Eurovision, prova e parë në skenë, Rona Nishliu mahnit me vokalin.

Nga Dinejda
Shkruar ne 14 Maj 2012 ora 12:26pm

BAKU – Vetëm pak ditë na ndajnë nga festivali europian i këngës, Eurovision, dhe përfaqësuesja e Shqipërisë, këngëtarja nga Mitrovica Rona Nishliu, ka bërë me të vërtetë përshtypje me vokalin e saj, në provën e parë në skenën e Azerbajxhanit.

Rona Nishliu këndoi këngën e saj ‘Suus’, e cila u prit mjaft pozitivisht nga kritika. Siç shkruan sajti zyrtar i Festivalit Europian, kënga e cila u interpretua totalisht në gjuhën shqipe ishte shumë bindëse dhe profesionale, dhe se Rona nuk kishte aspak nevojë për mbështetje vokale nga zëra të dytë. 

Kjo është prova e parë ku bëhet një kontroll i zërit, ndërsa në provën e dytë do të zbulohen detaje për mënyrën e prezantimit në skenë, veshja dhe shoqëruesit, të cilat mbeten ende surprizë.

Kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision këtë vit është pëlqyer shumë nga dëgjuesit, të cilët kanë bërë komente të shumta në Youtube dhe sajte të tjera muzikore.