Fshati digjet, kurva krihet

Nga Reporter
Shkruar ne 23 May 2011 ora 11:58am

Në një kohë kur i gjithë vendi është përfshirë nga protesta paqësore të mbështetësve të opozitës, të cilët kërkojnë të mos cënohet vota e tyre e lirë e 8 majit, kryeministri Berisha ka zgjedhur të flasë për turizmin.

Në një konferencë për shtyp të dhënë në mesditë, Berisha u shpreh se Shqipëria ka hyrë në sezonin turistik dhe fluksi i turistëve po vjen çdo ditë në rritje. “Nuk mund të mohohet fakti se në prill qeveritë vendore ishin të angazhuara në fushatën zgjedhore”, tha ai.

Ai u bëri thirrje të gjithë “qytetarëve shqiptarë, qeveritarëve vendorë, të ndjekin me angazhim të plotë dhe total finalizimin e të gjitha përgatitjeve për finalizimin e sezonit turistik më të suksesshëm”.

“Ne jemi përzgjedhur si destinacioni i parë turistik i planetit. Jemi përzgjedhur si Mis Bota. Le ta vlerësojmë në shkallën më maksimale këtë mesazh të veçantë. Këtë sukses, askush nuk mund ta imagjinonte 5 vjet më parë”, tha kreu i qeverisë , duke përsëritur thirrjen në drejtim të qytetarëve shqiptarë dhe autoriteteve vendore për të ruajtur të pastër ambientin në këtë fillim sezoni turistik.

Ndërsa në lidhje me pyetje të tjera që kanë të bëjnë me situatën në të cilën është futur vendi pas zgjedhjeve të 8 majit, Berisha nuk pranoi të përgjigjej, duke thënë se konferenca kishte të bënte vetëm me çështjen e turizmit.

Në fakt nuk është habitës fakti që kryeministri bën deklarata don kishoteske, kur të gjithë ne e dimë shumë mirë gjendjen e turizmit tonë dhe nivelin primitiv të tij, por është shqetësues devijimi i vëmendjes së publikut nga problemi aktual therës: manipulimi i votave. Thënë ndryshe: fshati digjet, kurva krihet!