Ekskursioni, 100 nxënës e studentë përfundojnë në urgjencë nga alkooli

Nga Dorjan
Shkruar ne 15 Maj 2012 ora 1:30pm

SARANDË – Mbi 100 të rinj të rretheve të ndryshme kanë mbushur shtretërit e Urgjencës së Sarandës nga abuzimi me alkoolin dhe lëndë të tjera të lehta narkotike. Vetëm gjatë kësaj fundjave, rreth 50 – 60 autobusë të mbushur me gjimnazistë dhe studentë kanë pasur si destinacion qytetin bregdetar. Këto ekskursione, të organizuara nga shkollat, pa pasur asnjë kontroll familjar apo shkollor, nuk kanë vonuar të japin pasojat e para. Mjeku Niko Kuri, Drejtor i Shërbimit Spitalor në Spitalin “Petro Nako” tregon: “Urgjencat kanë qenë kryesisht në orët pas mesnatës së fundjavës së fundit si dhe në orët e para të mëngjesit”. 

Mësohet se kjo shifër është një trefishim i numrit mesatar të pacientëve që trajtohen në Urgjencën e Sarandës. Të rinjtë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore kanë qenë të moshës prej 16 deri 22 vjeç ndërkohë që diagnoza ka qenë intoksikimi nga pijet alkoolike. Ekskursionistët i kanë konsumuar pijet alkoolike në baret e qytetit, pronarët e të cilëve e kanë të ndaluar me ligj të shërbejnë pije alkoolike në moshat nën 18 vjeç. Kjo është një tjetër problematikë e cila ndeshet rëndom në klubet e natës në Sa randë.

Pronarë të cilët duke parë “monedhën” vetëm nga ana e tyre, shkelin në mënyrë të hapur ligjin duke abuzuar kështu edhe me shëndetin e adoleshentëve. Kërkohet ndërgjegjësim për prindërit, mësuesit, shkollat si dhe një bashkëpunim mes këtyre dhe pronarëve të ambienteve argëtuese për një rini më të shëndetshme dhe me sa më pak pasoja negative për trupin e tyre.