Fate në luftën e Kosovës, një përjetim nga Mirela Oktrova

Nga Dorjan
Shkruar ne 12 Qer 2012 ora 1:56pm

Drama njerëzore e luftës në Kosovë dhe personalitete të shkatërruara nga vuajtja reflektohen në fotografitë që gazetarja Mirela Oktrova ka prezantuar në ekspozitën e saj “Fate lufte”.

E çelur paraditen e sotme, në kuadër të përvjetorit të 13-të të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, ekspozita e Oktrovës është një pasqyrim i punës së saj 3 mujore në Kosovë, kur shoqëronte misionin që evakuoi refugjatët e Kosovës nga Maqedonia në Gjermani. “Kjo ekspozitë fotografike është një dëshmi. Është përjetimi më i fortë i jetës sime. Janë fate njerëzish të nëpërkëmbur nga lufta”, tha Mirela Oktrova në çelje të ekspozitës.
Gjithçka nisi një të dielë Pashke në vitin 1999… “Hyrjen në Kosovë e kisha përfytyruar në atë kohë në mënyrë të ndryshme…por kurrsesi e hipur mbi një tank britanik…për vërtetësinë e përjetimit të dikurshëm, sot s’arrin të më bindë dot as çasti i fiksuar në celuloid…”, shkruan Oktrova në shënimet e saj pranë fotografive. 

Janë 110 fotografi të ndara në 4 sektorë dhe 20 shënime. Kryesisht ekspozita përmban portrete kushtuar dramës humanitare gjatë Luftës së Kosovës, konkretizuar në fate fëmijësh dhe të moshuarish, të fotografuar në kampet e refugjatëve të Maqedonisë nga gazetarja Mirela Oktrova.
“Instiktivisht fillova të fotografoja figura që as nuk i lija, as nuk më linin dot. Janë fotografi të momentit pa vënë re personazhet, duke u përpjekur të përftoja dëshmi”, tha Oktrova.

Pjesa e parë e ekspozitës është ikja e parë nga “ferri”, siç e quan Oktrova kampin, pjesa e dytë përmban portrete me shprehje emocionale të ndryshme, me pas vjen largimi i dytë nga “ferri” dhe në fund është epilogu.

“Nga zona e luftës u ktheva pas tre muajsh…Pesha e përjetimeve dukej se do ta pengonte avionin të ngrihej, ndërsa shiu më kujtoi se prej muajsh më ishin shtangur lotët…”, shkruan Oktrova në shënimet e saj.

Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë për publikun në sallën e ekpozitave të Muzeut Historik Kombëtar. Mirela Oktrova është aktualisht drejtore e Televizionit Shqiptar. Ajo gjithashtu është autore e disa botimeve për median.