GAZI, KOMPANITË 10 MILIONË USD SIGURIM PËR AKSIDENTET

Nga Dorjan
Shkruar ne 25 Apr 2012 ora 2:49pm

Të gjithë operatorët që do të duan të licencohen dhe të zhvillojnë aktivitetin për transmetim, shpërndarje, furnizim, tregti me shumicë apo pakicë të gazit natyror, do të duhet që të aplikojnë pranë Entit Rregullator të Energjisë.
Në rregulloren që ERE ka publikuar përcaktohet se cilat do të jenë kriteret për të licencuar këta operatorë, duke filluar nga dokumentacioni dhe deri te detyrimet fiskale të tyre. Rregulloja gjithashtu parashikon edhe periudhën e “jetëgjatësisë” së një licence sipas funksionit që operatori merr në treg. “Kohëzgjatja e  vlefshmërisë së një licence të lëshuar sipas  kësaj rregulloreje  për transmetim, shpërndarje, depozitim dhe GNL prej ERE në përputhje me nenin 4 të kësaj rregulloreje, do të jetë për një periudhë prej 30 vitesh me të drejtë aplikimi për rinovim. Kohëzgjatja e vlefshmërisë së një licence për furnizim dhe  tregtim do të jetë për një periudhë prej 5 vitesh, me të drejtë aplikimi për rinovim”, thuhet në rregulloren e ERE-s. Licencimi për çdo lloj aktiviteti të ushtruar në fushën e gazit natyror përfshin edhe detyrimet që kanë kompanitë për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë të sigurt. Enti Rregullator i Energjisë përcakton saktë kriteret e sigurisë dhe të planifikimit që duhet të bëjnë kompanitë për të ruajtur sigurinë e ambientit ku do të operohet. Për pikat e tregtimit përcaktohet se kompanitë duhet të japin të detajuar parametrat gjeografikë dhe të largësisë, si dhe furnizimin mesatar me gaz natyror në njësi kohe të ushtrimit të aktivitetit. Po kështu, për katër prej llojeve të aktiviteteve që mund të ushtrojnë kompani të ndryshme në fushën e gazit natyror, kërkohet që të bëhet një figuracion te kompanitë e sigurimit për çdo lloj situate të jashtëzakonshme. “Me përjashtim të rastit të furnizimit dhe rastit të tregtimit, një certifikatë sigurimi nga shoqëri sigurimi që evidenton mbulimin e përgjegjësisë për dëmtimet për plagosje, sëmundje, ose raste të vdekjes së personave, ose për humbjen a shkatërrimin e pronës të shkaktuara, ose që kanë rezultuar prej aktiviteteve të aplikantit në kuadër të licencës së kërkuar, në një nivel përgjegjësie jo më të vogël se 10 milionë USD”, përcakton rregullorja. Sipas ERE-s, kjo politikë sigurie do të jetë në fuqi dhe me efekt të plotë për të gjithë kohëzgjatjen e licencës së kërkuar. Enti përcakton gjithashtu se në momentet që kompani të ndryshme aplikojnë për licencë, nga ky institucion u kthehet përgjigje brenda 90 ditëve për dhënien ose jo të licencës, kurse për ata që kanë një licencë që është në përfundim, afati i aplikimit për rinovim është 6 muaj para përfundimit.