Ekonomia, turizmi dhe politika

Nga Sage
Shkruar ne 28 Qer 2011 ora 10:13am

Çfarë peshe zë ekonomia në diskursin politik, integrues në Ballkanin Perëndimor? Mendimi i parë që të vjen ndërmend për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është se përderisa integrimi ekonomik ka qenë forca lëvizëse që ka nxitur Bashkimin Evropian, atëherë duhet të zërë dhe peshën kryesore në diskursin politik intrigues të vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të jenë anëtarë të këtij bashkimi politiko-ekonomik shtetesh. Ky arsyetim, edhe pse mund të jetë i drejtë pasi është i bazuar në një realitet, në fakt po të vërehet në terren konstaton se integrimi politik mbizotëron mbi atë ekonomik. Njerëzit gjithandej flasin për politikë, për zgjedhje , për vendime Kolegji Zgjedhor, të drejta , të padrejta sipas përkatësisë partiake që kanë por harrojnë një detaj themelor në jetën e gjithsecilit prej nesh të shprehur në gojën e Nikollaqit tek “Karnavalet e Korçës” të komedianit Spiro Çomora, “se jeta është aritmetikë Olimbi”.

Realitetet e tregojnë se këtë “aritmetikë” që nënkupton ekonominë qytetarët shqiptarë nuk e zotërojnë mirë, madje mund të themi me keqardhje se qytetarët shqiptarë nuk zotërojnë një mendim ekonomik të qenësishëm për të qenë të aftë që të bëjnë dallime të qarta mes reformave që pretendohen se merren në emër të tyre apo vendimeve që janë të rëndësishme për xhepat e tyre. Si për ta përforcuar këtë situatë në mendimin ekonomik të qytetarëve shqiptarë, edhe politika shqiptare nuk ka qenë e aftë për të përçuar mendimin ekonomik ndër ata që i zgjedhin për ti përfaqësuar, por në të kundërt është parë që ajo që përfaqëson një numër të vogël të qytetarëve të këtij vendi(pasi pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë pothuajse nën 50% në zgjedhjet e përgjithshme) merr vendime që janë të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të vendit n ë bazë të kartonëve që zotëron në parlament dhe duke anashkaluar referendumin që është një detaj të rëndësishëm të demokracisë së drejtë për së drejtë.

Mirëpo kjo amulli në vendimmarrje nuk është prezent vetëm në privatizimet dhe dhënien me koncesion të sektorëve jetikë të ekonomisë por dhe në hartimin e politikave që lidhen drejtë për së drejtë me këta sektorë strategjikë. Një i tillë p.sh është shpallur turizmi në Shqipëri,përcaktim që u bë nga ekspertët e ekonomisë shqiptare sidomos pas krizës ndërkombëtare që pushtoi botën dhe që natyrisht nuk la pa prekur dhe Shqipërinë. Ky realitet u reflektua në rënien e kërkesës për apartamente banimi dhe rrjedhimisht ndërtimi si sektori më i rëndësishëm në ekonominë shqiptare u zhvendos në vend të dytë duke ia lënë vendin turizmit. Duke u shpallur si sektor strategjik i ekonomisë së vendit, logjika e kërkonte që të kishte një vëmendje të veçantë në fillim të hapjes së sezonit turistik si dhe në infrastrukturën e shërbimeve të ndryshme.

Për fat të keq Shqipëria, që nga data 8 maj vazhdon ende të jetë e përfshirë në një debat për numërim vote, çka ka bërë që vëmendja e qytetarëve dhe e politikës të jetë e përqendruar në debat të ashpër politik. Por nëse politika shqiptare nuk është e aftë që të bëjë një palë zgjedhje për së mbari apo dhe të numërojë saktë vota, ekonomistët kanë filluar të numërojnë një nga një pasojat e kësaj situate politike dhe sidomos këto në fushën e turizmit. Sot , Shqipëria në kundërshtim me çka të bie rasti të dëgjosh shpesh herë në stacione televizive , për fat të keq nuk është një destinacion i mirëfilltë turistik si janë vendet tona fqinje, por pjesë e paketave turistike 1-2 ditore që afrojnë kompanitë turistike të këtyre vendeve.

Është e pafalshme , që një vend me bukuri natyrore të radhë, i vendosur në zemër të Mesdheut, pas 20 vjetësh reformash dhe zbatimi të ekonomisë së tregut të mos jetë në gjendje që të shndërrohet në një destinacion të mirëfilltë dhe konkurrues turistik në rajon. Për ironi të fatit në qytetet bregdetare të Shqipërisë , Durrës dhe Vlorë, si dhe në Shkodër dhe Tiranë ekzistojnë katedra të studimeve universitare për Turizmin, katedra që kanë mbetur më tepër në nivelin e përfitimit të një diplome universitare për studentët sesa kanë qenë në gjendje të ndërtojnë politika të mirëfillta në këtë sektor. Shumë kush duke parë këtë gjendje që prezantohet sot në turizmin shqiptar mund të përpiqet që t’ia faturojë një qeverie të vetme apo disa aktorëve lokalë, kurse një vëzhgim më i përqendruar nxjerr në dritë një problematikë të mbartur në radhë të parë në mentalitetin rreth turizmit sesa në politikat e ndjekura.

Qeveria dhe pushtetet lokale duhet të pushojnë së menduari se në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe ujësjellës-kanalizimeve mbaron përgjegjësia e tyre rreth turizmit, pasi ashtu si dëshmon eksperienca e vendeve fqinj një rol të rëndësishëm luan dhe infrastruktura njerëzore në këtë sektor të rëndësishëm të shërbimeve. Trajnimi, publiciteti, informacioni ,mirëmbajta e plazheve dhe ruajtja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore janë elementë të rëndësishëm të një strategjie të mirëfilltë që duhet hartuar për ti dhënë cilësi turizmit shqiptar. Zhvillimet më të fundit në rajon, me trazirat politike shoqërore në Afrikën Veriore si dhe kriza greke duhet të jenë rasti i artë për të prezantuar një politikë më konkurruese dhe më agresive në rajon. Nëse Shqipëria në vitet 90’ “prodhonte” anije të mbushura plot me refugjatë që iknin në Evropë port një jetë më të mirë, ka ardhur koha që këto anije të vinë të mbushura plot me turistë drejt brigjeve shqiptare pasi ky vend e meriton përsa i përket bukurisë që mund të afrojë. Problemi, këtë sezon turistik ashtu si dhe më të mëparshmit qëndron në pyetjen që i referohet politikës dhe jo vullnetit të popullit shqiptar, a mundet ajo që ta realizojë këtë synim?Në fakt , kjo mbetet një nga sfidat më të mëdha të politikës dhe politikave që ajo harton për zhvillimin strategjik të vendit.