Festivali i Filmit Europian vjen në Shqipëri

Nga Dorjan
Shkruar ne 02 Maj 2012 ora 2:35pm

TIRANE - Fillon sot në kinema “Millenium” Festivali i Filmit Europian në Shqipëri. Deri në datën 8 maj do të shfaqen 14 filma, nga 10 shtete anëtare të BE-së, çdo ditë nga ora 18:00 deri në 20:30. Të premten, i pranishëm do të jetë edhe regjisori i njohur italian Marco Bellocchio, filmi i të cilit, “Vincere”, do të projektohet në orën 20.30. 

Siparin e festivalit e çel filmi danez “In a Better World”, fitues i Oskait dhe i ‘Golden Globe 2010′ si filmi më i mirë i huaj apo “Wintertochter”, fitues i disa çmimeve në Gjermani dhe në ‘Feature Film Chicago 2011′. Të tjerë filma, ndër prodhimet më të mira të viteve të fundit, që do të shfaqen gjatë këtij festivali janë “Der Ganz Grobe Traum”, (“Leksione për një ëndërr”), “Welcome” dhe “25 kilates”, “Tales from the golden age”, “Tutta colpa della musica”, “Mariage a trois”, “Wintertochter”, si dhe dokumentari “Armadillo”. Sipas titujve, filmat që do të projektohen janë: “Der Ganz Grobe Traum” sot ora 20:30; “Welcome” nesër ora 18:00; “25 kilates” nesër ora 20.30; “Guiness” pasnesër ora 18:00; “The intruder” të enjten ora 20:30; “Attack the Block” të premten ora 18:00; “Sonny Boy” të shtunën ora 18:00; “Tales from the golden age” të shtunën ora 20:30; “Tutta colpa della musica” të dielën ora 18:00; “Mariage a trois” të dielën ora 20:30; “Wintertochter” të hënën 8 maj ora 18:00; “Armadillo” të hënën ora 20:30.