Filmi Europian rrëfen ngjarje europiane në Shqipëri

Nga Dorjan
Shkruar ne 03 Maj 2012 ora 5:53pm

TIRANË- Pasditen e sotme u çel në Kinema ‘Millennium’ edicioni i parë i Festivali Europian të Filmit në Shqipëri, i cili për shtatë ditë do të sjellë për publikun rreth 14 prodhime kinematografike europiane.

Filmi i parë që hapi siparin ishte filmi nga Danimarka “Në një botë më të mirë”, prodhim i vitit 2010 nga Susanne Bier dhe Anders Thomas Jensen, ndërkohë që po sot do të shfaqet dhe filmi gjerman “Ëndrra më e madhe” nga Sebastian Grobler. 

Festivali i Filmit Evropian është një iniciativë e EUNIC, Rrjetit të Instituteve të Kulturës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nën kujdesin e Delegacionit Evropian në Shqipëri dhe bën pjesë në aktivitetet që organizohen në kuadër të Muajit të Evropës 2012 në Shqipëri.

Shefi i Politikes, Ekonomise dhe Informacionit në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Clive Rumbold, u shpreh sot, gjatë një konference për shtyp, se në këtë edicion të parë të këtij festivali ka një pjesëmarrje kuptimplotë të vendeve anëtare, e cila reflekton qartë BE-në, ku vendet anëtare i bashkojnë duart për të folur njëzëri, por në të njëjtën kohë ruajnë identitetin e tyre kulturor dhe respektojnë njëri-tjetrin.

Të pranishëm në çeljen e Festivalit ishte edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi dhe Ambasadori i Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen.

Që prej ditës së sotme dhe deri në 8 maj publiku kryeqytetas do të ketë mundësi të shikojë filma nga Italia, Franca, Gjermania, Danimarka, Çekia, Anglia, Belgjika, etj., fitues të disa çmimeve. Pjesë e kalendarit të filmave janë “Gines”, “Njeriu i bezdisshëm”, “Sulm mbi qytet”, “Të fitosh”, etj.

Filmat e përzgjedhur këtë vit, të cilët kanë fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, i lidh një fije e përbashkët; rrëfimi i ngjarjeve të ndryshme mbi Evropën, vendet e saj, gjuhët dhe historitë. Realizimet kinematografike do të shfaqen në Kinema ‘Millenium’, ora 16:00, 20:30 dhe hyrja do të jetë falas.