Epsh nga Farmacia 10, tek stacioni i 21 Dhjetorit

Nga Edmond Prifti
Shkruar ne 29 Pri 2011 ora 6:46pm

Të gjitha tipizojnë realitetin shqiptar, dhe personazhet e saj përcillen mes qëndrimit dhe ikjes, qartësisë dhe paranojës, shpresave dhe dëshpërimeve…të kaluarës dhe të ardhmes. Ky është realiteti në të cilën përpëlitemi: midis ëndrrës njerëzore dhe vdekjes kërcënuese. Kur dikush guxon ta tregojë atë, konsiderohet pervers, pasi ata janë realistë. Përherë janë të tillë…

Kur përballesh me gjuhën e rrëfimit të Flutura Açkës duket se ke të bësh me një “belbëzim gjeniu”, me një lëng dhe natyrshmëri kur merret me jetën dhe fatet e njerëzve. Të ledhaton, të këndell, ku prania e bukur e miteve, legjendave dhe trilleve i jap ca më shumë dritë fantazisë së saj. Imtësi pa rënë në vulgaritet dhe banalitet. E bën lexuesin të jetojë çaste të bukura dhe të ndjejë kënaqësi… Kjo lë hapur shtegun e besimit të çliruar nga çdo kompleks dhe çdo pushtim njerëzor. Rrëfimet e saj janë të lira. Ajo dhe personazhet e saj janë vetvetja, sa realiste aq origjinale dhe njëkohësisht moderne, si në dukuritë e realitetit artistik, në atë intim nuk as modë, as kokëkrisje, por një domosdoshmëri për të thënë bërthamën e asaj që njeriu e quan jetë.

Vajza kishte filluar rënkimin e përkohshëm… Ajo ishte dikur një femër tepër e talentuar dhe shumë tërheqëse. Momentet ishin tronditëse. E çfarë s’po kalonte ajo vajzë, pas shumë dështimesh dhe përpjekjesh për të filluar një punë serioze në një nga ministritë shqiptare. “Ndihem e vetmuar atje çdo ditë e më shumë. Kolegët kanë filluar të mos më ftojnë më për kafe. Kam qenë përherë e sinqertë me ta. Kam diskutuar muhabete pune, kam folur me ta për të dashurin tim dhe çfarë përjetoj çdo ditë në Shqipëri… Por unë e di. Më largojnë pasi unë s’kam të dashur aty…”. Përballja me realitetin ku ajo ndodhej ishte një periudhë e përkohshme. Asaj i duhej të pranonte realitetin dhe t’i bashkohej “turmës”, ose të hiqte dorë për shkak të moralit dhe të mbijetonte si e papunë. Problemi i saj para kësaj “turme” ishte se ajo ende nuk e kishte pranuar “partnerin e ri”, apo “kumbarin” e Ministrisë në sektorin ku ajo punonte. Koleget e saj femra kishin ecur shumë përpara… Ishin kombinuar me disa të tillë, ndërkohë që ajo po përjetonte një periudhë ethesh brenda këtij rrethi vicioz se si do të ndërtohej një marrëdhënie e re. U zbërthye më në fund. Ajo po kalonte në tranzicion… “Burrat që e deshën atë e hëngrën sysh, por kokën ia hëngrën ata që i deshi”, shkruhet në parathënien e librit “Hiri” i shkrimtares Flutura Açka, për të cilën vetë shkrimtarja pohon se kjo shprehje lindi krejt rastësisht. Kjo ishte një histori e vërtetë. Kjo histori ishte frymëzimi i kësaj shkrimtareje për krijimin artistik të librit “Hiri”. Kjo nuk është aspak e rrallë. Po merr përmasat e një fenomeni. Historia e saj në “drithërima mëkatesh” u realizua thjesht në disa faqe të këtij libri. Çdo ditë aventura më shumë apo me pak rrëqethëse, më të trishta apo me copëza komike, apo më bastarde nga ato që të bëjnë të fillosh dhe të mendosh statistikat, në përqindje në periudhë tranzicioni.

Hiri

“Hiri”, një histori “love story”, por e një lloji ndryshe…ajo e dashurisë të përkohshme, e përshkruar me skena seksi në detaje. Pas një dashurie të flaktë ajo vihet në dilemë dhe çka ngelet.. .është vetëm hiri. Flutura “nuk beson shumë në atë”. E ka përkrahur dashurinë, por ka pasur përshtypjen se ajo më shumë është autoinduktive, “një dashuri më shumë e sajuar artistikisht nga ajo, sesa ka ekzistuar në të vërtetë”. Në fund të fundit si çdokush prej nesh, karakteret reale i përngjajnë librit “Zhvirgjërimi i shpirtit”, ku midis shpirtit dhe materies, midis konceptit të dashurisë dhe boshllëkut të shpirtit, arrin dhe përjeton përdhunimin psikologjik: “Një person që e jeton dendur jetën e tij, gëzon çdo çast dhe nuk e ndjen mungesën e seksit. Kur bën seks…është si një shtesë, sepse gota e verës është kaq e mbushur që natyrisht grafullon, sepse është krejt e paevitueshme, sepse pranon rrezikun e jetës, sepse në atë moment…vetëm në atë moment, ajo arrin ta humbë kontrollin…”. “Hiri” e ka marrë frymëzimin nga një subjekt real!

Dashuria vihet në dilemë. A nuk duket më shumë si një rreth vicioz i realitetit të sotëm me situatën që po kalon femra shqiptare? Tek “Hiri” historia e dashurisë ka qenë thjesht preteksti. Shqetësimi ka qenë raporti unikal mashkull-femër. Pra, gjithçka për çfarë gjykon Flutura, duke dalë nga personazhi im. Është një histori “love story”. Një e tillë por e vendosur ndryshe. Shumë njerëz mund ta konsiderojnë atë kësisoj, por unë e kam konsideruar si një dashuri e përkohshme, ose tranzitore… ku ndjenjat fillojnë nga stacioni i farmacisë numër 10 dhe përfundojnë tek stacioni i 21 Dhjetorit. Mendoni se femrat shqiptare i kushtëzojnë rrethanat, përderisa në disa raste i jepen kaq shpejt një mashkulli? Femrat shqiptare janë ankestare… Ato harrojnë një gjë, pasi jemi ne vetë ato të cilat i kemi mësuar meshkujt, ose më saktë i kemi çedukuar ata. Ata e njohin mirë brishtësinë tonë. Janë këto femra të tranzicionit, të cilat përpiqen me çdo kusht të zbulojnë intimitetet e trupit të tyre publikisht. Kështu që meshkujt nga indiferentë kthehen në “maçoistë” dhe nuk na shohin më si femra, por thjesht si objekte të mirëfillta seksi. Kur ka filluar të ekzistojë një marrëdhënie ku gjithçka ngelet tek një pjesë trupi e zbuluar? Kjo ka qenë e hershme. Këto “raporte femër-mashkull”, u përhapën në fillimet e demokracisë. U hapen madje shumë shoqata të cilat në vend që të luftonin për të drejtat e tyre, bënë krejt të kundërtën. Disa tentuan të qëndronin sipër dhe të tjerat “të kishin muskuj si meshkujt”. Nuk kemi kurrsesi si t’i ndërrojmë realisht këto vende, por duhet të përpiqemi të luftojmë për partneritet me ta. Burrat që sundojnë duhen “asgjësuar”. Pra, si përmbledhje, gratë shqiptare në vend që të luftonin për këtë, filluan t’i joshnin meshkujt. Ata e dinin: Ne u marrim atyre paratë në çdo lokal, pub, ditëlindje, çdo 8 mars…Ne kemi hapur një rreth vicioz, ku kjo lojë quhet hipokrizi. Mos po e ekzagjerojmë paksa? Përderisa vjen një moment dhe dashuria e shet veten shumë lirë… Por kjo nuk do të thotë se nuk ka ekzistuar parimisht. Përderisa është diçka që shpërbëhet me kalimin e viteve, që e cenon staturën e vet dhe është pak e diskutueshme. Duhet parë në dy koncepte: ose kanë ndryshuar rrethanat, ose kuptimi i dashurisë. Tani dashuri do të thotë thjesht një marrëdhënie seksuale… Po ajo e vërteta çfarë është atëherë? Është diçka aq e brendshme por edhe e thellë, aq sa nuk mund të dalë në sipërfaqe. Unë jam tip emocional, natyrë që vuaj shumë, prandaj dhe s’më pëlqejnë aventurat sepse jam tip që vuaj. Dhe s’më vjen keq që jam kështu, sepse atë që dua ta bëj më pëlqen ta vuaj. Kjo do të thotë që kur dua, dua, dhe kur s’dua, s’dua. Për mua nuk ekziston thjesht koncepti i mbushjes së një nate. Mua nuk më mbush një natë, një javë, një muaj e ku ta di unë…

Thjesht ideja se mund të shkohet me një burrë vetëm për një natë për mua është shumë tronditëse. Është çështje tipi, thjesht çështje tipi. Ndoshta çdo grua tjetër do ta bënte me kënaqësi, unë jo. Unë nuk e dua këtë lloj lumturie. Nëse ndodh, do të thotë se kam dashur… Mos kjo i ngjan një historie tjetër më patologjike, të një dashurie pasionante si “koncept i tjetërsuar” midis Erikës dhe Valentinit, tek libri “Pianistja”? Tek pianistja fokusohen marrëdhëniet nënë- bijë. Atje dashuria është si koncept i përgjithshëm midis këtyre dy personazheve. Dashuria atje është e çuditshme, kozmike, absurde dhe jo një dashuri konkrete. Në momentin që Erika kthehet me këmbë në tokë, ai e shpërfill atë. Tek “dashnoret” ajo merret më gjerësisht me marrëdhëniet meshkuj-femra. Nxjerr në pah mediokritetin e tyre. Për këtë arsye në seritë rozë, Elfriede është konsideruar si një perverse, pasi ajo është krejt realiste.

Flutura Açka

Përdor ndjeshmërinë artistike për të zbuluar psikologjinë, dramatiken si dhe paradoksin modern të ekzistencës. Është poeteshë, shkrimtare dhe që nga 2001-shi së bashku me burrin e saj holandez, Richard, ka në pronësi shtëpinë botuese “Skanderbeg Books”. Açka ka marrë të drejtën e autorësisë së botimeve në Shqipëri të romaneve të shkrimtares, Elfriede Jelinek. Ka lindur në vitin 1966 në Elbasan. Është diplomuar për Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës më 1988 për Gjuhë-Letërsi në 2001 në Universitetin e Elbasanit. Ka punuar si gazetare, administratore dhe redaktore. Në vitin 1997 Flutura Açka ka marrë çmimin “Lira e Strugës” në Netët e Poezisë Strugane, ku edhe përfaqësoi poezinë shqipe në atë vend. Një vit më pas, ajo përzgjidhet ndër 13 poetët më të mirë evropianë të brezit të ri, në Tivoli-Europa në Itali. Romani i parë i saj, “Vetmi gruaje” është përkthyer në vitin 2006 në gjuhën bullgare. Jeta e saj ndahet midis Tiranës dhe Utrechtit në Holandë.