FALSIFIKIMI I PASAPORTAVE, ZBULOHET SKEMA NË GJYKATË

Nga Dorjan
Shkruar ne 08 Apr 2012 ora 2:00pm

Tiranë, Gjykata liron vetëm aplikanten, falsifikatorët mbeten në “burg pa afat”

Kosovarja e mori për 2 mijë euro, arrest tre të dyshuarve.

Zbardhet një nga skemat e falsifikimit të pasaportave biometrike me identitete të vjedhura shqiptarësh për shtetasit kosovarë. Fillimisht duheshin paguar 200 euro dhe, sipas Policisë, shuma përfundimtare e një pasaporte me identitet të vjedhur shkon në 2000 euro. Detajet zbulohen në vendimet gjyqësore të caktimit të masave të sigurisë për tre shtetas kosovarë dhe një shqiptare të arrestuar pak ditë më parë nga operacioni policor “Aplikantja”. Burime pranë Gjykatës konfirmuan caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarit Qëndrim Beqaj, Luan Tetaj dhe Pranvera Lika. Vetëm e dyshuara Fatlinda Tetaj është liruar nga prangat me vendim gjykate. Ndaj saj gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Pas arrestimit të tyre në javën e fundit të marsit, Policia shprehu zyrtarisht dyshimet se të arrestuarit ishin përfshirë edhe në disa raste të tjera të aplikimit të pasaportave biometrike me identitet të vjedhur. “Dyshohet se duke përdorur gjeneralitetet e një shtetasi me banim në Tiranë, kanë aplikuar për prodhim pasaporte biometrike edhe për disa shtetas të tjerë kosovarë kundrejt pagesës prej 2000 euro për një pasaportë”, tha Policia e Shtetit. Sipas hetimeve, pasaportat biometrike do të kishin gjeneralitete të vjedhura shqiptarësh, me fotografitë e shtetasve kosovarë. Sipas hetimeve, aplikantja do të udhëtonte në Belgjikë me pasaportën biometrike duke përfituar nga regjimi pa viza, pasi atje kishte të fejuarin e saj.
SKEMA SIPAS GJYKATËS
Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se, më datë 23.03.2012 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Qëndrim Beqaj, Fatlinda Tetaj, Pranvera Lika dhe Luan Tetaj, për veprat penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave” dhe “falsifikimi i vulave, formularëve apo stampave”, të parashikuar nga nenet 189 dhe 190 të K. Penal. Këta shtetas janë kapur në flagrancë pasi shtetasja Fatlinda Tetaj kishte aplikuar pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, Kamzë, Tiranë, për pasaportë biometrike me gjeneralitetet e një shtetaseje tjetër të quajtur Tatjana M., e bija e Hamitit dhe e Sulltanës, e datëlindjes 11.09.1992, lindur dhe banuese në Prezë, Tiranë. Shtetasi Luan Tetaj ka deklaruar se para një jave është takuar me shtetasin Qëndrim Beqaj në Deçan, Kosovë. Aty ka dëgjuar se ky shtetas merrej me nxjerrjen e pasaportave biometrike shqiptare për shtetas kosovarë. Luani i ka kërkuar Qëndrimit për të nxjerrë një pasaportë biometrike për vajzën e tij, Fatlindën. Qëndrimi i ka thënë që ka në Shqipëri një shtetas që quhet Luli, që merret me këtë punë dhe se do t’i fliste në telefon. Qëndrimi ka komunikuar me këtë shtetas dhe pas një ore e kanë telefonuar prapë dhe i kanë thënë që e kanë rregulluar punën. Pas dy ditësh, Luani, së bashku me gocën e tij dhe Qëndrimin, kanë ardhur në Kamzë, Tiranë, dhe e kanë takuar Lulzimin në një lokal. Lulzimi i ka thënë se i ka rregulluar të gjitha dhe se ato femrat që ndodheshin aty afër te tavolina tjetër i kanë punët në dorë. I ka thënë Luanit se është mbaruar puna dhe se fillimisht duhet t’i jepte 200 euro. Pas kësaj kanë ikur përsëri në Kosovë dhe kanë ardhur në Shqipëri më datë 23.03.2012, ku ka takuar përsëri Lulzimin, të cilit i ka dhënë 200 eurot. Lulzimi ka marrë Fatlindën dhe së bashku me shtetasen Pranvera janë larguar për të nxjerrë pasaportën.

2 mije euro është shuma financiare që duhet të paguajë një person i interesuar për pasaportë biometrike shqiptare pa qenë shtetas i Shqipërisë. Sipas Policisë, në disa raste shuma e kërkuar mund të jetë edhe më e lartë.