Ekzekutoi bashkëshorten me çifte, gjykata e dënon me 13 vjet burg

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Pri 2012 ora 9:50am

TIRANE - Gjykata e Tiranës dënoi me 13 vite burg Arif Serjanajn, i cili ekzekutoi me armë gjahu bashkëshorten pas konflikteve të forta që kishin mes tyre për shkaqe xhelozie. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, i dënuari për vrasje me dashje do të qëndrojë prapa hekurave vetëm 8.8 vite burg, pasi përfiton ulje të një të tretës së dënimit. 

Në vendimin e firmosur nga gjykatësja Alkelina Gazidede, thuhet se: “Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi e provuar se i pandehuri Arif është banor i fshatit Kodër Berxullë dhe ka qënë i martuar me të ndjerën Arjana Xhaferraj për gati 35 vjet. Nga kjo martesë ata kanë një djalë. I pandehuri vitet e fundit ka pasur konflikte të shpeshta me të shoqen, për motive xhelozie, pasi e ndjera largohej nga banesa bashkëshortore për disa ditë me radhë. “Ditën e ngjarjes i pandehuri ka qenë në banesë së bashku me nënën e tij Deje Serjanaj. E ndjera, Arjana, është kthyer në shtëpi rreth orës 15:00 pasi kishte dy ditë që ishte larguar. Në atë moment i pandehuri Arif ka qenë duke punuar në kopshtin e shtëpisë dhe pasi është futur brenda në shtëpi ka përshëndetur gruan e tij, duke i kërkuar që t’i sjellë drekën për të ngrënë. Ajo i është përgjigjur: “Pse duhet të të jap për të ngrënë kur t’i nuk ke punuar fare”. I pandehuri i ka thënë: “Që mos fol kështu se unë nuk po të kërkoj llogari se ku ke qënë mbrëmë”. Në këto momente e ndjera e ka goditur me shpulla te pandehurin dhe ka marrë një thikë kuzhine dhe ia ka drejtuar të pandehurit Arif duke i thënë se do ta therte. Arifi në debat e sipër ka marrë çiften e gjahut që e mbante në shtëpi dhe ka goditur bashkëshorten e tij Arjana në qafë, e cila ka rënë në tokë dhe më pas ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, – thuhet në vendimin e gjykatës.

I pandehuri, si në hetim ashtu edhe ne gjykim, e ka pranuar akuzën dhe ka shprehur pendesë të thellë për krimin e kryer.