Eurovizion, Rona Nishliu sot në finale

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Maj 2012 ora 4:34pm

Rona Nishliu do të performojë sot e treta në natën finale të Eurovizion, në skenën Crystal Hall në Baku të Azerbajxhanit.
Pas përzgjedhjes së finalistëve, gjatë një konference për shtyp, u hodh shorti ku Nishliu zgjodhi numri 3. Kënga “Suus” e shkruar nga vetë këngëtarja kosovare dhe e kompozuar nga Florent Boshnjaku, ka arritur të shkojë në finale.

Finalja e Eurosong mbahet sonte dhe transmetimi i saj fillon në orën 21:00. Rona Nishliu këndon e treta dhe kodi ku shqiptarët në diasporë mund ta votojnë është 03. Në sondazhet e “Wiwi Bloggs”, që i dedikohet Festivalit Europian të këngës, Shqipëria me 1551 vota është një ndër tre këngët më të mira, pas Suedisë me 3032 vota e Rumanisë me 2538. 

Edhe këtë vit votimi i konkurrentëve u nda 50 me 50 mes jurisë profesioniste të çdo vendi dhe televotimeve të publikut.
Këngëtarja që përfaqëson Shqipërinë do të konkurojë për çmimin e madh sëbashku me shtetet si Greqia, Rusia, Austria, Finlanda, Izraeli, Mali i Zi, Zvicra, Malta, Turqia, etj. Rona Nishliu është krahasuar nga mediat e huaja për zërin e saj si Aretha Franklin apo mbretëreshën e muzikës “funk”, Chaka Khan.

Dje, një ditë para finales, që mbahet sonte në Baku të Azerbajxhanit, talenti që u krahasua me Aretha Franklin, rrëfeu për “Gazeta Shqiptare” emocionet e 22 majit, kur ajo këndoi e qau për Shqipërinë në skenën e Festivalit Europian. Për të, emocionet e asaj nate kanë qenë më të mëdhatë e jetës së saj, e megjithëkëtë ajo ia doli të merrte duartrokitje gjatë interpretimit. Veç kësaj, Rona na tregon pritshmëritë e shpresat për finalen e sotshme dhe urimet e pafundme që ka marrë, edhe nga krerë të lartë të shtetit.
Rona, ia dole të përcillje përmes këngës dhe zërit atë që ndjeve ditën e tragjedisë. Sa e vështirë qe për ty?
Kisha emocione të mëdha, madje do të thosha emocionet më të mëdha që kam përjetuar ndonjëherë në skenë. Ndikimin më të madh për këto emocione e kishte tragjedia e ndodhur në Himarë ku humbën jetën 13 studente, 13 shpirtra. Jam ndjerë shumë keq dhe e kam përjetuar thellë atë që ndodhi, çka edhe u reflektua! Madje e pata të vështirë, më tronditi. Ju shpreh ngushëllimet e mia familjeve të studenteve.
Megjithatë e mposhte “dhimbjen”…!
Mendoj se edhe fati ishte në anën tonë. Unë bëra më të mirën time edhe pse në atë gjendje… Jam e lumtur që ia dola mbanë dhe jemi të lumtur të gjithë si ekip.
Përveç medias shqiptare, edhe ajo e huaja iu ka kushtuar një vëmendje të madhe…
Edhe ky është një fakt që e bën të ndihet mirë ekipin shqiptar në Baku, vëmendja dhe vlerësimi i tyre na ndihmojnë.
Veç vlerësimeve të mediave dhe publikut, a keni marrë të tilla nga kolegët që konkurrojnë në Festivalin Europian?
Po, dhe kjo është interesante. Një pjesë e këngëtarëve kanë qenë të hapur në urimet e vlerësimet e tyre, çka edhe më ka befasuar deri diku. Ndër urimet e para që kam marrë ka qenë nga Gjeorgjia, që madje e shihte këngën si favorite, por më pas nga këngëtari turk, nga San Marino, nga Finlanda, Islanda, Danimarka, etj. Më ndjeni, por nuk i kujtoj të gjitha.
Në youtube qarkullon një video, ku një vajzë kineze këndon këngën tuaj… Duket se e ka mësuar këngën përmendësh por edhe gjuhën shqipe… E keni parë?
(Qesh). Jo, nuk e kam parë, por më kanë thënë miqtë dhe familja kur kam folur me ta.
Shihet një mbështetje e gjerë nga bashkatdhetarët jashtë, por edhe në Kosovë e në Shqipëri. Ju, mund të na veçoni ndonjë mesazh urimi që keni marrë?
Kam marrë shumë, shumë mesazhe, e kjo më ka bërë të ndihem vërtet mirë. Nuk kam pasur mundësi t’i lexoj të gjitha, ose së paku ato mesazhe që kanë ardhur në rrjetet sociale, por i falenderoj për mbështetjen. Nga ana tjetër jam ndjerë veçanërisht e lumtur që më ka uruar personalisht edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, por edhe ministri shqiptar i Kulturës, Aldo Bumçi. Unë i falenderoj për mbështetjen dhe për urimin sepse këto na kanë bërë jashtëzakonisht të lumtur. Madje me këtë rast, i falenderoj edhe një herë ata që patën besim tek unë dhe më zgjodhën për të përfaqësuar shqiptarët. JU FALEMINDERIT!
Sot, është dita e madhe, finalja. Cilat janë pritshmëritë?
Ne jemi përgatitur si ekip, ashtu siç ishim përgatitur për gjysmëfinalen. Besoj se do të dalim mirë. Vëmendja që na është kushtuar deri sot, na e jep këtë përshtypje. Mendojmë se edhe në finale si në gjysmëfinale do dalim mirë. Më japin akoma më shumë krahë duartrokitjet e publikut, një publik i huaj që e shoqëron këngën me vlerësim.
Kjo do të thotë se ju jeni ‘gati’?
Po, jemi gati, jemi përgatitur, jemi të motivuar! Besoj se bashkarisht do t’ia dalim mbanë. Ne dalim në skenë të tretët dhe shqiptarët në diasporë mund të na votojnë me kodin 03.