Gjen nënën e tij biologjike, arrestohet se e kërcënonte.

Nga Dinejda
Shkruar ne 18 Maj 2012 ora 12:15pm

TIRANË- Për shumë vite kishte kërkuar nënën e tij biologjike, por edhe pasi e gjeti konfliktohej herë pas here me të, derisa u arrestua nga policia. Kjo është historia e 27-vjeçarit Fatmir Dashmusa, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme për armëmbajtje pa leje. Ky i fundit ishte braktisur nga nëna e tij biologjike pas lindjes, për shkak se kjo e fundit i përkiste një familje të persekutuar dhe i dashuri i saj, nuk mund të martohej me të. Në këto kushte Hatixhe H. vendosi të braktisë djalin e saj në Shtëpinë e Foshnjës në Shkodër.

Vetëm pak kohë më pas, Fatmiri u adoptua nga një familje nga Tropoja, e cila u kujdes për të. Por pavarësisht kësaj, ai nuk ndihej i qetë dhe në vitin 2007 nisi kërkimet për nënë e tij biologjike, në kohën kur prindërit e tij adoptues kishin ndërruar jetë. Pas një sërë kërkimesh ai arriti të gjente nënën e tij dhe prej më shumë se dy vitesh jetonin së bashku në Tiranë. Pak kohë më parë ai shiti shtëpinë e prindërve të tij adoptues në Tropojë dhe të gjitha paratë i shpenzoi.

Ndërkaq, dy net më parë, konflikti mes nënës dhe të birit ka degjeneruar, aq sa Hatixhe H. është detyruar të njoftojë policinë, pasi ndihej e kërcënuar me jetë. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit forcat e Komisariatit Nr 2 kanë mbërritur pranë banesës së tyre, ku gjatë kontrolleve kanë gjetur një armë tip kallashnikov, që mbahej pa leje nga ana e 27-vjeçarit Dashmusa.