Gazetarët serbë, “turizëm” në Sarandë

Nga Dinejda
Shkruar ne 18 Maj 2012 ora 12:12pm

SARANDË - Një grup gazetarësh nga media serbe dhe përfaqësues të kompanive turistike më në zë kanë bërë pjesë të turit të tyre promovues edhe Sarandën. Ata janë pritur dje nga kryebashkiaku Stefan Çipa, i cili i shoqëroi nëpër qytet.

“Duke ardhur në Sarandë, keni ardhur në atë që Shqipëria dhe shqiptarët e quajnë ‘kryeqytetin veror’, – u tha Çipa. Mes të tjerave ka treguar për Sarandën se është qyteti i më shumë se 300 ditëve me diell, i njerëzve po aq të ngrohtë e miqësorë dhe qytet i 120 aseteve arkeologjike të kategorisë së parë. Kryebashkiaku i ka njohur të huajt me bashkëjetesën mes komuniteteve të ndryshme krahinore, fetare e etnike. 

Pas prezantimit të Sarandës, Cipa i ftoi gazetarët dhe operatorët serbë të pushojnë në Sarandë, për ta prekur këtë realitet. Nga ana e tyre, gazetarët serbë dhe operatorët turistikë, të pranishëm në takim, janë shprehur se dëshirojnë që kjo vizitë t’i shërbejë zgjerimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e turizmit. Këto agjenci dërgojnë turistë serbë në mbi 130 vende të botës dhe dëshirojnë të shtojnë Sarandën si një prej shumë destinacioneve turistike.

Përveç të tjerash, përfaqësuesit e televizioneve më elitare të Beogradit e kanë bërë kryebashkiakun e qytetit bregdetar, të intervistuarin e ekraneve dhe gazetave të tyre. Një intervistë të plotë i ka marrë gazetarja Valentina Milenkovic e RTS, Branka Kerkez si dhe RTV Studio-B. Gazetarët serbë janë shprehur se largohen nga Saranda me mbresa dhe emocione të papritura.