Gjirokastra – Vendi i origjinës

Nga Sage
Shkruar ne 17 May 2011 ora 1:56pm

Duke lexuar AGIM SHEHUN tek eseja per Gjirokastrën

Dashuria e pafundme dhe respekti i madh për një qyetet, ku kalon gati cerekun e jetës së vetë Agim Shehut, mund të paraqitet me kaq bukuri dhe pasion vetëm nga ai, njeriu artist me zemër të madhe.
Unë krenohem me Gjirokastrën, që është qyteti im i origjinës, por sinqerisht u entusiazmova dukshëm dhe me shkoi mendja tek “Kronikë në Gurë” e Kadarese, sipas meje, e tejkaluar vetëm me pak faqet që porsa lexova.

Ç’farë kisha humbur! Esseja, me sa duket, ishte aty ne internet qysh para do kohe dhe unë nuk e kisha ditur.Të falemnderit Agim Shehu, që dhe në prozë vazhdon të ngelesh poet i madh.

Naum Priftin, Agim Shehun, Petro Zhejin, Pëllumb Kullën, Moikom Zeqon, nuk e di pse, por ndofta edhe nga që jemi bashkëmoshatarë, i kam pasur gjithnjë të vecantë në zemrën time, për bukurinë e fjales, thellësine e mendimit dhe nxitjen e ndjenjave më të mira njerëzore që ata të fusin në shpirt, sa i lexon.

Agim Shehu, prej kohësh më ka tërhequr për tematiken e larmishme dhe fjalët e zgjedhura, të paraqitura me art e bukuri dhe me shije letrare të rrallë, për përdorimin e figurave artistike të shumllojshme e të kërkuara, për ritmin dhe muzikalitetin e përsosur. E merr cdo libër të tij dhe nuk e heq nga dora, madje të duhet t’i rikthehesh për ta shijuar me mirë dhe për ta kuptuar plotësisht. Ai edhe prozën e ka te vecantë, si të ishte poetike, me argumente bindese per idetë e hedhura dhe me referime folklorike, filozofike e historike. Thjesht, atje gjen vetëm të vërteta jetësore e të dobishme për cdo njeri, të paraqitura me ndjenjë dashurie e mirkuptimi, që te grishin të jesh gjithnjë e më i mirë, më i dobishëm dhe më i afërt për familjen, shoqërine dhe kombin, duke u ndjerë krenar se je prej Shqipërie.

Tani të kalojme te Eseja, që më tërhoqi rishtaz… Agim Shehu është progonatas. I lindur në zemrën e Kurveleshit, bir në Progonat dhe nip në Golem. Duke i përfaqësuar denjësisht fshatrat e origjinës së vet, në poezitë, tregimet dhe romanet e tij te mrekullueshme paraqet bukur dhe me interes botën e gjallë për mbarë shqiptarët, duke qëndruar fort me mbështetje të fuqishme në folklorin e pasur lab dhe në humorin e dëgjuar e të këndshëm të zonës së vet.
Po, 20 vjetët e jetës së tij aktive në qytetin e Gjirokastrës, ndikimi i gruas se tij qytetare, lidhur ngushtësisht me Gjirokastrën, si dhe mjedisi i përafërt me krahinën ku lindi, që qytetin e Gjirokastrës e ka kufi ndarës midis Labërise dhe Camerisë, e ka kthyer poetin në thellësinë shpirtit të tij, në gjirokastrit të vërtetë.
Ndryshe nuk mund të bëhej kjo Esse e mrekullueshme për Gjirokastrën dhe gjirokastritët, për ta vendosur autorin e nderuar në radhët e para të pak eseistëve më të shquar të vendit tonë.
Gjinia letrare e Esesë është mjaft e vështirë, se ta trajtosh saktësisht, kërkon njohuri të gjera për problemin që trajton, argumente historike dhe referenca të rëndësishme studimore e shkencore. Në radhë të parë cdo Ese e vërtetë do që ta dashurosh objektin studimor dhe ta njohesh thellësisht atë.

Dhe duket në këtë drejtim progonatasi karakteristik, që në përgjithësi ka qënë i lidhur historikisht me Gjirokastrën, duke dhënë e marrë më të për shumë kohë, si kryeqendra etno- kulturore dhe administrative, me 20 vjet punë dhe me pleksjet e shumta shpirtërore e fizike, ia ka arritur, e them edhe një herë dhe ndofta e ka tejkaluar Ismailin e Madh, si në kohën e qëndrimit atje, ashtu dhe me njohjen realisht e nga afër të gjirokastritëve.
Lexon Esenë dhe e sheh Gjirokastrën krenare, të plotë në histori e deri në lashtësi, si territor, si traditë e zakone, me botën e pasur shpirtërore të qytetarëve të saj, me zgjuarsinë, fisnikërinë dhe veprat e shquara kombëtare të gjirokastritëve, si edhe lexon e njhesh me ta nëpërmjet kujtesës për dhjëtra emra dhe mbiemra tipik gjirokastritë, nga personalitetet e shquara e deri te njerëzit e thjeshtë.

Kështu edhe unë, i lindur e i rritur në Vlorë, ndihem krenar për origjinën time dhe vendlindjen e prindërve të mi, për paraardhesit e mi gjirokastritë, pjesëtarë të fisit tim të shumtë në numër, si dhe lidhjet e krushqitë e panumërta, thjesht me fise gjirokastrite.
Ndaj, më lejoni, thellësisht i ndikuar nga poeti i spikatur, të hedh ketu disa vargje modeste për Gjirokastrën dhe me këtë rast të falenderoj dhe të përshëndes, tani mikun tim të zemrës, poetin edhe eseistin e shquar Agim Shehu, si dhe të gjithë gjirokastritët e mirë.

Nga: Luan Çipi