Familjarët e Agron Aliajt përplasen me Piperon, koreografi shtrohet në spital privat

Nga Dorjan
Shkruar ne 23 Mar 2012 ora 3:48pm

Ka përfunduar me incident një konferencë për shtyp e Drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas Panorama, ai kishte dalë në konferencë për të folur në lidhje me gjendjen shëndetësore të koreografit të njohur, Agron Aliaj, që u aksidentua para disa ditësh. Por siç duket konferenca ka qenë vetëm një shfaqje pasi disa minuta më vonë Aliaj është transferuar në një spital privat. Familjarët për këtë arsye kanë sulmuar Piperon. “Nuk e kuptoj se si mund të vini 5 minuta përpara se ne të nxjerrim babain nga spitali për ta shtruar në privat dhe të tregoni çfarë keni bërë për të, ndërkohë që nuk keni bërë asgjë. E keni lënë në Spitalin Ushtarak në një dhomë me lagështirë, ku nuk kishte as qese urine,” është shprehur djali i koreografit, Cezar Aliaj.

Ndërkohë Refik Halili, biznesmen dhe mik i familjes Aliaj tha se mjekët që i kanë bërë kontrollet e fundit Aliajt kanë deklaruar se ai nuk ka marrë trajtimin e duhur.

Kurse vetë Pipero ka thënë se familjarët janë të ngarkuar emocionalisht dhe se ata nuk kanë qenë bashkëpunues.