Filipaj, pastruesi shqiptar diplomohet në Columbia University

Nga Dorjan
Shkruar ne 15 Maj 2012 ora 2:46pm

Kur njëzet vjet më parë Gac Filipaj shkoi nga Mali i Zi në Shtetet e Bashkuara, nuk dinte as të fliste anglisht. Në moshën 52-vjeçare u diplomua në universitetin e famshëm Kolumbia të Nju Jorkut,  ku punon si pastrues: ndiqte leksionet në mëngjes dhe punonte 8 orë natën

Historia e një shqiptari po bën bujë këtu në Shtetet e Bashkuara. Ai është Gac Filipaj, një 52-vjeçar me origjinë nga Ulqini, pastrues në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut, i cili të dielën, më 13 maj, u diplomua nga universiteti. Studentët mundohen shumë për të marrë një diplomë, ndërsa Gaci e arriti këtë duke mos u shkëputur nga puna e përditshme si pastrues në universitet.

 

Për afro 20 vjet ai ka fshirë dyshemetë dhe ka pastruar banjat. Por të dielën që shkoi, Gac Filipaj pati plane të tjera. “Këtë të dielë, falë zotit, më në fund do të diplomohem”, lëjmëronte Filipaj javën e shkuar për mediat e ndryshme që u interesuan për rastin e tij.

Gac Filipaj, pastruesi që u diplomua dje në një nga universitetet më të njohura të botës, është në të gjitha mediat amerikane.  Nga CNN e New Jork Times te Zëri i Amerikës, nga gazetat e shkollave deri te portalet e rëndësishme online si Huffingtonpost: të gjithë flasin për historinë e paprecedentë të 52 vjeçarit.

52-vjeçari u diplomua madje me titull nderi. “Unë vërtetova se kam forcë për të përfunduar atë që filloj”.

Gac Filipaj shkoi në Shtetet e Bashkuara nga Mali i Zi në vitin 1992 për t’i shpëtuar luftës. Në atë kohë ai nuk fliste anglisht. Pasi gjeti punë si pastrues dhe pas 7 vjetësh mësimesh anglisht, ai u pranua në universitet. Ndiqte shkollën në mëngjes dhe punonte 8 orë natën. Nuk ishte e lehtë të mësoje gjuhët klasike.

Profesor Peter Awn, Dekan në Universitetin Kolumbia, thotë: “Ai ishte shumë krenar për punën që bënte si pastrues, por edhe për rezultatet e mira në mësime”.

Ndërsa vetë Filipaj thotë se do ta mbajë punën që ka. Ëndrra e tij është të bëhet doktor shkencash në letërsinë klasike greke e romake. Ëndërron të bëhet mësues e të përkthejë në shqip autorët e preferuar

klasikë.

Tani për tani, ai po përpiqet të ketë një vend më të mirë pune, ndoshta si mbikëqyrës i kujdestarëve apo diçka të ngjashme, gjithnjë në Columbia University, po të jetë e mundur.
Nuk është i interesuar të shfrytëzojë studimet e tij për të bërë para. “Pasuria është në brenda meje, në zemrën dhe në mendjen time, jo në xhepat e mi”, thotë Filipaj.

Ka vetëm një pishman: do t’i kishte pëlqyer që baabai të ishte gjallë dhe të gëzonte për arritjet e tij. Vdiq në prill, dhe djali u kthye në atdhe për varrimin, duke u kthyer tre ditë më vonë për punë dhe studime.