FSHF, panik për stadiumin: Kombëtarja, jashtë vendit!

Nga Dinejda
Shkruar ne 01 Maj 2012 ora 1:34pm

TIRANE- Bllokimi i hyrjes së sta diumit kombëtar “Qemal Stafa” e ka kapur në befasi Federatën Shqiptare të Futbollit, së cilës tashmë i duhet të gjejë një impiant të përshtatshëm për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Në fakt, shfrytëzimi i “Qemal Stafës” duket i pamundur në këto momente edhe pse është fakt që tenderi ka shumë muaj që është zhvilluar dhe një situatë e tillë ishte e pritshme. Por, tashmë që gjithçka është bërë realitet, Federata duket tërësisht e papërgatitur. Një gjë të tillë e ka pranuar dje edhe sekretari i përgjithshëm i FSHF-së Eduard Prodani, sipas të cilit, problem janë jo vetëm ndeshjet e ekipit kombëtar, por edhe ato të kampionatit. “Nuk dimë as ku të zhvillojmë finalen e Kupës së Shqipërisë, – deklaroi Prodani. – Është një situatë që na gjeti tërësisht të papërgatitur, pasi nuk ka asnjë stadium të jetë i licencuar si “Qemal Stafa”. Në këtë fund sezoni, janë edhe ndeshjet e plejofit, që përgjithësisht janë zhvilluar në stadiumin kombëtar”, shtoi ai.
KOMBËTARJA
Problemi më i madh për t’u zgjidhur nga Federata është ajo e ndeshjeve ndërkombëtare. Për momentin nuk ka asnjë stadium tjetër të licencuar dhe që të ketë parametrat e “Qemal Stafës”, kështu që çdo gjë është e vështirë. Ndërtimi i parkingut nëntokësor para stadiumit kombëtar do të zgjasë të paktën deri në gushtin e vitit 2013, ç’ka do të thotë se “Qemal Stafa” mund të jetë i mbyllur deri në atë periudhë dhe se kombëtarja do të jetë e detyruar të luajë diku tjetër. Duke pasur parasysh edhe faktin se stadiumi kombëtar nuk i plotësonte të gjitha parametrat e licencimit që kërkon UEFA, gjetja e një tjetri për ndeshjet e Botërorit 2014, duket akoma më e vështirë. Sipas Prodanit, duke parë situatën, nuk është aspak çudi që ndeshjet e përfaqësueses të zhvillohen jashtë vendit, por kjo vetëm në rast se UEFA nuk do të pranojë kushtet e stadiumeve aktuale. “Është një ide që të luajmë jashtë vendit, por të presim, pasi është ende shpejt. Do të shohim se cilin stadium do të rregullojmë për momentin, me qëllim që t’u afrohemi kritereve të licencimit, por kjo natyrisht duke vënë dorën në zemër edhe UEFA”, tha më tej Prodani.
STADIUMET
Pas mbylljes së “Qemal Stafës”, impiantet ku mund të zhvillohen një pjesë e madhe e ndeshjeve mbeten ata të Durrësit dhe Korçës, “Niko Dovana” e “Skënderbeu”. Por, për FSHF është paksa e vështirë, që një numër kaq i madh sfidash në këtë fund sezoni, të administrohen duke mos qenë në kryeqytet. Në lojë duken edhe stadiumet e Elbasanit e të Shkodrës, sidomos “Loro Boriçi”, që ka qenë i licencuar nga UEFA për ndeshje ndërkombëtare. Gjithsesi, kriteret kanë ndryshuar në vitet e fundit dhe nuk është çudi që qeveria e futbollit europian të kërkojë përmirësim të kushteve. Nëse ndodh kjo, atëherë rreziku që ekipi kombëtar të luajë jashtë vendit, do të jetë realisht prezent. Por, deri atëherë mbetet gjithçka për t’u parë.