Ekstradohen 2 shtetas, për vrasje dhe mospagim taksash

Nga Dorjan
Shkruar ne 21 Mar 2012 ora 6:46pm

TIRANË- Nga Zyra e Interpol Tirana është kryer ekstradimi, drejt vendit tonë i dy shtetasve shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe mospagim të taksave.

Policia e Shtetit bën me dije se është ekstraduar nga Greqia shtetasi Kristaq Dhima vjeç-47, i dënuar nga Gjykata e Fierit me 18 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje“.

Dhima, është deklaruar fajtor për vrasjen e shtetasit Harilla Shima, ngjarje kjo e ndodhur në korrik të vitit
1994, në Genova – Itali. Për t’ju shmangur vuajtjes së dënimit ky shtetas ka ndërruar emrin nga Klement Bylyshi në Kristaq Dhima, dhe emrin e babait nga Musa në Sotir, si dhe emrin e nënës nga Hazbo në Athina.

Ndërkohë policia bën me dije se është është ekstraduar nga Milano (Italia) shtetasi Genci Dadushi, vjeç 37, lindur në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Dadushi akuzohet për veprën penale “Mospagim i taksave dhe tatimeve”. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shoqëria tregtare “Tekstil Floj” me ortak shtetasin Genci Dadushi, e cila ka filluar aktivitetin në vitin 2005, nuk ka paguar rregullisht detyrimet shtetërore ndaj doganave.

Në aeroportin “Nënë Tereza„ në Rinas këto dy shtetas i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.