbardhjes nuk është e njëjtë te të gjithë. Ajo varet nga mosha, nga shkalla e diskolorimit të dhëmbëve, nga metoda e aplikuar etj.