Gerdeci, Bajram Leti: Berishës i kërkova lekë, jam me borxhe

Nga Reporter
Shkruar ne 13 May 2011 ora 4:39pm

Bajram Leti në intervistën dhënë “Gazetës Shqiptare” shprehet se në takimin me kryeministrin kërkoi që qeveria të mbajë premtimin për pagesën e qirasë së banesës prej 25 mijë lekësh në muaj. Atij i ka vdekur vajza në Gërdec dhe ata nuk kanë marrë asnjë para për qiranë e shtëpisë. Këto janë të vetmet familje që nuk kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në Gërdec, pas ngjarjes tragjike të ndodhur tri vite më parë, më 15 mars.

Zoti Leti, përse u takuat ju me kryeministrin Berisha dhe çfarë i kërkuat atij në këtë takim?

Takimi me kryeministrin është bërë pardje, jo dje. Unë sot e pashë në media dhe më thanë për një takim të tillë. Ne kemi qenë tre kryefamiljarë që nuk na i kanë ndërtuar shtëpitë, pasi i kemi pasur brenda rrethimit, perimetrit të sigurisë. Ne jemi 15 familje që jetojmë me qira. Nuk më kanë paguar qiranë, prandaj ne kërkuam takim me kryeministrin në mënyrë që qeveria të na mbajë premtimin e dhënë. Për dy vjet nuk na janë dhënë qiratë e shtëpisë.

Çfarë ju premtoi kryeministri?

Ai na premtoi se do na ndihmojë. Unë i thashë se ende nuk kemi marrë paratë e premtuara dhe se jemi në borxh deri në fyt me njerëzit, të cilët po na kërkojnë paratë e qirasë së shtëpisë. Shteti na ka premtuar se do të na paguante 25 mijë lekë qira në muaj, por ne ende nuk i kemi marrë ato. Ne në fshat jemi 15 familje gjithsej që nuk ndërtojmë dot shtëpitë tona, pasi i kemi te perimetri i sigurisë, te krateri i saj.

Mendoni se ky takim mund të përdoret politikisht?

Unë nuk kam qenë për politikë dhe as i përfshirë politikisht. Nuk kam gjetur rrugë tjetër për të shprehur shqetësimin që kam unë dhe 15 familje. Nuk kam për t’i marrë vetëm unë ato para, por edhe 15 familje që ende jetojnë me qira.

Nga: Gazeta Shqiptare