Erioni: Fitues te BB5 shoh Ermalin ose Liamin.

Nga Dinejda
Shkruar ne 21 Maj 2012 ora 4:04pm

Erioni ka lënë shtëpinë e “Big Brother” spektaklin e së shtunës, duke i hapur rrugë Ermalit, Françeskës, Gentës, Liamit dhe Arbrit që të jenë finalistët e edicionit të pestë. Pavarësisht kësaj, ai shprehet se ndihet fitues. I komentuar shumë për historinë e tij me Klaudjan brenda shtëpisë, Erioni ende nuk i ka sqaruar situatat. Do të flasë me ish të dashurën e tij që ndodhet në Greqi e po ashtu me Klaudjan, e cila i deklaroi publikisht se nuk do ta priste sa ai të sqaronte situatat e tij. Nga ana tjetër, Erioni është ende i paqartë nëse do të qëndrojë në Tiranë apo do të kthehet sërish në Greqi, edhe pse e pranon se Shqipëria i pëlqen shumë.

Vetëm një javë para finales së madhe, publiku të voton për të dalë nga shtëpia. Je ndier keq që nuk munde të ishe mes finalistëve?

Fakti që kam qëndruar në shtëpi një javë para finales, është sikur të kem arritur në finale dhe ndihem fitues. Nuk do të thotë se fitues është vetëm ai që merr lekët.

Tashmë kemi pesë finalistët e “Big Brother Albania 5”. Mendoje se do të kishte edhe një të eliminuar pas teje?

Besoja se do të ishin katër banorë që do të shkonin në finale, pasi më kanë thënë që çdo vit kaq kanë qenë. Mendoja se bashkë me mua do të dilte edhe Françeska, për faktin e vetëm se hamendësoja që ndoshta publiku ka dashur të shohë vetëm njërin prej tyre aty brenda, duke qenë se kanë qenë çift nga fillimi.

Çfarë ke bërë orët e para jashtë shtëpisë?

Gjëra njerëzore, ato që më kishin munguar brenda. Pavarësisht fotove ose një interviste, të tjerat kanë qenë relaks në shtëpi dhe biseda lidhur me lojën dhe sjelljen time.

E ke takuar Klaudjan?

Akoma jo.

Si do të vazhdojë historia juaj? Do të ketë sqarim për atë që ndodhi?

Mendoj se do ketë. Unë akoma nuk kam arritur të flas as me vajzën që ndodhet në Greqi. Sapo t’i kem sqaruar gjërat do ta them hapur se çfarë do ndodhë, nuk kam arsye të fshihem.

Ka qenë pasiguri në ndjenja mënyra se si je sjellë me Klaudjan apo jo?

Qëndrimi im ishte shumë i saktë dhe unë veproj ashtu siç mendoj. Unë kam menduar të respektoj edhe vajzën që kisha lënë jashtë edhe Klaudjan, sepse nuk ishte e vështirë që unë të puthesha me Klaudjan apo të bëja diçka më shumë, por tregova respekt. Kjo është sjellje burrërore mund të them. Unë nuk i ngatërroj gjërat. Me sa Klaudja u shpreh kur hyri në shtëpi, më tha se nuk do të pres dhe këtë do ta sqarojmë sërish. Në këtë rast nuk do të ketë asgjë mes nesh, por vetëm një miqësi nëse Klaudja do të dojë. 

Çfarë reagimi pret nga vajza me të cilën ke qenë i lidhur?

Nuk di çfarë pres, në kuptimin e sjelljes së vajzës ndaj meje. E respektoj shumë si femër, si vajzë, si person, si karakter dhe si njeri. Fakti që unë vendosa të mos hyja në një lidhje me Klaudjan është një respekt ndaj asaj.

Jashtë është përfolur edhe për një lidhje tënden në Tiranë, me një vajzë që u tha se është shoqja e Klaudjas. Si qëndron e vërteta?

Ishte një flirt mund të them ose një shoqëri 10-ditore që nuk mund ta quaj lidhje. Unë kam biseduar në shtëpi edhe me Kladujan për këtë gjë dhe ajo më ka treguar se e njihte vetëm prej një muaji dhe kjo nuk mund të quhet shoqe e ngushtë.

Mendon se do të falë ish e dashura jote?

Nuk mund të them asgjë pa e parë në sy, sepse vetëm me shikim mund ta kuptoj. Nëse një person e do realisht dhe e dashuron, besoj se një gabim edhe mund të falet. Edhe nëse ndodh e kundërta, ajo ka të drejtë, sepse mund të ketë qenë gabimi im. 

Çfarë e krisi lidhjen tuaj?

Distanca. Unë u ktheva në Shqipëri, sepse nuk doja të lija babanë vetëm pas asaj që na ndodhi, ndërsa ajo nuk mund të vinte. Të gjithë ata që kanë ose kanë pasur një lidhje në distancë më kuptojnë shumë mirë, është shumë e vështirë.

Do të kthehesh në Greqi?

Ende nuk e di. Janë gjëra që duhen sqaruar, nuk është vendim që do ta marr brenda një dite. Do të shoh çfarë do të ndodhë me jetën time.

Çfarë do të bënte të ktheheshe apo të mos ktheheshe atje?

Puna është një nga arsyet kryesore. Unë kam shprehur dëshirën të hap një lokal këtu. Nëse do të mundem, mund edhe të mos kthehem në Greqi, do rri këtu. Shqipëria është shumë e bukur dhe Tirana po ashtu. Kam bërë shumë gabim që kam ndenjur kaq shumë kohë larg familjes dhe larg Shqipërisë.

Të kthehemi edhe njëherë te finalistët, cilin prej tyre shikon fitues?

Shoh dhe dëshiroj Ermalin. Edhe pse duket se do ketë një përballje të fortë me Liamin, ndryshon taktika dhe mënyra e lojës së njërit me tjetrin. Ermali ka bërë një lojë shumë të bukur, nuk ka përdorur lidhjen e tij për përfitim në lojë, lidhjen e ka aq sa duhet dhe vazhdon lojën e vet. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Françeska dhe kjo më pëlqen tek ai çift.

Banorët të kanë akuzuar shpesh se je natyrë e fjetur. Je i tillë edhe jashtë?

Kjo është sjellja ime dhe ajo që bën dallimin nga të tjerët. Me këtë sjellje arrita në gjysmëfinale dhe nuk është pak. Çdo gjë e marr me logjikë, çdo gjë e mendoj para se ta them dhe kjo është më e sakta.

Nuk u jepesh ndonjëherë impulseve?

Me raste po, çdo njeri ka pikat e veta, por shumicën e herëve gjithmonë i logjikoj gjërat, sepse del mirë.

Cilët do mbeten miqtë e tu edhe jashtë shtëpisë?

Pak nga ata që kanë qenë në shtëpi. Nuk mund të kesh miqësi me 26 persona të tipave dhe karaktereve të ndryshme. Do të shoh marrëdhënien që do kemi jashtë shtëpisë.

Si do ta përshkruaje eksperiencën tënde?

Do ta krahasoja me dy aventura: “Xhiro rreth botës në 80 ditë” dhe “Liza në botën e çudirave”. Çdo gjë mund të ndodhë aty brenda, edhe kur nuk e pret. Është një aventurë e papërsëritshme dhe do kisha dëshirë ta bëja përsëri.

Cili ishte qëllimi që u bëre pjesë e këtij ‘reality show’?

Ka qenë që herët dëshira e mamasë sime. Kur im atë ma ka thënë këtë, unë kam aplikuar për të. Prindërit e mi kishin aplikuar për mua që në edicionin e parë të “Big Brother”. Atëherë më telefonuan, por unë isha në Greqi dhe nuk e lija dot shkollën. Atëherë nuk ia plotësova dot dëshirën, por po të ktheja kohën mbrapsht, do i lija të gjitha e do vija këtu në “Big Brother”.