Ekspozita gay, Deputetët Pro dhe Kundër.

Nga Dinejda
Shkruar ne 14 Maj 2012 ora 12:25pm

TIRANE-Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Ambasada Pink ka planifikuar një sërë aktivitetesh, ndër të cilat edhe një ekspozitë. Ajo do të organizohet në datën 16 maj dhe do të përmbajë fotografi nga jeta e komunitetit LGBT (lesbike, gay, biseksual, transeksual). Në ekspozitën e cila do të zhvillohet në ambientet e ‘Tirana Ekspres’ janë ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që ftesa iu është dërguar në kutitë postare personale.
Në këtë forum të “Gazeta Shqiptare” janë pyetur disa parlamentarë në lidhje me pjesëmarrjen e tyre. Të kontaktuar nga ana jonë nëpërmjet telefonit, të gjithë i janë përgjigjur pyetjes së përbashkët “nëse do të marrin pjesë në këtë ekspozitë apo jo”. Nga ana tjetër, vetë Ambasada Pink, e pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e deputetëve në këtë ekspozitë deklaron se deri më sot asnjë nga deputetët nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ekspozitë. “Edhe pse iu kemi dërguar ftesë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, deri në këto momente që po flasim, asnjë prej tyre nuk ka dhënë një konfirmim në lidhje me pjesëmarrjen”, – shprehen përfaqësues të ambasadës të kontaktuar nga ana jonë.
Aktivitetet
Përveç ekspozitës me fotografi nga jeta e komunitetit LGBT, e cila është planifikuar në datën 16 maj, Ambasada Pink ka paralajmëruar organizimin e një sërë aktivitetesh të tjera në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë. Kështu, në datën 15 maj është paralajmëruar një pedalim me biçikleta përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet. Në këtë pedalim mendohet se do të marrin pjesë mbi 100 biçikleta, ndërkohë që mundësimi i tyre është bërë nga “Ecovolis”. Gjithashtu, në datën 17 maj pikërisht në ditën Kundër Homofobisë është paralajmëruar mbajtja e një parade Gay ku aktivistë të këtij komunitetit, por jo vetëm mendohet se do të bëjnë parakalim përgjatë bulevardit me veshje specifike. Kjo e fundit, ka qenë pjesë e debateve të shumta, sidomos pas deklaratës të bërë nga kryetari i partisë së Legalitetit, Ekrem Spahia. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Spahia i pyetur në lidhje me mbajtjen e kësaj parade u shpreh se: “Nuk i ngelet gjë tjetër veçse t’i kapë në hu anëtarët e këtij komuniteti”.