Gjirokastër, SOS për banesën 300 vjeçare te Skendulave

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 5:31pm

GJIROKASTËR- Shtëpia 300- vjeçare e Skendulave, në lagjen Palorto të Gjirokastrës, rrezikon të kthehet në një rrënojë, për shkak të mungesës së investimeve. E klasifikuar si një ndër 7 banesat më të bukura në Ballkan, kjo godinë e vjetër po mbahet në këmbë vetëm nga investimet dhe puna e pronarit të saj, Nesip Skënduli.

“Kjo godinë tregon jo vetëm identitetin e paraardhësve të familjes sime dhe vlerat e tyre, por është dëshmi e të gjithë Gjirokastrës, madje edhe më shumë”, tregon Skënduli. 

Në këtë shtëpi, me arkitekturë të jashtëzakonshme, ku guri dhe druri janë punuar me mjeshtëri të rallë, flet historia e Gjirokastrës, flet e shkuara dhe e sotmja, tregon banori autokton i qytetit të gurtë, ndërsa muret e jashtme, dyert, dritaret, tavanet dhe pjesë të tjera të shtëpisë karakteristike, janë drejt shkatërrimit, duke humbur kështu identitetin dhe ç’do elemet tjetër që lidhet me ndërtesën karakteristike.

Ai thotë se lagështia dhe mungesa e ndërhyrjeve restauruese ndjehet në çdo element të kësaj godine madhështore. Edhe pse ka bërë gjithshka për ta shpëtuar banesën, nëse shteti nuk do të ndërhyjë me investime, kjo dëshmi e së kaluarës dhe ky monument i Kategorisë së Parë për nga vlerat muzeale, rrezikon të kthehet në një gërmadhë.

Prej vitesh, drejtues dhe specialistë të monumenteve të Kulturës kanë bërë premtime për të kontribuar në restaurimin e shtëpisë së vjetër 300-vjeçare, por fatkeqësisht ato janë mbajtur pjesërisht, ose nuk janë mbajtur fare, thotë pronari i saj.

Banesa trekatëshe e Skëndulave, me 10 dhoma, 9 oxhakë në pjesën e brendshme, dhe 7 të tillë në pjesën e jashtëme, ka një sipërfaqe prej 1 mijë metra katrore, ndrësa vetëm çatia prej guri, ka një sipërfaqe 500 metra katrorë.

E ndërtuar 300 vjet më parë, ajo ka mbijetuar deri në ditë tona, edhe pse gjatë luftrave ka pasur dëmtime të rënda, ndërsa sot, për shpëtimin e saj, Nesipi jep alarmin e radhës.