EMIGRANTËT, 29 MLN EURO MË PAK PËR FAMILJET NË SHQIPËRI

Nga Dorjan
Shkruar ne 11 Pri 2012 ora 3:59pm

Familjet në Shqipëri morën më pak para nga të afërmit e tyre që punojnë si emigrantë jashtë shtetit. Mësohet se gjatë gjithë vitit të shkuar, në vend hynë rreth 660 milionë euro nëpërmjet dërgesave të emigrantëve. Shuma e parave që emigrantët shqiptarë u kanë dërguar familjarëve të tyre në 2011-ën përllogaritet të jetë rreth 29 milionë euro më pak se viti 2010. Të dhënat janë publikuar në raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2011.

Përgjatë viteve të fundit, dërgesat kanë pasur në ecuri rënëse, ku shkaku kryesor ka qenë kriza që po përjetojnë vende si Greqia dhe Italia, ku kanë emigruar edhe pjesa më e madhe e emigrantëve. Megjithatë, ritmet e rënies kanë qenë më të ulta në vitin e shkuar krahasuar me vitet e mëparshme dhe kjo lidhet me një shpjegim: përkeqësimi i situatës në Greqi, e cila bëri që një pjesë e emigrantëve t’i transferonin kursimet e tyre në Shqipëri.

Zyrtarisht janë rreth 1.4 milionë shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, ku pjesa më e madhe ndodhen në Greqi (rreth 47 %) dhe Itali (rreth 36 %). Duke parë këto shifra, natyrisht edhe pjesa më e madhe e dërgesave vijnë nga këto vende. Por janë pikërisht shtetet e mësipërme që po përballen me krizën kur Greqia ishte në prag të një falimenti kurse Italia përbën ende shqetësim për BE-në. “Gjatë kësaj periudhe, flukset hyrëse të dërgesave të emigrantëve shënuan rënie me rreth 8.6 për qind në terma vjetorë. Zhvillimet me situatën e punësimit në vendet fqinje, veçanërisht në Itali dhe Greqi sugjerojnë për vazhdimësi të trendit rënës të këtij elementi të llogarisë korente edhe në të ardhmen”, – thekson Guvernatori Fullani në raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2011.

Por për çfarë përdoren dërgesat e emigrantëve nga familjet e tyre në Shqipëri? Një studim i Institutit “Agenda” ka nxjerrë se pjesa më e madhe e dërgesave përdoren ose për të blerë ilaçe ose për ushqime. Çmimet e larta të tyre por edhe ulja e dërgesave gjatë viteve të fundit bën që pjesa më e madhe e familjarëve sipas studimit, të mos kursejë asnjë euro nga paratë e dërguara.

Nisur edhe nga efekti psikologjik i krizës, por edhe ulja e dërgesave, familjet janë të prirura që shpenzimet në vlera të mëdha, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me blerje të pasurive të paluajtshme, makina apo mobilim shtëpie, t’i shtyjnë për një kohë tjetër, kur ata të jenë të bindur se situata financiare do të jetë më e mirë.

“Shqipëria si Greqia, nuk kthehemi”

Kriza që po përjeton Greqia u duk se do të bënte që emigrantët të ktheheshin për të filluar një jetë të re në atdhe, por nuk ndodhi kështu. Përveç flukseve të fillim-vitit të shkuar, i cili zgjati jo më shumë se dy-tre muaj, tashmë ka një ulje të ndjeshme të kthimit të tyre. Tashmë emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Greqi janë më pak të prirur për t’u kthyer në Shqipëri. Shkaku? Emigrantët mendojnë se situata në Shqipëri është e njëjtë me atë në Greqi. Këto janë përfundimet e një sondazhi të kryer nga Fondi Grek për Politikat e Jashtme, i cili ndër të tjera rendit edhe frikën për të t’u integruar në realitetin shqiptar të emigrantëve që kanë menduar kthimin.