Gati formula e re për sigurimin e makinave

Nga Dinejda
Shkruar ne 21 Maj 2012 ora 12:39pm

TIRANE-Shumë shpejt kuadri ligjor i sigurimit të automjeteve do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila do të sjellë një koncept tërësisht të ri sidomos lidhur me përcaktimin e tarifave që do paguhen nga drejtuesit e mjeteve.

Çmimet e sigurimeve nuk do të përcaktohen më përmes paketave fikse nga kompanitë, por do të përcaktohen në bazë të një sërë elementesh të reja, siç janë vendndodhja, lloji i mjetit ose fuqia e tij motorike, mosha dhe gjinia e drejtuesit të automjetit si dhe sistemi bonus/malus (ka të bëjë me historikun e drejtuesit, nëse ka kryer pak aksidente përfiton ulje tarife, në të kundërtën paguan çmim më të lartë). Kuadri i ri ligjor është aktualisht në përpunim e sipër nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Botërore dhe ndryshimet pritet të implementohen në treg së afërmi. Sipas ekspertëve ndryshimet vijnë si një domosdoshmëri e diktuar nga maturimi i tregut si dhe nga nevoja e përfarimit të legjislacionit në vend me atë të vendeve të Bashkimit Evropian. “Duke ndjekur ecurinë dhe zhvillimet në botë të sektorit të sigurimeve, pas një eksperience 20-vjeçare në këtë fushë në vendin tonë mund të themi që ky treg është drejt maturimit dhe po bëhen përpjekje për të arritur nivelet e vendeve më të zhvilluara duke e diktuar edhe Liberalizimin e Tregut të Detyrueshëm të Sigurimeve Motorike”, – shpjegon Venerea Xhillari, Drejtoreshë e Departamentit të Sigurimit dhe Risigurimit në kompaninë “Eurosig”. Në këtë këndvështrim po punohet për plotësimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor nga një projekt i përbashkët i AMF-së dhe Bankës Botërore “Mbi Liberalizimin e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri” për tarifimin e çmimeve të sigurimit mbi bazën e rrezikut, – shton më tej Xhillari.
4 komponentët e çmimit
Më tej ekspertja sqaron se, në procedurat e tarifimit me bazë risku të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm do të ndikojnë disa komponentë bazë që do sjellin një përmirësim të ndjeshëm të këtij produkti si dhe kontrollin dhe parandalimin e humbjeve nga drejtuesit e automjeteve. “Primi ose çmimi i sigurimit për shoferin do të lidhet direkt me rrezikun e tij”, – vazhdon Xhillari. Komponentët në bazë të të cilëve do të përcaktohen çmimet e sigurimit do të jenë katër: 1. Vendndodhja e mjetit që sigurohet, lloji i mjetit ose fuqia e tij motorike, mosha dhe gjinia e drejtuesit të automjetit si dhe sistemi bonus/malusi (zbritje ose rritje tarife në bazë të dëmeve që ka shkaktuar ose jo në të shkuarën).

Sipas ekspertes, paketa e re i kushton vëmendje të veçantë vendndodhjes së mjetit, që do të thotë se në qytetet me frekuencë më të shpeshtë aksidentesh është normale që shoferët të paguajnë më shumë për t’u siguruar. “Statistikat në vend kanë treguar që frekuenca të larta në dëme ka në prefekturën e Tiranës, Durrësit, Vlorës, për faktin që dhe numri i mjeteve që qarkullojnë është shumë i lartë krahasuar me rrethet e tjera. Projekti parashikon diferencimin e çmimeve të sigurimit (uljet ose ngritjet) mbështetur në rezidencën e drejtuesit ose pronarit të automjetit”, – shpjegon Xhillari.
Një element tjetër i rëndësishëm për llogaritjen e primeve të sigurimit TPL është dhe Fuqia Motorike. “Duke u mbështetur në statistika, rreth 2/3 e mjeteve që qarkullojnë në vend janë të mëdha me kapacitet mbi 1600 ç dhe shkaktojnë frekuencë të aksidenteve të kushtueshme e domosdoshmërisht do të aplikohen ndaj këtyre makinave dhe çmime më të larta sigurimi”, – vazhdon Xhillari.

Ekspertja shton më tej se edhe mosha e drejtuesit të mjetit do të jetë një faktor me peshë në përcaktimin e çmimit, duke qenë se janë të rinjtë përgjegjës për numrin më të madh të aksidenteve. Ndërkaq, edhe gjinia është një faktor tjetër që do të marrë peshë në kuadrin e ri ligjor duke qenë se siç dihet, femrat shkaktojnë shumë më pak aksidente se meshkujt. “Ekziston një lidhje varësie midis moshës së drejtuesit automjetit dhe frekuencës së dëmeve, si dhe gjinisë së drejtuesit me aksidentet. Nga statistikat dhe eksperienca e vendeve të zhvilluara, drejtueset femra janë “shofere” të mira dhe meritojnë tarifa të ulëta të primeve, për vetë faktin që femrat nga natyra e ndjejnë më shumë frikën dhe kontrollojnë shpejtësinë. Po kështu edhe drejtuesit e vjetër me eksperiencë do të kenë tarifime të ulëta në prime”, – vazhdon Xhillari.

Ndërkohë që sipas ekspertes duket se elementi më i rëndësishëm në llogaritjen me bazë risku të primeve të sigurimit TPL është principi Bons/Malus, ose historiku u dëmeve ku drejtuesi i mjetit i cili është fajtor do të penalizohet duke iu përgjigjur me mjete monetare për pasojat e aksidentit të shkaktuar, duke iu rritur çmimi i sigurimit në vitin pasardhës dhe anasjelltas.

“Sistemi i ri i vlerësimit të primeve të sigurimit mbështetur në bazë risku përbën një revolucion në zhvillimin e tregut të sigurimit në vend. Mund të themi që është një nga projektet më të rëndësishme”, – përfundon Venera Xhillari.