Erdhëm edhe ne në Amerikë!

Nga Sage
Shkruar ne 16 May 2011 ora 5:13pm

Kam më se dy muaj në Amerikë, te djali im, që ka ardhur para 14 vjetësh këtu. Pas pesë refuzimesh, Konsullata e Ambasada Amerikane e Tiranës, duket e pa të arsyeshme kërkesën time dhe së bashku me gruan, më dhanë vizë turistike një vjeçar me shume hyrje- dalje.

Erdhëm në palcën e dimrit në qytetin verior të Amerikës, Çikago, me klimë të ashpër, të ftohtë dhe më të shumtën e kohës, me erë. Si në fundin e dhjetori kur mëritëm, po dhe tani, vazhdon të bjerë herë pas here borë.
Sipas zakonit të Shqipërisë edhe në Amerikë, ngrihemi çdo dit herrët në mëngjes. Gjumi këtu bëhet i rehatshëm, sepse brenda në çdo shtëpi, në të gjitha ndarjet deri në banjë e korridor, sigurohet ngrohje normale 24 orësh. Mëngjeseve, kur hedhim shikimin jashtë, tej dritareve të stërmëdha të katit 17, të “qiellçarëses” 40 katesh ku banojmë, në pjesën qendrore muzeore të Çikagos, shohim me një ndjenje gëzimi dhe madhështie, se të gjitha çatitë dhe sheshet për rreth janë të mbuluara tej e tej menjë si qilim bore. Për çudi rrugët thuajse nuk kanë fare borë. Ato pastrohen prej borës gjatë natës e në vazhdimësi nga punonjësit e shërbimit komunal dhe në rrugët e trotuaret hidhet kripë e ashpër ngjyrë jeshile. Kështu ato duken si të ngjyera me bojë të gjelbër. Nga dritaret në lindje shtrihet pafundësisht liqeni i Miçiganit, shumë herë i ngrirë deri në largësi dhe “Kampusi Muzeal”i qytetit, me Akuariumin, Muzeumin Field, Planetariumim dhe Stadiumin futbollit Amerikan.

Aty afër gjarpëron autostrada e buzëliqenit, si dhe linjat hekurudhore, që përshkojnë gjithë kontinentin e madh. Makinat dhe trenat ndjekin njeri tjetrin me nxitim e rritëm të paparë e të duket se njerëzit këtu, në këto rrugë të gjera e të gjata e në këto hapësira të pa ana, këtë punë bëjnë: lëvizin e lëvizin, pafundësisht dhe pambarimisht. Sistemi i rrugëve në Çikago, qofshin këto tokësore, nëntokësore dhe mbitokësore, është i studiuar dhe i vendosur deri në përsosmëri, me kuadrate të një planimetrie rigoroze dhe me adresa në numra dhe emra të thjeshtë e që mbahen mend lehtë
Ç’është e vërteta qytetarët këtu një pjesë të madhe të kohës e kalojnë në lëvizje, më së shumti me automjetet e tyre personale dhe me taksi, autobusë e trena. Ata shkojnë vijnë çdo ditë deri dhjetëra kilometra larg, në punë, apo në shkollë, kopshte e kurse, për nevoja shërbimi apo shëndetësore. Edhe për të blerë sendet për nevojat e përditshme, ushqime e veshmbathje në qendrat grosiste e sidomos në ato me produkte cilësore, qoftë dhe në kërkim të çmimit më të ulët, ata duhet t’u hipin autoveturave të tyre për të përshkuar shumë kilometra. Sistemi modern kompjuterik dhe informacioni mediatik dhe reklama, veç ndihmojnë në ketë drejtim dhe kanë hedhur hapa për shërbim e furnizim me porosi deri në familje.
Ne mbërritëm në Aeroportin e madh të Çikagos në mbasditën e datës 30 dhjetor 2010. Na priti Adela, nusja e djalit tonë, bashkë me Nikun, nipin e madh gati pesë vjeçar që kishim dy vjet pa e parë. Në shtëpi u takuam edhe me nipin tjetër, Lukasin, gati 8 muajsh, që e shihnim direkt për herë të parë. Gëzimi ynë ishte i madh, kur shihnim trashëgimtarët tanë të bukur e të shëndetshëm në një botë të re, të lirë e të lumtur dhe që rriteshin me kujdes të posaçëm, në kushte jetese që as nuk i kishim ëndërruar.
Dhoma e veçantë e Nikut ishte si një shkollë e vërtete me dhjetëra libra didaktik të çuditshme për ne edhe pse mësues prej shumë vjetësh. Më shumë u habitëm kur u ndeshëm me qindra lojëra fëmijësh: trena, makina, qen, mace, arinj, arusha, elefant, zebra, foka, kuaj, lopë, e deri dinosaura, po asnjë pushke, kallashnikov, mitraloz apo top allamani. Një vend të rëndësishëm në dhome zë pjanoforti i madh ku herë pas here vjen një mësues profesionist për t’i transmetuar Nikolasit,( që, mos harrojmë, emrin e dytë e ka, si baba dhe gjyshi i tij shqiptar Kaman), njohuritë fillestare dhe po qe se ai ecën dhe shfaq dhuntitë përkatëse, ta bëjnë, pse jo edhe muzikant të shquar.
-Plutoni (më thotë, me një shqipe të çalë, duke më habitur dhe më shumë im nip), nga ana e shkencëtarëve astrologë, tanimë nuk përfshihet më në radhët e planetëve të tjerë, që i vijnë rrotull diellit dhe pas pak: oktapodi ikën mbrapsht, prandaj e kollofit lehtë balena, ndërsa, një herë tjetër: pandat e murrme jetojnë në Kinën juglindore, se atje ka bambu..
Nëna e tij, Adela, na habit edhe me shume kur na shpjegon karakterin e tij tepër kureshtar e shpesh kundërshtues, Nuk na dëgjon lehtazi dhe për çdo porosi qe nuk i shkon për shtat gjen njëkohësisht me shume se tre argumente kundërshtues, qe me se shumti rezultojnë te pranueshëm. Kur ishte tre vjeç e gjysmë bëri një “skandal” në shkollë. Kur mësuesja, sipas programit mësimor, i fliste për sistemin diellor i tha se dielli është një lëmsh i zjarrte qe djeg e përvëlon dhe vetë ai digjet e digjet pa ndaluar.
Jo, mësuese e dashur, kundërshtoi Niku: Diçka që digjet, (sepse është ndezur deri sa përvëlon) do vazhdoj të digjet, deri sa të asgjësohet. Po të ndodh kjo me diellin, ai do shuhet, pasi të përfundojë plotësisht djegien. Atëherë dielli nuk do dërgojë rrezet e tij të ngrohta në tokë dhe ne do ngrijmë e do të vdesim nga të ftohtit. Nga ky arsyetim që i bindi fëmijët e tjerë se do ndodhte një katastrofë, ata nisën të frikësohen dhe papritur, njeri pas tjetrit, nisën të qarit në kor, derisa u bë problem në Drejtori dhe iu desh gjithë trupës mësimore të ndërhynin individualisht për ti qetësuar fëmijët, që edhe ditët e tjera, herë pas here, e kujtonin të frikësuar këtë ngjarje.
Unë dhe Hanëmja rinim dhe e shikonim krejt me habi, teksa ai fëmijë amerikano-shqiptar na çudiste dhe pa mbushur 5 vjeç, lexon lirshëm anglisht dhe na përkthen me lehtësi, duke na mësuar diku edhe ne pleqve ngjarje e fenomene qe nuk i dinim aq saktë.

Për ne, Adela, nusja jone e kujdesshme, kishte përgatitur me durim e gusto një dhomë gjumi të posaçme. Kishte zgjedhur me kujdes, përgatitur e varur në muret e saj dhjetë korniza me fotografi formatesh të ndryshme, ku ishin ekspozuar pa përjashtim njerëzit me të dashur: të tre fëmijët tanë me burrat, nusen dhe të gjithë trashëgimtarët tanë. Sa futeshim në dhomë dhe te muri përballë, si të ishin të vërtetë, na përshëndesnin një nga një, të gjithë njerëzit tonë të dashur. Ne ndjeheshim midis të tyre të lumtur, të mbuluar nga ngrohtësia e familjes së madhe karakteristike shqiptare.
Në dhomën tonë të gjumit ishin tre dollap të mbushur me çdo gjë të nevojshme. Dy prej tyre ishin vendosur në mur, që nga ndërtimi i shtëpisë sipas stilit Amerikan që e pamë kudo, ndërsa i treti ishte blerë posaçërisht për ne dhe brenda tij kishte çdo gjë që na duhej si: bishame, rrobdëshambër, kanotiere e ndërresa, peshqirë gjithfarësh, sapunë,detergjent, parfume,kremra, pasta e furça dhëmbësh, makinë roje, krehër, furça rrobash e deri gërshëre, penj, gjilpëra e prese thonjsh.
Takimin e parë me shqiptarë në Çikago e bëmë me djemtë e Dalan Luzaj me Rudin dhe Jamarberin, shoke të hershem të tim biri, ardhur para 20 vjetësh në Amerikë nga Vlora, atëherë djem te rinj dhe tani të martuar e me fëmije. Ata erdhën për vizite, sipas traditës shqiptare, shoqëruar me familjet e tyre.
Familja e Dalan Isuf Luzajt, ai vetë dhe gruaja e tij e mrekullueshme Buqja, me tradita familjare vlonjate të hershme shumë të çmuara, rritën dhe edukuan me durim e sakrificë tre djemtë e tyre Rudin, Jamarbrin, Gerin dhe vajzën, po aq të mirë e të bukur Sonilën. Ata u shkolluan, u integruan plotësisht në punë, në jetë e në shoqëri dhe krijuan familjet e tyre të kamura në Amerikë, me koncepte amerikane e trashgimëri traditash cilësore shqiptare të besës dhe mikpritjes. Për tim bir Kamanin dhe të zgjedhurën e tij, Adela Petraq Kolën, qysh para 15 vjetësh, kur ata sapo erdhën në Çikago, nga kjo familje rrallë patriotike shqiptare u pritën me shume ngrohtësi, duke i përfshirë bujarisht në gjirin e tyre të ngrohtë, si pjesëtarë në familje, me të drejta të njëjta.

Në Amerikë Adela me Kamanin u martuan, u punësuan fillimisht duke kryer çdo lloj pune deri kamerier e shpërndarës picash, ndihmësmjek e asistentmjek, plotësuan studimet, duke njësuar diplomat e mjekut shqiptar me ato te mjekut human amerikan, kryen specializime të mëtejshme Adele për organet e brendshme e mjeke spitali dhe Kamani për anestezi-reaminacion, derisa u punësuan në profesionin e tyre të mjekut në spitalet e klinikat përkatëse. Po këtu ata lindë dy djemtë e tyre të mbarë, që përpiqen t’i mirërrisin dhe t’i edukojnë me kujdes, ne nivelin dhe kushtet superiore të amerikanit, duke iu ngulitur njëkohësisht tradita më të mira shqiptare, si dhe mësimin e gjuhës amtare.
Duke shkruar këto përshtypje nga vizita në Amerikë dhe takimi i përmallshëm me tim bir, Kamanin e ri, me shkoj mendja gati 100 vjet më parë, tamam në vitin 1913. Babai im që dhe ai quhej Kaman udhëtoi me anie të zakonshme, me plotë reziqe e të papritura nga Vlora ne Brindisi dhe prej andej në Amerikë. Ai punoi në punë vështira krahu për gati dhjetë vjet. Flinte, me tre shokë të tij gjirokastrit në një krevat me turne. Dhe ja, historia përsëritet, në kushte të tjera, kur Kamani i ri, doktor në mjekësinë humane amerikane, përballet me vështirësi të reja të rritjes dhe konsolidimit, po jeton ne nivele bashkëkohore, si të gjithë vendasit e këtij shteti te bekuar nga Zoti, që falë punës dhe demokracisë, qëndron në pararojën e njerëzimit.

Nga telefoni, që e ka koston më të lirë se në Shqipëri, po dhe nëpërmjet kompjuterit, u lidha me shokët, miqtë dhe të afërtit e mi në Amerikë dhe Kanada. Mora të parën motrën time të dashur Teutën. Ajo ka ardhur, bashkë me të shoqin e saj Edmond Reçi, te e bija Sonila. Mbesa Sonila, e martuar me piktorin Sokol Buza, trashëgimtar i familjes së piktorëve të shquar Abdurahim Buza dhe Kujtim Buza. Ata kanë vite ne Amerikë dhe kanë lindur këtu në Henrin, një djalë të mbarë dhe si e pashë nga afër, të bukur dhe të shëndetshëm. Mbesa ime Sonila Edmond Reçi, juriste në Shqipëri, ka kryer këtu disa studime për master pas universitar dhe është specializuar për biznes ekonomi. Amerika hap horizonte pa kufi për çdo të ri të vullnetshëm. Dhe, me sa pash, shumë të rinj nga Shqipëria janë integruar plotësisht me mënyrën e jetës së përparuar amerikane.
Se dyti bisedova në telefon me shokun tim të dashur të fëmijërisë, të rinisë dhe deri vonë në pleqëri, njeriu e ditur e shumë të dashur, dr.as.prof. Sezai Bazaj. Ai, me vajzën, djali, gruan dhe trashëgimtarët e tij, banon në Nju Jork. Më erdhi mirë që bisedova gjatë me shokun tim të mirë, të ditur e me vlerë, me atë që pati meritat kryesore për krijo]imin e Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe që jo më kot u emërua rektori i pare i tij. Ai u shkarkuar në ajër, nga prijësit e Partisë, kur kthehej pas një vizite turistike në ShBA, ashtu siç bëri diktatori Stalin, kur shkarkoi në ajër, pa mëritur në Atdhe, marshallin Zhukov, thjeshtë se mendonte të ishte kundërshtar i tij politik. Ja, kjo është politika partiake staliniste në Shqipëri, që frenon zhvillimin dhe me brutalitet shkel ligjet, mohon punët dhe përpjekjet e njerëzve pasionant e të përkushtuar për arsimim, dije shkencore e përparim dhe pa shkak të shkel me këmbë dhe të hedh poshtë, si të jesh llozhër.
Një ditë tjetër fola gjatë në telefon me shokun e fëmijërisë, të shkollës dhe të punës, me atë që të gjithë i flisnim shkurtër me dashuri dhe intimitet Zako, me Zeqir Xhelon nga Karabashi i Vlorës, po qe dhe ai banon ne Nju Jorkun e madh të Amerikës. Ai edhe në moshë 75 vjeçare punon, si ekonomist, sepse pati mirësinë dhe vullnetin e madh të mësojë në moshë të madhe anglishten e Amerikës dhe të njësoj nivelin arsimor në universitare me sukses, po ka ndjekur e përfunduar disa specializime pasuniversitare, të nevojshme për t’u punësuar në administratën amerikane. Zakua i mirë ka ndikuar që të shkollohen e të specializohen këtu në Amerikë, jo vetëm fëmijët e tij, po ka tërhequr dhe një mbesën e vetë çupën e Flamur Liços, për të cilën ai ndjen kënaqësinë të thotë se i tejkaloi parashikimet dhe shkallën mirënjohjes, se jo vetëm përfundoi me rezultate maksimale studimet, por u bë dhe mjaftë e kërkuar në profesionin e saj si ekonomiste. Kjo më gëzon shumë dhe mua, që te sukseset e pasardhësve të Zeqir Xhelos shikoj të plotësuar talentin e hershëm të tij për ekonominë, statistikën dhe matematikën dhe vullnetin e tij të pashoq për punët shkencore.
Pas një jave mora në telefon një tjetër shqiptaro-amerikan, shokë të shkollës së mesme financiare në Tiranë, përmetarin Tasho Joanidhi, ish kontabilist e financier në zë. I ardhur bashkë me fëmijët Tashua e kalon kohën më së shumti me Shqipërinë dhe Përmetin e tij të dashur, duke shëtitur kur i jepet mundësia nga një stacion radioteleviziv te tjetri, duke u takuar direkt, apo duke biseduar në telefon me miq shqiptarë në Amerikë e gjetiu. Më tha se takohet ose bisedon në telefon çdo ditë me Thoma Dervishin, një tjetër shok të mirë shkolle. Lëvizja me autobus këtu ne Amerikë për pleqtë është falas, ndërsa në përgjithësi bisedat telefonike janë me çmime relativisht të ulëta. Këto nuk ishin problem për Tashon, që përfitonte nga politikat shtetërore sociale si, asistencë të fituar si azilant politik dhe ulje të tjera në tarifat për qira, drita, ujë etj. Tashua më pyeti një për një për shokët e përbashkët nga Vlora e Tirana dhe shprehu keq ardhjen e thellë për ndonjë që nuk rron më. Ai më shpjegoi se priste me padurim muajt e verës, kur e kalon kohën shumë më këndshëm e dobishëm se merret me punimin e bahçes dhe shërbimet në zarzavatet që mbjell, prashit, plehëron dhe vjel me duart e tij, ende të forta.

Thuajse çdo ditë bisedojmë në telefon apo lidhemi nëpërmjet kompjuterit me Petraq Palin, Sillo Muçkën, Axhem Gjonin, Niko Gjyzarin, Spiro Naqon, Robert Martikon, Reshat Kripën, Namik Shametin dhe shokë të tjerë në të gjithë botën, që tani është afruar si asnjë herë. Lajmet për Shqipërinë, shokë, miqtë dhe të afërtit janë objekt i përhershëm bisede e diskutimi.
Një ditë u lidha dhe folëm gjatë me Tekiun, vëllain e shokut tim të hershëm Qamil Gjonzeneli. Të gjithë djemtë e kësaj familje teë nderuar patriote vlonjate kanë emigruar herët, qysh në vitet e para pas demokracisë për në Amerikë, ku qysh para 50 vjetësh është vendosur i pari shoku im Qamili, vëllai më i madh i tyre. Ai, ish kampion noti dhe mësues fizkulture në Shqipëri, pati guximin e rrallë të përshkonte me not distancën Sarandë- Korfuz, u hodh në Greqi dhe arriti deri në Amerikë, ku dhe studioi e doli një ingjiner i shquar i elektronikes. Pas kësaj vëllezërit e tij Tekiu, Murati dhe Memishau, në Shqipërinë komuniste, u ndoqën e u persekutuan dhe përballuan në kurriz të tyre reprezaljet dhe dhunën komuniste, duke vuajtur dhjetëra vite burg, internim e punë të rënda fizike, po duke ruajtur kurdoherë krenarinë .
Teki Gjonzeneli, një burrë zakoni dhe me prirje letrare, artistike e sportive, midis të tjerave është kujdesur për nxjerrjen në drite të ditarit të xhaxhait të gruas së vetë, patriotit Reshat Agaj, nga familja e shquar e Agajve të Smokthinës në Vlorë. Një kopje të printuar të origjinalit të këtij libri, Tekiu, nëpërmjet vëllait të tij Memisha Gjonzenelit ma dërgoi mua dhe më porosite diç të shkruaja, pasi ta lexoja atë.

Sapo mbarova së lexuari librin e Reshat Agaj ‘Vëllai i Pengut”, dërguar nga shoku im Teki Gjonzeneli, që në të njëjtën kohë është kujdesur edhe për botimin e librit. Ndjeva dhimbje edhe keqardhje për kalvarin fatal të jetës së tij të mundimshme dhe jam ende i shokuar dhe i çuditur nga rrjedha e ngjarjeve.
Në këtë libër interesant Reshat Agën si njeri, e gjeta ashtu si e prisja: Të shkolluar, kontabilist, bankier, stenograf gazetar, përkthyes dhe gjithnjë atdhedashës.

Gjatë kohës që unë isha në Çikago të Amerikës, natyrisht nuk ndenja gjithë kohë brenda shtëpisë, me dorezën e telefonit në dorë e në vesh, apo duke lexuar, shkruar e lundruar në internet. Shpesh, me gjithë kohën e keqe dhe borën e pareshtur, dola e shëtita, më shume me makinë, po dhe më këmbë.
Shoqërues dhe nisiatorë për lëvizjet në rrugët e Çikagos dhe për njohjen më të mirë të qytetit, u bënë djali im Ani, nusja Dela, po dhe vlonjatët e nderuar miqtë e mi, Dalan Luzaj dhe Llazar Basko.

Janë të paharrueshme vizitat në “Tregtoren e madhe Westfield”, në “Akariumin Sheed”, në “”Tempullin e Bahait” dhe në Kafenenë e rrugës Rosvelt, ku takova Fatmirin, djalin Vlonjat që kish vendosur pas 10 vjetësh të kthehej në Atdhe. Për këto ngjarje interesante kam bërë përshkrime të gjera e të posaçme. Me që jemi te përshkrimet, dua të paraqes një të vërtetë që fshihet pas një protagonisti, me emrin e sajuar Fatmir… Fatmiri i vërtetë është djali i ish mikut tim të dashur e të paharruar Mihal Naqo. Ai, i vërteti, pasi e lexoi shkrimin dhe e cilësoi të pëlqyer dhe besnik të ngjarjeve reale, (si i kish treguar vet) ra dakord që të identifikohet. Është inxhinieri vlonjat Gjergji Mihal Naqo ai që me 10 vjet përvojë amerikane, vendosi të kthehet për të punuar e jetuar në Shqipëri, çka mua më gëzoi, me shpresë se shembulli i tij do ndiqet dhe prej djemve të tjerë emigrant në Amerikë dhe në mbarë botën.

Edhe të tjera herë këtu, në Çikagon e pafundme, kam lëvizur me makinë në tregtore për psonisje, në klinikë mjekësore për vizitë, në shkollë për të shoqëruar nipin, në kafenetë dhe çajtoret e qoshkave për kafe, si dhe në dreka e në darka shoqërore e familjare. Po kështu kam shëtitur më këmbë, disa kilometra në ditë në rrugët e afërta Miçigan, Indjana, Rozvelt, deri te Milja Magjike,apo Kullat e Ujit, si dhe në Zonën Muzeore dhe për rreth bukurive mahnitëse të “Parkut të Madh” buzë liqenit Miçigan.
Në një ditë të shtune, ditë e shenjtë ujkendi për amerikanët punëtorë, erdhi me makinën e tij, pasi lajmëroi në telefon, Dalan Luzaj, miku më i nderuar që kemi në Çikago, ai që u tregua si babai i dytë i djalit tim emigrant. Dalan Luzaj poet, është njëkohësisht Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Ai, me këtë rast, sa më takoi më tha: Kam organizuar një takim për të pirë kafe dhe për të biseduar me disa shkrimtarë shqiptarë, të shoqatës sonë, që banojnë këtu, në Çikago. Dhe unë, në mall për shokët e mi të Vlorës e të Tiranës, pse mos të bëja shokë e miq të ri?

Me autoveturën japoneze të Dalanit u nisem drejt veriperëndimit dhe pasi përshkuam rreth 15 kilometra rrugë me trafik të rënduar, mbërritëm në afërsi të Ok Parkut, në periferi të Çikagos, ku e ka afër edhe vilën e tij komode tre katëshe Dalani dhe aty, te një kafebar qosheje, zumë vend në një tavolinë katërkëndëshe. Aty gjetëm dr. Mihal Aleksin, me origjinë nga Qeparoi i Vlorës dhe mësuesin veteran Thanas Hodaj, me origjinë nga Labova Zhabës, Gjirokastër.

Për të dy bashkëbiseduesit kisha dëgjuar fjalët më të mira. Mihal Aleksi, mjek human në qytetin e Fierit, dallohej këtu për shërbimet që i bënte emigranteve shqiptarë me përkthimin dhe përshtatjen e disa librave të mjekësisë dhe ndihmën direkt mjekësore, ndërsa Thanas Hodoja, dikur mësues në Tepelenë, bashkënxënës në Gjirokastër me Ismail Kadarenë dhe Agim Shehun, ishte krijues i rrëfenjave të bukura, përvojë e jetës së tij të gjatë e të mundimshme.

Biseda rreth krijimtarisë letrare në diasporë nga poetë e shkrimtarë shqiptar, ishte objekt i diskutimeve të zjarrta, aqsa nuk e morëm vesh si ikën orët. Na ngeli fare pak kohë për të zënë në gojë me admirim e mall të njohurit tanë të përbashkët nga Shqipëria. Fjala kaloi dhe te politika e sotme kontradiktore e Partive opozitare në Shqipëri, te demonstratat e dhunshme dhe vrasjet makabre. Unë u dhurova dy librat e mia me rrëfenja vlonjate, me qëllim që ata t’ia kalonin për lexim njeri tjetrit. Pas dy ditësh Thanasi më mori në telefon dhe i entuziazmuar, më “qortoi”, që e kisha lënë pa gjumë me ato tregime, që sollën protagonistë shqiptarë në Amerikë, që iu duken interesante, me persona diku të njohur edhe nga ai dhe që paraqisnin, më së shumti, respektin e dashurinë e autorit.

Përsëri Dalani i palodhur organizoi takimin tjetër me shqiptarë të zgjedhur dhe këtë radhë veç Thanas Hodajt kishin ardhur dhe aktori i spikatur Pandi Siku, si dhe vlonjati i moshuar Maliq Agaj, djali Shero Eminit të famshëm nga Smokthina, komisionarit të Luftës së Vlorës të vitit 1920. Biseda ishte interesante dhe gjithnjë u kujtuan me respekt miq e shokë të njohur e të përbashkët nga Shqipëria jonë e dashur, që kanë kontribuar ndër vite për letrat, arsimin, teatrin shqiptar dhe në sfera të tjera, ose që lanë emër të mirë e dhanë kontribut për Shqipërinë. Më bëri përshtypje të veçantë ajo që më tha Maliqi dhe që vërteton atë që kam dëgjuar shpesh se: në Amerikë nuk të lënë të vdesësh.
“Erdha këtu në Çikago, te njerëzit e mi nga Vlora, para 10 vjetësh. Ndenja sa u ngopa dhe vendosa të kthehem serish në Vlorën time të dashur, ndofta për të ngrysur atje vitet e fundit të pleqërisë. Kisha prerë dhe biletën e kthimit, kur nga një dhimbje e beftë në bark më shtrojnë urgjent në spital. Pas diagnostikimit dhe analizave të shumta u konstatua kancer në stomak. Dhashë pëlqimin dhe ma hoqën stomakun e më krijuan mundësi e shpresë për të rrojtur nën kujdesin mjekësor, mbase edhe dy tre vjet. Kam dhjetë vjet kështu, që në Shqipëri nuk vete dot, se duhet të jem nën kujdesin e specialistëve të mjekësisë Amerikane, po dhe këta… nuk më lënë të vdes. E ndjej veten të përtërirë dhe vrapoj të takohem me shqiptarët e këtushëm dhe me këdo që vjen prej andej, për të shuar mallin e vendit tim, ku çështë e vërteta mund të vdes sapo të vete. Pra në Amerikë nuk të lënë të vdesësh dhe jeta ime këtu çdo ditë është qelepir”.
Nuk do ta harroj vizitën e mirëseardhjes që bëri Dalani me Buqen, gruan e tij aq miqësore, në shtëpinë e djalit tim dhe pas tij edhe vizitat e mirëseardhjes të djemve të Dalanit dhe të grave të tyre. Këto ishin çaste të bukura, që do mbahen mënd gjatë dhe që më bindën edhe mua se djali im, i mërguar kaq larg, këtu në Çikagon e Madhe, nuk është i vetëm, po midis vëllezërve të mirë, të ditur e të fuqishëm.
Vizita e kthimit, bashkë me gruan time sipas traditës shqiptare, pas ca ditës në shtëpinë e Dalan Luzajt, vërtetë na la mbresa të pashlyeshme. Vila trekatëshe ishte në pjesën veriperëndimore të qytetit, e gjerë dhe komode, e pajisur këndshëm me mobilie e orendi klasike, perde të renda në dritaret dhe piktura të bukura në muret. Aty banonte çifti i lumtur i të moshuarve, që vazhdonte të punonte, ndërsa të katër fëmijët të martuar, ishin secili në shtëpitë e punët e veta dhe me fëmijët e tyre të gëzueshëm dhe ata, pa përjashtim, vinin herë pas here si mysafirë te prindërit.

Një tjetër protagonist tepër i rëndësishëm, që e bëri të larmishme jetën time në Çikago është padyshim dajë Llazari. Llazar Basko është daja i Adeles, nuses sonë dhe kështu, quhet dhe është “daja” i të gjithë miqve dhe të afërmve tanë në Çikago. Ai është vërtet në rolin e një dajoje shqiptar, që sipas traditës reciprokisht “merr deri gjak” për nipin e vet. Llazar Baskoja, përkatësisht daja edhe i djalit tim, i është ndodhur tim biri për çdo gjë dhe ja ka lehtësuar jetën fizike dhe shpirtërore çiftit të ri. Ai, dhe vëllai i Adelës, Tomi Kola, (tani veprimtar i njohur i ekonomisë Shqiptare) dhanë ndihmesë e kontribut të posaçëm me vlerë, që ata u martuan, u shkolluan dhe u trashëguan. Ata ju gjendën çiftit të ri pranë, me ndihma kreditimi e deri ushqimi, në ditët e vështira të rritjes dhe zhvillimit, ku tradicionalisht kalon çdo emigrant.

Pak më lart shkrova, jo pa qëllim për restorante austriake e greke, po kështu pafundësisht këtu mund të cilësosh lokale me përkatësi në origjinë: meksikan, kilian, kinez, indian, vietnamez, italian, polak, izraelit, pse jo dhe shqiptare, pra nga e gjithë bota.
Meqë jemi te restorantet, dua të them dhe dy fjalë për kulinarin e Çikagos. Unë diku lexova në internet se Çikagos i thonë edhe “qyteti i biftekut”. Edhe këtu mesa duket, njerëzit e kanë mendjen edhe te pjata, si një nga dy kënaqësitë kryesore të jetës. Në Çikago provuam pjata gjelle në disa restorante për drekë dhe për darkë. Dreka është e çështë, se diku të jep kënaqësi për cilësinë dhe shërbimin, por darka me gati dyfishin e madhësisë së pjatës së drekës, të lë pa mënd. Kjo, si në lokalet e qendrës së Çikagos, po dhe sidomos në restorantet e famshme masive “Çiz Kejk”. Të tilla ka kudo në Çikago. Ato janë vendosur në godina të zakonshme, atje ku ka më shumë dendësi banorësh. Natyrisht në Çikago ka restorante tepër luksoze për të pasurit. Kudo shërbimi, qysh në pritje e shoqërim dhe sidomos buzëqeshja dhe sjellja e kamarjereve të shërbimit, është e jashtëzakonshme. Kjo shpjegohet se këtu kamarjarët paguhen minimalisht dhe mbahen e plotësohen nga shpërblimet e klientëve, pra direkt se si të shërbejnë e të buzëqeshin. Çmimet gjithashtu ishin më të ulta nga shtetet e tjerë dhe të krahasuara me Shqipërinë, po të gjykojmë nga gramatura, ishin të barabarta, ose më të lira.

Unë një herë te “Çiz Kejku” afër Aeroportit O’Heri. porosita, veç të tjerave, një pjatë makaronash me karkaleca deti. Befasinë që më solli në shije kjo pjatë dhe kënaqësinë që më krijoi, jo vetëm që nuk e kisha hasur kund, po besojëse do ta mbaj mend për shumë kohë. Një herë tjetër porosita biftek viçi dhe veç kënaqësisë që ndjeva, nuk munda të përtyp as gjysmën e tij. Tjetër ndjesi e mirë ishte buka e ngrohtë me shije të veçantë, si dhe gotat me ujë të ftohtë me akull, që ngeleshin gjithnjë plotë, se një kamarjer i posaçëm i mbushte, sapo firosnin pak.
Popullsia e Çikagos është relativisht e re. Ne vitin 1850 qyteti kishte vetëm 30 mije banorë, po pati ritme rritje nga më të lartët në botë, sepse ne vitin 1890 arriti në 1 milion, në vitin 1900 arriti në 1, 7 milion dhe në 1910 në 2.7 milion.

Sipas vlonjatit Memisha Gjonzeneli, që është anëtar i kryesisë së Shoqatës Shqiptaro Amerikane për qytetin e Çikagos, këtu ka edhe mbi 30 mijë Shqiptarë. Shqiptarët e Çikagos krenohen me bashkatdhetarët e tyre të origjinës, vëllezërit Belushi, artistë të shquare dhe për Amerikën, që janë njëkohësisht qytetarë nderi të qytetit të Çikagos. Këtu kaloi shumë vite të emigracionit të tij të gjatë, politikani i shquar nacionalist, vlonjati Isuf Luzaj, autor i më se 100 librave të filozofisë, letërsisë, historisë, folklorit dhe poezisë. Doktor Profesor Isuf Luzaj ka pasur meritën të jetë një nga dhjetë mësuesit e shquar amerikanë që i është dhënë dekorata e lart “Profesor Emeritus” direkt nga Presidenti Ronald Regan.
Të rinjtë shqiptaro amerikanë të Çikagos bëjnë përpjekje të lavdërueshme për shkollim, duke u dalluar edhe midis vendasve të hershëm, si dhe të ardhurit nga Shqipëria, shumica në 20 vitet e fundit, dallohen si qytetar të qetë, punëdashës e solidar, që paguajnë rregullisht taksat shtetërore, çka formon kërkesën bazë të qytetarisë dhe mirësjelljes amerikane.

Nga: Luan Cipi